KLSH: Ja shkeljet dhe dëmet e shkaktuara nga ALUIZNI në katër vite

1009
Ekziston edhe një dëm ekonomik i fshehur dhe i pamatshëm, i cili lidhet me një zinxhir të stërzgjatur pasojash sociale, mjedisore, ligjore dhe njerëzore
Zyrat e ALUIZNI-të në të gjithë vendin në katër vite kanë kryer shkelje të rënda. Ky fakt është konstatuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në mënyrë të detajuar ka haruar një raport, brenda të cilit renditen shkeljet dhe dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit si pasojë e paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë. Një tjetër fakt që thuhet në raport ka lidhje me një dëm ekonomik shumë herë më të rëndë sesa ai i deklaruar. Bëhet fjalë për një dëm të fshehtë, brenda të cilit janë edhe vendimet e Gjykatave të Strazburegut, për të cilat shteti Shqiptar duhet të paguaj një faturë tepër të madhe. KLSH ka kryer një kontroll të gjerë në të gjitha drejtoritë e ALUIZNI-t për periudhën 2013-2017, që përket edhe me qeverisjen e majtë, drejtuar nga Edi Rama. Ashtu sikundër e ka thënë edhe më parë, KLSH ka vërejtur shkelje të rënda të cilat një pjesë të mirë i ka referuar në prokurori për ndjekje penale. Për KLSH një problematikë e madhe për zbutjen e këtyre dëmeve haset edhe nga drejtësia. Pothuaj të gjitha kallëzimet penale mbyllen. Ndëshkohen vetëm punëtorë të nivelit të ulët, ndërsa për drejtuesit janë të rrala ndëshkimet. Kjo sipas statistikave ka lidhje me afërsinë që drejtorët kanë me politikën. Ata janë më të mbrojtur nga kjo anë. 
Në total, për periudhën 2013 – 2017, nga auditimet është konstatuar: një dëm ekonomik (i matshëm) në vlerën 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar: 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht: 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNI dhe ZVRPP. Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizë të veprimtarisë dhe angazhimit të tij disavjeçar në luftën kundër paligjshmërisë, korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në administratën shtetërore, ka përmbledhur rezultatet e auditimeve të zhvilluara në institucionet e ALUIZNI, përgjatë viteve 2013 – 2017. Më konkretisht, përgjatë periudhës 2013 – 2017, KLSH ka realizuar 18 auditime në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Sarandë, ALUIZNI Drejtoria Qendrore 1 Drejtoria Rajonale ALUIZNI Tirana 1, Durrës, Berat, Korçë, Fier 2, Gjirokastër, Elbasan. Por cilat janë disa nga shkejet e vërejtura gjatë auditiveve të zhvilluara për katër vite? KLSH ka konstatuar se në këto institucione janë vërejtuar shkelje në mos bërjen e bilancit AMTP-LN, listave printim III dhe listave të trojeve sipas kryefamiljarëve, dhe në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t dhe mos administrimi i të dhënave të sakta mbi vet deklarimet në vite, mos evidentimi i subjekteve që do të përjashtohen nga procedurat e legalizimit, pajisjen me leje legalizimi pa paguar më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë, mosrespektimin e afateve ligjore për procedurat e kualifikimit, mungesën e dokumentacionit që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje. Po kështu thuhet se drejtoritë përkatëse të ALUIZNI-t, kanë kryer legalizimin e objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, nga rrugët nacionale e urbane, legalizimin e objekteve pranë linjave dhe shtyllave të tensionit të lartë, kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës, ndryshimin e zërit kadastral pa marrë më parë konfirmimin nga autoritet kompetente, legalizimin e objekteve në zonat arkeologjike dhe zonat e mbrojtura mjedisore si dhe objekteve në truall me statusin e territorit publik. Në total, për periudhën 2013 – 2017, nga auditimet e KLSH-së në këto subjekte është konstatuar një dëm ekonomik (i matshëm) në vlerën 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, janë kallëzuar penalisht 196 punonjës të këtyre institucioneve përfshi edhe drejtuesit e tyre. Përfshirë këtu edhe 2 Raporte Përfundimtare Auditimi të cilat i janë përcjellë organit të Prokurorisë në formën e indiceve penale. Përfshirë këtu edhe rastet kur përcaktimi i masës disiplinore konkrete është lënë në kompetencë të titullarëve të institucionit. Përsa i përket kallëzimeve penale, theksojmë që nga 40 auditime (në total), të zhvilluara nga KLSH në këto institucione (ALUIZNI dhe ZVRPP), përgjatë periudhës 2013 – 2017, në 36 prej tyre (90%) KLSH ka hartuar dhe depozituar pranë organeve përkatëse të prokurorisë në rrethe kallëzime penale për 196 punonjës të këtyre institucioneve të nivelit: ish-Drejtues, Përgjegjës Sektori dhe Specialistë (mesatarisht janë kallëzuar rreth 5 persona për çdo subjekt të audituar). Deri më sot, për aq informacion sa dhe ne disponojmë në lidhje me ecurinë e kallëzimeve tona penale, nga ana e Gjykatave është marrë vendimi i formës së prerë për dënimin e një sërë prej ish-zyrtarëve të ALUIZNI-it Shkodër, Vlorë, Sarandë dhe Tiranë ndërkohë që në lidhje me shkeljet e evidentuara në kallëzimet penale të bëra për ZVRPP ende nuk rezulton të jetë marrë si i pandehur apo gjykuar asnjë prej ish-Drejtuesve dhe Drejtuesve aktualë të këtyre institucioneve, madje as në nivelin e specialistit.
