KLSH hap, fakton dhe çon në prokurori letrat e abuzimit 6.4 milionë USD të Rrugës së pa përfunduar “Tiranë-Elbasan”

363
Sigal

Gazeta Telegraf/


Nga auditimi u konstatuan  pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna
në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keq-menaxhim i fondeve, me
pasojë dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD, si
dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3E-ve (efektivitetit, eficencës dhe
ekonomicitetit) me vlerë mbi 4 milionë USD. Kontrolli i Lartë të Shtetit, në
zbatim të programit të tij të auditimit nr. 508/1 të Prot., datë 16/05/2016, ka
përfunduar auditimin në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) për Projektin
“Ndërtimi i Rrugës tiranë-Elbasan”, për periudhën nga data 30.06.2014 deri me
datë 30.06.2016”. Me Vendimin nr.
100, datë 07.09.2016 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar

Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresë  nr. 508/7,  datë
07.09.2016 i janë rekomanduar ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit
masat përkatëse me karakter organizativ, si dhe ato në lidhje me shpërblimin e
dëmit të shkaktuar në vlerën totale 2,411,159 USD dhe të shpenzimeve jo në përputhje
me parimet e ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit me vlerë 4,038,959
USD. Bazuar në Manualin e Prokurimeve për shërbime konsulente të Bankës
Islamike për Zhvillim, KLSH ka rekomanduar masë administrative për shpalljen të
pa pranueshëm për lidhje kontrate për shërbime konsulente Kompaninë e cila
është ngarkuar për supervizionin e punimeve si dhe mos lidhjen e kontratave të
mëtejshme me Kontraktorët të cilët po realizojnë punimet civile të këtij
projekti.

 

Shkelje të konstatuara nga procesi auditimit

 

Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me
përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës si dhe ato të punimeve civile,
për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të
projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm
punimesh, si më poshtë:

1. Nga auditimi i punimeve që po realizohen në Usekun e Mulletit, kanë
rezultuar difektoze disa nga punimet e realizuara nga kontraktori (sipas
projektit të ndryshuar nga vetë Kontraktori nëpërmjet një vlerësimi
inxhinierik, sipas të cilit risqet i mbeten zbatuesit të punimeve) duke
rrezikuar shembjen e skarpateve, në momentin e vënies në funksionim të rrugës.
Këto punime po përsëriten si pasojë e uljes së pjerrësisë së skarpateve dhe
rindërtimit të masave mbrojtëse të tyre. 
Bazuar në kontratën përkatëse të punimeve, vlera 1,601,169 USD duhet të zbritej
nga situacionet e likuiduara kontraktorit, pasi përgjegjësia për
mosfunksionimin e tyre është e vetë kontraktorit.  Kjo vlerë konsiderohet
dëm ekonomik, pasi edhe pas ndryshimit të projektit dhe hartimit të preventivit
të ri, nuk është përfshirë në zbritje kjo vlerë punimesh, por janë marrë në
konsideratë vetëm punimet të cilat nevojiten të realizohen, edhe pse punimet e
reja kanë shkatërruar punimet e realizuara më parë.

2. Sipas urdhër ndryshimit nr. 6, miratuar në muajin tetor 2015, janë
likuiduar punime të përkohshme menaxhim trafiku për marrje në dorëzim të
pjesëve të rrugës për segmentin “Sauk-Tunel i Kërrabës”, të cilat pretendohet
se janë realizuar në muajin qershor 2013. Punimet konsistojnë në furnizim
vendosje shenja trafiku të përkohshme, përbërës rrugorë dhe sinjalistikë
horizontale e përkohshme. Në përshkrimin e urdhër ndryshimit nuk ka asnjë
referencë ligjore, kontraktore apo akte të tjera. Nuk është miratuar asnjë
urdhër ndryshimi për realizimin e këtyre shërbimeve në periudhën e pretenduar
si dhe nuk është certifikuar në periudhën e pretenduar si të realizuar,
megjithatë janë likuiduar nga nëpunësit e rinj të Njësisë së Menaxhimit të
Projektit, të cilët menaxhojnë projektin nga gushti i vitit 2015. 

Në kontratën e punimeve civile pika 4.8 dhe specifikimet teknike përkatëse
pika 1.03.4 dhe 1.02.06, për aksin rrugor Tiranë-Elbasan, përcaktohet se
punimet duhet të realizohen duke siguruar edhe lëvizjen e pandërprerë të
automjeteve si dhe krijimin e kushteve optimale për menaxhimin e trafikut dhe
sigurisë rrugore. Pra, menaxhimi i trafikut duhet të realizohej nga vetë
kontraktori pa kosto shtesë, përveç atyre të parashikuara në kontratë. Pagesa me vlerë 179,047 USD është
realizuar në kundërshtim me përcaktimet e kontratës dhe është përfituar
padrejtësisht nga Kontraktori.

