KLSH dhe përmirësimi i financave vendore

814
Sigal

Nga Kristaq Gjurgjaj, Auditues i Lartë në KLSH

Me reformën administrative dhe territoriale, me decentralizimin e shumë kompetencave në lidhje me vendosjen e disa taksave dhe tarifave vendore dhe grumbullimin e tyre, shtohet dhe përgjegjësia e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, në drejtim të krijimit të strukturave për mbledhjen e taksave  dhe rritjen e kapaciteteteve administrative. Pavarësisht kësaj, realiteti në të cilin gjenden sot financat e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore (NJVQV-të, pra bashkitë), flet për një qasje ku kryetarët e Njësive më shumë presin nga fondet e qeverisë qendrore, se sa punojnë për të shtuar ato ekzistuese( rritur burimet që kanë dhe për të gjetur burime të tjera të ardhurash, nga vënia në efiçiencë e pasurive që u janë dhënë. Reforma Territoriale dhe Administrative nuk po jep frytet e duhura, në drejtim të shtimit të ardhurave dhe në drejtim të mirë menaxhimit të aseteve dhe burimeve ekonomike që u janë vënë në dispozicion të 61 bashkive. Vetë sistemi i taksave dhe tarifave vendore kërkon një reformim, si pjesë e rëndësishme e zbatimit të Reformës Territoriale dhe Administrative.  Një pjesë e bashkive janë në faza të konsolidimit të strukturave të brendshme, të shtrirjes së shërbimeve të munguara në gjithë territorin e tyre. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga miratimi i ligjit nr. 68/2017 “Për financat e Vetëqeverisjes Vendore”, puna po çalon në krijimin e burimeve financiare e njerëzore të bashkive, çka në të vërtetë nevojitet për shërbime më të mira vendore, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, zbatimin e projekteve të reja, shërbimeve sociale, etj. Nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka rezultuar se administrimi i taksave dhe tarifave vendore reflekton mangësi të mëdha.  Në shumë njësi vendore konstatohen nivele të larta të borxhit tatimor, pasaktësi të vlerës reale në mungesë të transferimit të të drejtave nga ish-komunat në Bashki. Janë konstatuar se ende mjaft subjekte ushtrojnë aktivitet pa u regjistruar në QKB dhe organet tatimore (Zyrat e Taksave Vendore). Këto subjekte, nga njëra anë, përveç se nuk paguajnë taksa dhe sigurimet shoqërore (kryejnë evazion fiskal), nga ana tjetër kryejnë  konkurrencë të pandershme, duke shitur  me çmime të ulta.  Në këtë drejtim ka mjaft neglizhencë apo ka raste që sipërmarrësit nuk u binden rregullave dhe nuk pranojnë të regjistrohen. Në kuadrin e reformës së sistemit tatimor, nga pushteti vendor mblidhen rreth 20 lloj taksash dhe tarifash, ku nga më kryesoret përmendim: taksa mbi pasurinë (ndërtesat dhe tokës bujqësore), taksa mbi kalimin e pronësisë, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e regjistrimit të automjeteve, taksa për zënien e hapësirave publike, tarifa e pastrimit, taksa e truallit, taksa e tabelës dhe reklamës, tarifa e shërbimit (pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit), etj.  Nga ajo që KLSH ka konstatuar gjatë vitit 2017, në auditimet e ushtruara e 32 ish bashki dhe 120 ish komuna, është mungesa e planifikimit të drejtë të të ardhurave, pasi vihen re rezerva në planin e disa lloj taksash e tarifash vendore, për të cilat nuk është mbajtur parasysh as edhe realizimi i vitit të mëparshëm dhe parashikimi në plan i borxhit të krijuar ndër vite.  Kemi vërejtur si KLSH se nuk ka procedura të shkruara për ndjekjen e debitorëve të periudhave të mëparshme, dhe në shumë raste nuk ka një transferim të saktë të listës së këtyre debitorëve gjatë procesit të transferimit të kompetencave nga komunat drejt Bashkive. Problemi i borxhit tatimor edhe për njësitë e vetëqeverisjes është sensitiv, pavarësisht mungesës së një shifre të saktë për të mundësuar rritjen e sensibilizimit për këtë lloj problematike.  Vetëm në auditimet e vitit 2017, detyrimet e paarkëtuara nga Bashkitë ndër vite janë 2 miliardë e 575 milion lekë,  ku përmendim Bashkitë Patos në vlerën 263.6 milion lekë, Divjakë në vlerën 261 milion lekë, Shkodër në vlerën 216 milion lekë, Fier  në vlerën  173.6 milion lekë, Sarandë në vlerën 146.6 milion lekë, Krujë në vlerën 160 milion lekë, Kavajë në vlerën 132 milion lekë, Durrës në vlerën 113.6 milionë lekë, Ura Vajgurore në vlerën 100.8 milion lekë, Roskovec në vlerën 96.6 milion lekë, Himarë në vlerën 82 milion lekë, Kukës në vlerën 74.6 milionë lekë etj. Audituesit e KLSH kanë konstatuar se në disa NJVQV nuk është ndërtuar një sistem i informatizuar dhe cilësor, me qëllim që të sigurojë administrim të drejtë të të ardhurave dhe të mundësojë siguri të mjaftueshme operacionale për trajtim të njëjtë të subjekteve objekt të taksave dhe tarifave vendore. Një sistem i sigurte garanton edhe një sistem efektiv kontrolli të administrimit fiskal në organet e pushtetit vendor, duke siguruar një planifikim dhe mbledhje në mënyrë të saktë të taksave e tarifave vendore, si dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për popullatën.

