KLSH bllokon prishjen e shkollave në Durrës; dyshime se do ndërtoheshin kulla

587
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar urgjentisht ndalimin e prishjeve të disa shkollave nga Bashkia e Durrësit.

Në një qëndrim publik, KLSH bën të ditur se “Pas shqetësimit të komunitetit të prindërve dhe medias në lidhje me procesin e shembjes së objekteve arsimore në Bashkinë Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSh) ka nisur auditim tematik në institucionet Ministria e Shtetit për Rindërtim dhe Bashkia Durrës.

Auditimi ka për objekt zbatimin e procedurave ligjore në lidhje me Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, në lidhje me objektet arsimore të Bashkisë Durrës, të cilat janë përfshirë në listën e objekteve që do të rindërtohen dhe rikonstruktohen.

Ky auditim ka filluar në datën 31.08.2020 dhe përfundon në datën 01.10.2020.

Duke patur parasysh se objekti i këtij auditimi është ligjshmëria e vendimmarrjes së klasifikimit të objekteve arsimore, si objekte që do të rikonstruktohen/rindërtohen, rrjedhimisht objekt i këtij auditimi është edhe verifikimi në terren këtyre objekteve”.

Kontrolli i Lartë të Shtetit thekson se “Në kushtet kur grupit të auditimit të KLSH-së, i cili po kryen verifikimin në terren të objekteve, i është bërë me dije se, për disa nga objektet arsimore të parashikuara në Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, si objekte që do të rindërtohen, është njoftuar lirimi i ambienteve brenda 10 ditëve dhe spostimi i aktivitetit mësimor në ambiente të tjera, kemi rekomanduar pezullimin e procesit të prishjes së objekteve arsimore të Bashkisë Durrës, të cilat janë klasifikuar si objekte që do të rindërtohen/rikonstruktohen, deri në datën 01.10.2020. Ky afat i cili përkon me përfundimin e auditimit të KLSH-së.

Ndërhyrja urgjente e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndodhi pak ditë pasi e bashkia e Durrësit vendosi të prishë disa objekte shkollore për të përfituar sipërfaqe ndërtimi.

Buja më e madhe u bë në lidhje me vendimin për prishjen e gjimnazit Naim Frashri, i cili është një nga shkollat ikonë e qytetit të Durrësit.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka miratuar rrëzimin e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës pas dëmtimeve të pësuara si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, një vendim që, për shumë prindër të nxënësve të shkollës dhe banorët e shtëpive përreth ka ngritur dyshimet se fsheh një aferë “korruptive” ndërtimi.

Godina e gjimnazit funksionoi normalisht edhe 4 muaj pas lëvizje sizmike, deri në Mars 2020, kur Ministria e Arsimit vendosi mbylljen e mësimit normal për shkak të pandemisë Covid-19.

Nga muaji Dhjetor 2019 deri në Mars 2020, shkolla “Naim Frashëri” ka pritur, pa problem, qindra nxënës, si edhe stafin pedagogjik.

Një urdhër i beftë ka lajmëruar nxënësit dhe prindërit e tyre se shkolla do të shembet, pasi kështu ka vendosur Komisioni Shtetëror i Rindërtimit.

Prindërit e disa nxënësve, si edhe me qytetarë, të cilët kanë banesat e tyre pranë shkollës ngrenë dyshimin se godina do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimeve private, pallate ose qendra tregtare.

Shkolla “Naim Frashëri” gjendet në një zonë të lakmuar të qytetit të Durrësit dhe biznesi i ndërtimit ka pasur shpesh interes për të investuar aty.

Pjesa e pasme e shkollës është e rrethuar me shtëpi përdhese ose maksimumi dy-katëshe, një pjesë e të cilave janë ndërtime të hershme.

Një prej banorëve të zonës, tha për mediat se janë përballur me kërkesa nga investitorë ndërtimi për t’u dhënë truallin, në këmbim të apartamenteve në pallatet e reja.

Një pjesë e banorëve janë joshur nga këto oferta, por gjithsesi ato kanë mbetur të parealizuara deri më tani. Shkak ka qenë fakti që godina e shkollës “Naim Frashëri” pengonte zhvillimin e projekteve private.