3. Sipas urdhër ndryshimit nr. 8, miratuar në muajin tetor 2015, janë
likuiduar punime menaxhimi të përkohshme për inaugurimin e segmentit rrugor
“Tunel i Kërrabës-Elbasan”. Në përshkrimin e urdhër ndryshimit nuk ka asnjë
referencë ligjore, kontraktore apo akte të tjera. 
Likuidimi i punimeve të mësipërme për këtë segment është përfshirë në pagesat e
segmentit “Sauk-Tunel i Kërrabës” në kundërshtim me kontratën e punimeve civile
pika 14.10 dhe 14.11, ku përcaktohen afatet për të cilat kontraktori mund të
paraqesë pretendim për ndonjë punim të realizuar por të pa likuiduar.
Pavarësisht mospërmbushjes së këtij afati, në kontratë janë parashikuar
shpenzimet për zbatimin e punimeve, ashtu dhe për aktivitet të tjera siç është
marrja e masave për dorëzim. Pagesa me vlerë 137,282.6 USD është realizuar në
kundërshtim me përcaktimet e kontratës, dhe është përfituar padrejtësisht nga
Kontraktori.

4. Bazuar në certifikatën e punimeve nr. 15 (Kontrata nr. 1) për seksionin
14 + 850 deri tek hyrja e tunelit, për zërin e punimeve 260 “Furnizim vendosje
guardrail tip H3”, është përfshirë furnizim vendosje guardrail në sasinë 2588
ml, ndërkohë që nga verifikimi rezulton se në këtë segment është vendosur sasia
365 ml. Ky veprim është në kundërshtim me Pikën 12.2 të Kushteve të
Përgjithshme të Kontratës “Metoda e matjeve”. Diferenca me vlerë 286,660 USD
përbën punime të certifikuara, të likuiduara por të pa realizuara akoma.

5. Për segmentin nga kilometër 3+777 deri 5+744 është certifikuar sasia
11,508 m2 asfalto-beton dhe 18,787 m2 binder. Nga verifikimi dhe llogaritja e
sipërfaqes për këtë segment rezulton se është shtruar gjatësia e rrugës 300 ml
sipas projektit dhe gjatësia 150 ml për rrugën hyrëse. Nga përllogaritjet
rezulton se është certifikuar më tepër asfalto-beton në sasinë 4158 m2 dhe
binder në 3 shtresa në sasinë 12474 m2. 

Pavarësisht se punimet për këtë segment nuk kanë përfunduar akoma, janë
certifikuar dhe likuiduar punime të pa realizuara me vlerë 168,149.4 USD,
përfituar padrejtësisht nga Kontraktori.

6. Nga verifikimi i punimeve sipas zërit “Të mira publike”, Urdhër
ndryshimi. Nr 7, konkretisht kryqëzimi i Mulletit, sifoni në kilometër 5+808
dhe kanali ujitës kilometër 6+250, u konstatua se ka diferenca të punimeve të
certifikuara dhe likuiduara në krahasim me ato të realizuara me vlerë 36,717.5
USD e cila përfaqëson punime të likuiduara por të pa realizuara, është
përfituar padrejtësisht nga Kontraktori.

7. Sipas VO nr. 7 “Public Utilities” është likuiduar sasia 208 m2
sinjalistikë horizontale, ndërkohë që nga auditimi në terren rezulton se ky
vijëzim nuk është realizuar. Ky veprim është në kundërshtim me Pikën 12.2 të
Kushteve të Përgjithshme të Kontratës. 
Pagesa me vlerë 1,757.1 USD, përfaqëson likuidim të punimeve të parealizuara të
përfituara padrejtësisht nga kontraktori.

 

Skandali/ 4 milionë USD fonde të rrugës, pa asnjë tregues efektiviteti

 

Gjatë auditimit, u konstatua përdorimi pa efektivitet i fondeve me vlerë
4,038,959 USD, i cili në mënyrë më të detajuar paraqitet si më poshtë:

1. Është miratuar nga Supervizori dhe Njësia e Menaxhimit të Projektit dhe
është në pritje të miratimit të donatorit, ndryshimi i projektit të “Useku i
Mulletit”. Ky ndryshim ka ardhur si rezultat i defekteve dhe mangësive të
projektit origjinal, por edhe të projektit të rishikuar nga kontraktori i cili
ka bërë vlerësimin inxhinierik (projekt i rishikuar, sipas të cilit risqet i mbart
zbatuesi i punimeve).

2. Pas miratimit të vlerësimit inxhinierik nga ARRSH dhe fillimit të
punimeve, ka rezultuar se ky vlerësim inxhinierik  është i mangët,
kryesisht në zonën e Mulletit, ku skarpatet nuk kanë pasur qëndrueshmëri. Për
këtë Kontraktori ka propozuar të mos zbatohet më tej vlerësimi inxhinierik (i
propozuar nga ai), por të miratohet një urdhër ndryshimi, sipas të cilit
projekti duhet të ndryshohej përsëri, por në këtë rast duke paraqitur disa
alternativa të cilat do t’i kalonin për miratim Këshillit Teknik të Autoritetit
Rrugor Shqiptar.

