Sigal

Alfred ZYLFI

 Auditues Kontrolli i Lartë i shtetit

KLSH një hap më tej, auditimi i performancës bashkëpunon me SAI-et e Ballkanit Perëndim

Një grup audituesish të SAI-ve Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me specialistë nga Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA) dhe Zyra Kombëtare të Auditimit Suedez realizuan  me sukses auditimin e performancës mbi prokurimin publik. Puna audituese u krye nga gjashtë institucione të larta të auditimit (SAI) – Shqipëria (përfaqësuar nga Rinald Muça/Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës, Alfred Zylfi dhe Elfrida Agolli auditues), Bosnja dhe Hercegovina, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova *, Mali i Zi dhe Serbia. Ky ishte projekti më i madh i këtij lloji i kryer ndonjëherë në rajon, i cili ka kontribuar në përmirësimin e mënyrës së auditimit të procedurave të prokurimit publik. Në përfundim të punës 18 mujore audituese e trajnuese u paraqit raporti i cili u botua nën kujdesin e përbashkët të Grupit Punues për Aktivitetet e Auditimit (JWGAA), si një përmbledhje e auditimeve, ku auditorët e BE-së kanë paraqitur vëzhgimet dhe konkluzionet kryesore të raporteve kombëtare të auditimit mbi prokurimin publik të secilit prej gjashtë SAI-ve pjesëmarrëse. Ky bashkëpunim ka përmirësuar kapacitetet e auditimit të performancës së gjashtë SAI pjesëmarrëse si dhe ka evidentuar se  ekzistojnë mangësi  të rëndësishme në sistemet e  prokurimit publik në të gjashtë vendet. Auditimi ynë u përqendrua në procedurën e prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” në rëndësinë e hartimit politikave për përmirësimin e procedurave të prokurimit publik, duke bërë vlerësimin e reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe promovuar eksperienca efikase, me qëllim të sigurojë që fondet publike po përdoren në mënyrë transparente, efikase dhe autoritetet kontraktore po japin llogari publikut për veprimet e tyre.

Çfarë kemi gjetur? Për procedurën e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” vlerësojmë se:  nuk është monitoruar sa duhet; është një nga llojet e procedurave të prokurimit më pak transparente sepse nuk kryhet nëpërmjet sistemit elektronik si dhe nuk kërkon njoftim publik; procedura e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” përbën rreth 30% të numrit praktikave të prokurimit gjithsej realizuar sipas viteve 2010 -2016; procedura e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimi të kontratës” përbën rreth 35-60% të numrit procedurave të prokurimit të zhvilluara nëpërmjet sistemit elektronik (on line); mungojnë të dhënat për monitorimet e kryera nga APP në vite ato janë paraqitur vetëm për periudhën 2014-2016 për të cilën dhe  janë analizuar disa fenomene; APP ka monitoruar një numër shumë i vogël procedurash prokurimi publik  “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”  ose nga 7013 procedura janë monitoruar 105 për periudhën 2014-2016 nga 7013 në total;  procedurat e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” janë  “stimuluar” duke krijuar situata “emergjente” sepse aktet ligjore për zbatimin e buxhetit nuk lejojnë fillimin e një procedure prokurimi në rast se nuk ka kaluar buxheti përkatës ose legjislacioni nuk është plotësisht i harmonizuar me legjislacionin e menaxhim financiar; për shkak të tejkalimit të afateve në shqyrtimin e ankesave dhe të procedurave burokratike; organizimit procedurave të prokurimit publik nga një dorë e vetme për disa mallra e shërbime; legjislacioni shqiptar në fushën e prokurimit nuk është plotësisht në linjë me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë; nuk ka një udhëzim specifik i cili të pasqyroje në mënyrë më të detajuar dhe të hollësishme hapat, afatet dhe veprimet që duhet të zbatojnë Autoritetet Kontraktore në rastin e përdorimit të procedurës prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”; në vendimet e dhëna nga gjyqësori për të njëjtën shkelje të konstatuar nga APP ka interpretimeve të ndryshme. Të gjitha këto janë sfida të vazhdueshme të gjithë procesit prokurimit që krijojnë vështirësi të përgjithshme në kryerjen e shërbimeve të nevojshme për publikun.

Gjithashtu ky  projekt ndërkombëtar, ku KLSH u paraqit me raportin përkatës të auditimit, nga të gjitha SAI-et pjesëmarrëse u dhanë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e procedurave të prokurimit, masat që duhet të marren nga subjektet e audituara si dhe veprimet që duhen marrë për të patur një ndikim më të madh ndaj parlamentit, ligjvënësve e rritjes së vëmendjes nga media për problemet e konstatuara. Ndryshimet në këto fusha do të kishin një efekt pozitiv në procedurat e prokurimit publik dhe do të çonin në përmirësime në shumë funksione të sektorit publik.

Çfarë ne kemi rekomanduar; nga ana jonë duke synuar përmirësimin e mëtejshëm të procedurës prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”;  rekomandojmë APP-në:

për të trajtuar problemet që lidhen me krijimin e rasteve emergjente “fiktive” nga operatorët ekonomikë dhe për të kërkuar ndryshime ligjore për t’i minimizuar ato;

të harmonizojë ligjin për procedurat e prokurimit publik dhe legjislacionin e menaxhimit financiar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave;

të promovojë përdorimin e sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurën e negociuar e qëllim të rritjes së transparencës;

të zhvillojë një udhëzues specifik për përdorimin e procedurës së negociuar, e cila duhet të pasqyrojë me hollësi hapat, afatet, standardet dhe specifikimet teknike si dhe udhëzim për monitorimin e procedurave të prokurimit publik.

Ky projekt dhe aktivitetet ndërkombëtare të tij janë realizuar pothuajse në shumë mjedise dhe kulturat të ndryshme të cilat kanë të përbashkët, përpalljen me korrupsionin dhe situatave sfiduese të politikës, ku Institucionet Supreme të Auditimit shpesh luajnë një rol qendror në     parandalimin e korrupsionit dhe mashtrim. Prokurimi publik përfaqëson një pjesë mjaft të rëndësishme të jetës ekonomike e mund të jetë një mjet i rëndësishëm që të ndihmojnë qeveritë të arrijnë qëllime sociale dhe makroekonomike. Kjo është arsyeja pse nga të gjitha SAI-et e vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor u theksua me aq të madhe rëndësia e prokurimit publik që ai të jetë sa më transparent, efektiv dhe efikas në shtetet anëtare të ardhshme si pjesë e procesi i integrimit në BE.  Kjo do të thotë se fusha e prokurimit publik është shumë e rëndësishme, sidomos në vendet si i yni ku materiali i përgatitur nga ky projekt do të kontribuojë në rritjen e të kuptuarit të problemeve, nxitjen e bashkëpunimit  në rrugën drejt integrimit në BE dhe mbështetjes publikut e institucioneve në tranizcionin e tyre të  ardhshëm.