Klsh kallëzon në prokurori Ish-drejtorin dhe ish-zv/drejtorin e Qytetit Studenti

618
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 688/1 prot., datë 14.07.2014, ka ushtruar auditim në “Rezidencën Studentore Universitare nr.1” sha, Tiranë, në përfundim të të cilit KLSH me shkresën nr. 688/14, datë 15.12.2014 ka përcjellë në subjekt Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimet përkatëse, miratuar me Vendimin nr. 167, datë 15.12.2014 të Kryetarit të KLSH-së.
Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish për sa i përket mungesës së dokumentacionit ligjor të kontratave të lidhura për objektet e dhëna me qira; mosllogaritjes dhe mosderdhjes së detyrimeve për objektet e dhëna me qira në buxhetin e shtetit; moskryerjes siç duhet të procedurave të prokurimit, si dhe shkaktimit të shpenzimeve të tepërta gjyqësore si pasojë e mosndjekjes së proceseve gjyqësore. Më konkretisht:
Nga auditimi i procedurave të prokurimit
Në procedurat e prokurimit publik, të zhvilluara gjatë viteve 2010-2011, rezultoi se ishte përdorur një standard i dyfishtë për sa i përket vlerësimit të kritereve kualifikuese të operatorëve ekonomik pjesëmarrës në procedurat e prokurimit. Kështu, nga auditimi rezultoi se në 10 procedura prokurimi, për të njëjtat mangësi që ishin skualifikuar disa operatorë ekonomik, disa operatorë të tjerë nuk ishin skualifikuar, por ishin shpallur fitues, veprime këto të kryera në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin Publik” dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për Rregullat e Prokurimit Publik”.
Për rrjedhojë, si pasojë e këtyre veprimeve diskriminuese ndaj operatorëve ekonomik pjesëmarrës në procedurat e prokurimit, është shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 13,886,414 lekë.
Nga auditimi i procedurave të prokurimit të zhvilluara gjatë vitit 2012, u konstatua se në të gjitha rastet, drejtuesit teknik për ndjekjen e punimeve ishin caktuar sipas urdhrave të dala nga titullari, duke anashkaluar dhe duke mos zbatuar rregullat e Prokurimit Publik. Gjithashtu, nga auditimi i investimit të kryer për objektin “Rikonstruksion i Godinës nr.1” në Nëntor 2012, rezultoi që ky investim ishte nisur dhe përfunduar pa marrë më parë lejen e ndërtimit nga Bashkia Tiranë, veprime këto të kryera në kundërshtim me Ligjin nr. 8405, datë 19.09.1998 “Për Urbanistikën”.
Nga auditimi i procedurave të prokurimit “Negocim pa botim paraprak” me shtesë kontrate (20%) me objekt: “Rikonstruksion i godinës nr. 1, të qytetit studenti”, “Lyerje e godinave nr. 1-12, 4-17, 20-21, të qytetit të studentit për vitin 2012” dhe “Hidroizolim tarace të godinave nr. 4,12, dhe 13, dhe 7-8, si dhe bibliotekës së qytetit të studentit”, vlera totale e të cilave arrinte në 2,458,255 lekë, rezultoi se ishin anashkaluar procedurat e prokurimit duke mos qenë në kushtet e emergjencës, pasi këto shërbime duhet të kryheshin me procedura të reja prokurimi, veprime këto të cilat binin ndesh me përcaktimet e bëra në nenin 33 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin publik”, dhe VKM nr .1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Nga auditimi i veprimeve të kryera me arkë dhe me bankë
Nga auditimi i veprimeve të kryera me arkë dhe me bankë, rezultoi që në një rast ishte kryer pagesa në vlerë 252,600 lekë, pa asnjë dokumentet justifikues në lidhje me kryerjen e shërbimit dhe në dy raste, me vlerë totale prej 586,320 lekë, ishte paguar një subjekt privat pa u përdorur asnjë procedure prokurimi, por vetëm me kontratë të lidhur nga ish-administratori i përgjithshëm.
Nga auditimi i kontratave
Gjithashtu nga auditimi u evidentuan një sërë mangësish përsa i përket plotësimit të dokumentacionit në dosjet e kontratave të nënshkruara me subjektet të cilat kanë marrë me qira ambientet e “Trajtimit të studentëve Nr. 1”, sha, Tiranë, për periudhën 2012-2014, ndërsa për periudhën 2012-2013, rezultoi që nuk ishte kryer monitorimi i kontratave të qirasë ose enfiteozës, nuk ishin mbajtur (në pjesën më të madhe të rasteve) procesverbalet e dhënies dhe marrjes në dorëzim të objektit të dhënë me qira, dhe nuk ishte ndjekur në vijimësi respektimi i kushteve të këtyre kontratave, sipas përcaktimeve të bëra në VKM nr. 529, datë 08.06.2011.
Për rrjedhojë, si pasojë e mosarkëtimeve të qirave dhe kamatëvonesave nga subjektet të cilat kanë ushtruar veprimtari në Qytetin e Studentit për vitet 2012-2013, është shkaktuar një dëm ekonomik për shoqërinë, në vlerën totale prej 1,735,324 lekë.
Nga auditimi rezultoi gjithashtu që nga ana e ish-administratorit të përgjithshëm të shoqërisë, ishte kryer ndërprerja e njëanshme e kontratës së lidhur me objekt “Për privatizimin e pasurisë mencë”, në kundërshtim me kushtet e zgjidhjes së kontratës. Si pasojë e mosngritjes së komisionit për konfirmimin e investimeve të kryera, sipas nenit 5/pika 9 të kontratës, si dhe mosmarrjes pjesë në gjykatë në lidhje me këtë cështje, i është shkaktuar shoqërisë, një dëm ekonomik në vlerën 4,623,519 lekë.
Sa më sipër, në Vendimin nr. 167, datë 15.12.2014 të Kryetarit të KLSH-së në lidhje me auditimin e ushtruar në “Rezidencën Studentore Universitare nr.1” sha, Tiranë, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore edhe ndaj 4 punonjësve të tjerë të administratës, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën totale prej 20,790,000 lekë.
Dosja e auditimit të ushtruar në “Rezidencën Studentore Universitare nr.1” sha, Tiranë, u përzgjodh për t’iu nënshtruar procedurave standarde të kontrollit të cilësisë në të ftohtë (kontroll i cili zhvillohet nga Drejtoria Juridike në bashkëpunim me një grup audituesish me përvojë në KLSH) në përfundim të të cilit u konkludua që për shkeljet e mësipërme ekzistonin elementë të veprës penale.
Si rrjedhojë, për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara dhe të trajtuara më hollësisht në Raportin e Auditimit, KLSH depozitoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal nr. 688/18, datë 13.05.2015 ndaj B.B, ish-Administrator i Përgjithshëm i “Rezidenca, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave të mësipërme ligjore, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal. 
Sigal