3. Bazuar në vendimin e Këshillit Teknik nr. 46 (nr. Prot 5731, datë
02.07.2015), nuk janë pranuar alternativat e paraqitura, por është lënë që të
vazhdohet me vlerësimin inxhinierik të kontraktorit. Për t’i dhënë zgjidhje
problematikës dhe shmangien e vonesave, bazuar në Urdhrin e Ministrit nr. 110,
datë 03.08.2015 është ngritur një Bord Drejtues, i cili pas shqyrtimit të
dokumentacionit të projektit ka vendosur të pranojë një zgjidhje të paraqitur
nga kontraktori e cila konsiston në një gjeometri të re të të gjithë gjatësisë
së Usekut të Mulletit, duke aplikuar pjerrësi më të buta për skarpatet. Nga
Bordi Drejtues i Projekti i është sugjeruar Njësisë së Menaxhimit të Projektit
që të instruktohet Kontraktori dhe Supervizori që të analizojnë çdo zë të
preventivit. Bazuar në gjendjen reale të vlerësohet mundësia e reduktimit të
masave inxhinierike si dhe të vlerësohet kontraktualisht përputhshmëria e zërit
“Transport i materialit të gërmuar”, pasi ky zë është i përfshirë në
preventivin origjinal.

Në mbledhjen e datës 23.02.2016, Këshillit Teknik i ARRSH, pasi ka
shqyrtuar materialin e paraqitur nga bordi, me Vendimin nr 10, me nr. Prot.,
1440, datë 02.03.2016, ka miratuar realizimin e ndryshimit të projektit.

4. Vlera e ndryshimit është 9,706,052.5 USD. Në këtë vlerë është
parashikuar vlera 1,980,000 USD për transport të dherave shtesë, në kundërshtim
me Seksionin 4 të specifikimeve teknike të Kontratës, pika 1.03.3, 4.01 dhe
4.7. 

Përfshirja e një zëri të ri transporti me vlerë 1,980,000 USD, është e pa
justifikuar dhe përbën përdorim pa ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të
fondeve.

5. Pavarësisht se nga ana e Këshillit Teknik të ARSH  është vendosur
që të rishikohen masat inxhinierike si dhe çmimet përkatëse për çdo zë,
preventivi përkatës është dërguar për miratim tek donatori pa ndryshimet e
kërkuara.

Në preventiv është përfshirë edhe vlera 350,000 USD për realizimin e
projektit si dhe monitorimi gjeo-teknik me vlerë 104,309 USD. Përfshirja e
këtyre vlerave është e pa justifikuar, pasi vlerësimi inxhinierik është bërë
nga vetë kontraktori dhe sipas Pikës 13.2 të Kushteve të Përgjithshme të
Kontratës, ndryshimi i projektit duhet të bëhet me koston e Kontraktorit. Në
total, preventivit të punimeve për Usekun e Mulletit duhet t’i zbritet vlera
2,434,309 USD.

6. Nga ana e Supervizorit dhe e Njësisë së Menaxhimit të Projektit është
miratuar edhe ndryshimi i projektit për rrëshqitjen e Ibës me vlerë 8,606,189.4
USD. Edhe ky ndryshim nuk ka marrë miratimin përfundimtar nga donatori.

 

Transporti, shtesë vlerash financiare fiktive

 

Në vlerën e mësipërme është përfshirë shtesë transporti me vlerë 1,269,000
USD, në kundërshtim me Seksionin 4 të specifikimeve teknike të Kontratës, pikat
1.03.3 dhe 4.01 të Specifikimeve teknike. Po ashtu është përfshirë vlera
250,000 USD për realizimin e vizatimeve dhe vlera  85,650 USD për
monitorimin gjeo-teknik, në kundërshtim me Pikën 13.2 të kushteve të
përgjithshme të Kontratës “Vlerësimi inxhinierik”. Në total, preventivit të
punimeve për rrëshqitjen e Ibës i është përfshirë padrejtësisht dhe në
kundërshtim me kontratën vlera 1,604,650 USD. Për të gjitha shkeljet e
mësipërme, mban përgjegjësi kryesore A. Q, me detyrë Drejtor i Njësisë
Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të
rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së
veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit
Penal, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të Shtetit dhe favorizuar subjektin
privat, (pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e konstatimit gjatë hetimeve të
përgjegjësisë penale edhe ndaj personave të tjerë anëtarë të Njësisë së
Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, si dhe eprorëve të tyre të
cilët kanë ndikuar në çfarëdo mënyre dhe që evidentohen më konkretisht në
Raportin Përfundimtar të Auditimit).

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga A. Q, me detyrë Drejtor i
Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, (apo edhe ato të
kryera nga persona të tjerë që mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimit)
si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të
dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së
Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës
Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të Ligjit Nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për
organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”,  me
shkresë nr. 508/8,  date 07.09.2016, ka bërë kallëzim penal ndaj tij pranë
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.