Përsa i përket zbatimit të rekomandimeve të KLSH për dhënien e masave disiplinore theksojmë që përgjatë viteve 2013 – 2017 evidentohet një mungesë e theksuar e vullnetit, nga ana e Drejtuesve të Institucioneve përkatëse, për zbatimin e këtyre rekomandimeve, duke e çuar në 60% nivelin e moszbatimit të rekomandimeve të KLSH-së dhe duke u mjaftuar në rastin më të mirë vetëm me dhënien e disa masave paralajmëruese. 
Theksojmë që krahas dëmit ekonomik të matshëm në këto institucione (ALUIZNI dhe ZVRPP) ekziston edhe një dëm ekonomik i fshehur dhe i pamatshëm, shumë herë më i lartë se i pari, i cili lidhet me një zinxhir të stërzgjatur pasojash sociale, mjedisore, ligjore dhe njerëzore, të shkaktuara si pasojë e paligjshmërive të kryera ndër vite nga ana e punonjësve dhe drejtuesve të ALUIZNI-it të cilat së bashku me problematikën e proceseve gjyqësore përbëjnë dhe burimin kryesor të faturave të papërballueshme që Shteti Shqiptar duhet të paguajë tashmë dhe në vijim si pasojë e vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në mënyrë më të hollësishme gjetjet dhe rekomandimet e KLSH-së në lidhje me auditimet e zhvilluara në ALUIZNI dhe ZVRPP, përgjatë periudhës 2013 – 2017 (6 mujori i parë) mijë lekë, paraqiten si më poshtë:
Auditimet e kryera në ALUIZNI
1) Mos administrimin i të dhënave të sakta mbi vetëdeklarimet në vite
Në Drejtorinë e Përgjithshme e ALUIZNI-t, akoma nuk disponohen të dhëna të sakta mbi vetëdeklarimet në vite, shume objekte qytetarët i kanë vetëdeklaruar nga 2 here dhe në pasqyrat e dhëna deklarohet se “mund të jenë 30% të vetëdeklaruara me mbi dy here”. Nga auditimi i të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme u konstatua se nga shuma totale e vetëdeklarimeve gjithsej 463196 objekte, rezultojnë 17000 objekte te kualifikuara nga Drejtoritë Rajonale por të pa pajisur me leje legalizimit duke u ndërprerë procedurat e legalizimit në mënyrë të pa dokumentuar dhe në kundërshtim me ligjit.
2) Mos evidentimi i subjekteve që do të përjashtohen nga procedurat e legalizimit
Nga të dhënat e mara në Drejtorinë e Përgjithshme e ALUIZNI-t Tiranë nga viti 2006 deri me 30.06.2017 sipas informacionit për Objektet e përjashtuara në Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në Qarqet Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë, Vlorë rezultojnë se janë skeduar për tu përjashtuar nga procesi i legalizimi 1431 objekte të ndërtuar në kundërshtim me ligjin, të dhëna të rezultuara të pa sakta pasi vetëm në 6 Drejtori Rajonale të audituara së fundmi nga KLSH janë konstatuar 2740 objekte më shumë të skeduara për tu përjashtuar nga procesi i legalizimit por të pa deklaruara në Drejtorinë e Përgjithshme ALUIZNI-it Tiranë për të cilat nuk ka ndjekje të procedurave ligjore të përjashtimit nga procesi i legalizimit, pasi janë objekte te ndërtuara në zona arkeologjike, zona historike, muzeale, rrugë, oborre shkollash, kanale vaditëse dhe kullues, troje publik, zona turistike, lumenj, liqene, vije hekurudhore, linja te tensionit te larte etj. 