Kemi vërejtur se pas kryerjes së reformës administrative dhe kalimit të aktivitetit të bizneseve në Bashkitë të mëdha, nga punonjësit e ish-komunave nuk është bërë dorëzimi i  detyrës dhe listat apo dosjet e bizneseve me proces verbal. Pra, nuk janë dorëzuar me inventar, dosjet e bizneseve, regjistrat e tatimpaguesve, pasqyra e debitorëve të krijuar sipas viteve, lloji i aktivitetit, detyrimet dhe arkëtimet, veçanërisht debitorët e taksës së tokës të cilët nuk disponohen me lista emër për emër, detyrimi dhe pagesa për secilin vit, të cilët zënë një volum të madh pune (edhe kur janë dorëzuar janë dorëzuar në total), veprime këto në kundërshtim me kërkesat e VKM nr.510, datë 10.06.2015 “Për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiviteteve dhe çdo dokumentacion tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial”, me Urdhrin e Ministrit të Financave nr. 47, datë 30.06.2015 “Për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen”, si dhe me Udhëzimin e Përbashkët  të Ministrit për çështjet vendore dhe Ministrit të Financave nr. 3237, datë 16.07.2015 “Për procedurat, afatet kohore, standardet dhe kriteret e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, për riorganizimin administrativo-territorial”.  Në asnjë prej NJVQV-ve nuk janë krijuar regjistrat për subjektet me leje minerale që shfrytëzojnë sipërfaqe pyjore/kollusore, me të dhënat e kontratave për sipërfaqen e shfrytëzueshme dhe vlerën e qirasë ku ushtrojnë aktivitet subjekte private, si në ish-bashkitë Mat, Klos, Tropojë, Dropull, Delvinë, etj.  Nga auditimet, KLSH ka konstatuar se nga disa ish-komuna, dhënia me qira e tokave bujqësore të pandara është bërë në kundërshtim të hapur me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave me  nr. 1, datë 18.7.2012 “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”, si dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore që kanë si objekt tokën bujqësore. Pas reformës territoriale mjaft fermerë që kanë lidhur kontrata me ish-komunat për dhënien me qera të tokave të pandara, nuk kanë zbatuar kontratat e lidhura me pasojë mos pagesën e detyrimeve kontraktore, fenomen ky i shfaqur dukshëm pas shkrirjes së komunave në Bashkitë Cërrik, Roskovec, Ura Vajgurore, Delvinë, Gramsh, etj.  Për eliminimin e mangësive, KLSH ka rekomanduar vëmendje të shtuar për përmirësim të treguesve financiarë të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në lidhje me burimet e tyre financiare, KLSH ka orientuar bashkitë që të përqendrohen në rritjen e të ardhurave vendore përmes paketave “të zgjuara” fiskale, duke shfrytëzuar asetet dhe pasuritë e tyre. Kemi konstatuar se ecuria në këtë aspekt nuk është e kënaqshme. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, bashkitë tona janë shumë më tepër të varura nga fondet që vijnë nga qeveria qendrore. Prandaj, kemi kërkuar që fokusi i tyre të jetë pavarësia financiare e mundësuar nga burimet tërësisht në dorë të bashkive. Një problem për t’u adresuar më tej është se ka ende mbivendosje e kontroll të panevojshëm në fushën e veprimtarisë me dhe nga pushteti qendror, që del mjaft qartë me ekzistencën e drejtorive të dekoncentruar dhe kontrollin e prefektit, mjegullën në kufirin mes dy pushteteve në fusha si mjedisi, menaxhimi i pyjeve e kullotave, bujqësisë, etj. KLSH, si agjent i Parlamentit dhe i qytetareve ne përmirësimin e financave vendore të bashkive të reja, synon me rekomandimet e saj, te orientoje drejt administratat tatimore bashkiake, për përmirësimin e gjendjes në vjeljen e taksave dhe tarifave vendore, për të ulur borxhin në rritje të njësive vendore dhe për të shtuar shërbimet ndaj qytetarëve, të sigurte se prania evazionit të duhur dhe e një strategjie për menaxhimin e kësaj detyre themelore në secilën bashki, do të ishte qasja e duhur dhe afatgjatë në shfrytëzimin me efektivitet dhe efiçiencë të burimeve vendore.