3 Pajisja me leje legalizimi pa paguar më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë
Në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, nenin 27 “Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e objektit”, pika “ç”, si dhe me VKM nr. 411, datë 19.05.2010 i ndryshuar “Për kriteret procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit” Kreu I, pikën 1, germa “c”. Në kualifikimin e objekteve informale, kanë dërguar pranë Bashkive në rang Qarku, vetëm shkresën për llogaritjen e pagesës për taksën e ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë konsiderueshme të ardhurash në buxhetin e shtetit, konkretisht në Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t Tirana nr. 2, Korçë, dhe Sarandë është konstatuar vlera 109,121,162 lekë nga mos pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Theksojmë se në lidhje me këtë konstatim KLSH ka bërë propozim për ndryshim ligjor.
4) Mosrespektimi i afateve ligjore për procedurat e kualifikimit
Drejtoritë Rajonale e ALUIZNI-t nuk kanë respektuar afatin 60 ditor, për marrjen e vendimit për kualifikimin ose shkualifikimin e praktikës së legalizimit nga data në të cilën është mbajtur procesverbali i konstatimit në terren, veprime këto në kundërshtim me VKM Nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
5) Në dosje nuk disponohet dokumentacioni që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje
Nga auditimet është konstatuar që në dosje nuk disponohet dokumentacioni që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje, pjesën e shtesës pa leje, ndryshimet e sipërfaqeve të ndërtimit dhe kohën e ndërtimit, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 438, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”.
6) Legalizimi i objekteve pa respektuar distancat nga brigjet
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga brigjet, ku sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, rezulton se objektet ndodhen në një distancë prej buzës së lumit/detit me pak se 100 metrash, veprime këto në kundërshtim me Ligjin Nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, si dhe VKM nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
7) Legalizimi i objekteve pranë kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës 
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve pranë kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës të tyre, pa marrë më parë konfirmimin nga autoriteti ujit për respektimin e distancave, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, dhe VKM nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar ndërtime pa leje, shtesa anësore dhe /ose në lartësi në ndërtimet me leje”, ndryshuar.
8) Legalizimi i objekteve pa respektuar distancat nga rrugët nacionale e urbane
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët nacionale e Urbane, ku sipas dokumentacionit që ndodhet në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, rezulton se objektet ndodhen në distancë më të vogël se sa e lejon ligji, prej buzës rrugës nacionale me pak se përcaktimet ligjore. Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, VKM nr. 280, datë 1.4.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, VKM nr. 153, date 07.04.2000 “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor në Republikën e Shqipërisë”.
9) Legalizimi i objekteve pranë linjave dhe shtyllave të tensionit të lartë
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve pranë linjave të tensionit të lartë dhe shtyllave së tensionit të lartë, veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
10) Ndryshimi i zërit kadastral pa marrë më parë konfirmimin nga autoritet kompetente
Sipas dokumentacionit të pronësisë lëshuar nga ZVRPP, parcela ndërtimore e zënë, ndodhet e regjistruar në pasurinë e llojit “Arë, pemëtore, pyll”, zona informale këto të pa miratuara nga KRRTRSH/KKT. Pra legalizimi është kryer në zona “Territore të tjera”, për të cilat nuk kanë gjetur zbatim nenet 10, 11, 14, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar dhe VKM nr. 515, datë 13.05.2009 e VKM nr. 589, datë 10.9.2014, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtimet me leje, të organeve e të dokumentacionit, për propozimin e miratimin e zonave informale” gjatë procedurave të legalizimit të objekteve informale”, duke ndryshuar zërin kadastral, regjimin e tokës në llojin e pasurisë “Truall”.
11) Legalizimi i objekteve në zonat arkeologjike dhe zonat e mbrojtura mjedisore
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve në Zonën Arkeologjike “B” dhe “A”, brenda zonës së mbrojtjes mjedisore “A” Parku Kombëtar i Butrintit, në kundërshtim me VKM nr. 280, datë 1.4.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje” si dhe ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar, nenin 27 dhe VKM nr. 693, datë 10.11.2005 “ Për shpalljen kompleksit ligatinor të Butrintit- Park Kombëtar”, ndryshuar me VKM nr. 134, datë 20.02.2013.
12) Legalizimi i objekteve në truall me statusin e territorit publik
Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t kanë kryer legalizime të objekteve në truall me statusin e territorit publik në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2016 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” nenet 27 dhe 41 konkretisht: neni 27 “Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e objektit” pika d, neni 41 “Kriteret për legalizimin e shtesave” pika 2 dhe 3.
Sigal