KLSH/ Abuzimi, 400 milion vetëm në 2 artikuj. Shpërdorime tek Rezervat e Shtetit me makinat e sekuestruara, bizhuteritë, metalet e çmuara dhe tonelatat e kafes. Firmat e Irfan Dashit dhe faktet tronditëse për Vetingun, ministren Xhaçka dhe prokurorinë

981
Sigal

KLSH.Abuzime marramendëse në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit me drejtues Irfan Dashi. Fakte tronditëse që duhet të mos anashkalohen nga ministrja Xhaçka, gjyqtarja Enkela Bajo – Vlora dhe prokuroria e Tiranës

Edhe pse KLSH ka përgatitur dhe mbyllur prej disa muajsh një akt-kontrolli prej 120 faqesh ndaj skandaleve, vjedhjeve, abuzimeve dhe shpërdorimeve të bëra në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit ku drejton prej 7 vitesh Irfan Dashi, përsëri ky personazh vazhdon të jetë në krye të këtij institucioni. Gazeta “Telegraf” ka më se dy vjet që publikon skandalet e njëpasnjëshme, të cilat u faktuan nga audituesit e KLSH dhe një pjesë tjetër e pakontrolluar nga auditimi do të bëhet publike nga “Telegraf” çdo ditë, deri sa drejtësia e vonuar të vërë në vend dinjitetin e shtetit, të rikthehen milionat e qytetarëve duke çuar para përgjegjësisë drejtuesin Irfan Dashi. Madje “Telegraf” po përgatit me fakte një dosje të plotë për prokurorinë e Tiranës, duke e ndjekur vetë çështjen në prokurori, edhe pse segmente të caktuara të këtij institucioni po tentojnë të hedhin poshtë, duke tentuar mbylljen e çështjes së kreut të Rezervave të Shtetit. E njëjta përgjegjësi do të bjerë nëpërmjet organeve të vettingut dhe institucioneve të saj edhe për gjyqtaren e gjykatës së Tiranës, Enkela Bajo -Vlora, nëse dosja voluminoze me shkelje të audituar nga KLSH do të tentohet të mbyllet duke nxjerrë të pafajshëm titullarin e Rezervave të Shtetit. Irfan Dashi u emërua në këtë detyrë nga ish-ministri Tahiri, pasi ka qenë drejtues i PS për Kombinatin dhe kryetar i Minibashkisë Kombinat, pikërisht në zonën elektorale të ish-ministrit të brendshëm. Më vonë do të publikojmë edhe aktivitetin e tij ndër vite tek fondacionet, paratë e zhdukura nga fondacioni “Populli”, familjarin e një deputeti aktual që flitet se e ka “mik mbrojtës” dhe sidomos listë-pagesat me përkrahjen sociale gjatë kohës që ishte në krye të kësaj minibashkie, ku do të hetohen emrat e personave që merrnin paratë në Kombinat por figuronin, sipas pikave kufitare, jashtë shtetit. Këto dhe qindra të tjera që do zbardhim çdo ditë me fakte do jenë edhe argumentet për institucionet e Vettingut, përfaqësuesit ndërkombëtar për të cilën gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora duhet t’i ketë në vëmendjen e saj. Në të kundërt dyshimet paraprake do të kthehen në fakte negative për gjyqtaren Enkela Bajo. Ka edhe të tjera çështje të natyrës shumë më të mëdha, për të cilat janë të interesuar edhe partnerët e policisë dhe antikrimit të vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, pasi kontratat e firmosura nga Irfan Dashi me personat e përfshirë në listën e tyre për trafikun e hashashit dhe mbajtjen dhe përdorimin e dokumenteve të shtetarëve që janë nën hetim, pasi kanë marrë miliona nga tenderët e Rezervave të Shtetit.

01- Por raporti prej 120 faqesh i institucionit të Rezervave të Shtetit në krye të të cilit është z. Irfan Dashi ka shkelje të mëdha dhe me dëme të konsiderueshme material, monetare, me vlera të veçanta sikurse është ajo e materialeve të çmuara; si Flori, Platin. A e ka lexuar këtë fakt gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora të cilin e ka në raportin e KLSH për Irfan Dashin?

Një pjesë e këtyre bizhuterive janë shitur pa u cilësuar lloji i metaleve dhe me çmime qesharake sikurse janë varëse në vlerën 96 lekë, këpucë 64 lekë. A e di këtë fakt Gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora?

Janë shitur frigoriferë të mëdhenj 6648 lekë, ora dore franceze 128 lekë, pantallona grash dhe fëmijësh 49 lekë, xhaketa burrash 66 lekë, pije të ndryshme me çmime qesharake, Po këto i ka lexuar gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora?

A do hetohet një ngjarje e rëndë ku qindra shishe vere të sekuestruara në vlerë që kapnin miliona lekë janë tërhequr në Elbasan, por paratë janë paguar në Korçë, ndoshta për të mos marrë veshë çmimin qesharak të tyre nga vendi ku u tërhoqën? Edhe këtë prokuroria dhe gjykata duhet ta investigojë dhe hetojë se ndoshta ndonjë politikan nën hetim mund të fshihet pas këtij skandali?!

Shitja e makinave të luksit, të kapura gjatë operacioneve të policisë për skrap përbën një superskandal që ende nuk është hapur për arsye madhore, e motorëve të sekuestruar etj., a do të ketë gjykim të thelluar nga gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora?

Kërkesat e firmave që nuk pranonin mallin pa faturë tatimore nga rezervat etj. , a do të vlerësohen si përgjegjësi për drejtorin Irfan Dashi nga ana e gjyqtares Enkela Bajo-Vlora?

Po për super skandalin e 26,933 kg kafe kokërr gjendje në DRRMSH-Korçë, ku Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit me drejtor Irfan Dashin është “ndëshkuar” nga Gjykata e Lartë, dhe ky i fundit e ka njohur vendimin dhe ka filluar ta zbatojë shlyerjen e detyrimit gjyqësor në vlerën prej 15,000,000 lekë, para të taksapaguesve, a ka dijeni gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora? E ka edhe këtë të detajuar në raportin e audituesve të KLSH, që ne po e ripasqyrojmë më poshtë:

02- Mbi kryerjen e inventarëve nga KLSH, në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë. Ja pjesë nga auditimi 120 faqesh i KLSH-së.

1- Nga auditimi i ankandeve për shitjen e mjeteve për skrap dhe mjete qarkullimi u konstatuan disa pasaktësi, e konkretisht në ankandin me nr. reference 1 A/2014 u konstatua, se numri i mjeteve të klasifikuara për skrap në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Lundër, të mjeteve të ardhura nga Policia, institucione të tjera dhe mjete në ruajtje nga Prokuroria për vepra të ndryshme penale është llogaritur për sasinë prej 534 mjete të klasifikuara për t’u shitur në ankand në formë skrapi. Në fakt procedura e ankandit ka filluar për 488 mjete ose 36 mjete më pak. Për saktësimin e lëvizjeve të mjeteve dhe gjendjen fizike të tyre në Drejtorinë Rajonale Lundër u krye inventarizimi fizik i mjeteve në datën 22.01.2018 dhe përfundoi në datën 29.01.2018. Në përfundim të inventarit fizik, për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar grupi i auditimi të KLSH-së shfrytëzoi të dhënat e sektorit të financës, (hyrjet dhe dalje te mjeteve të të gjitha kategorive) e konkretisht:

Gjendje kontabile të datës 31.12.2013, inventarët fizikë të mjeteve në çdo fundviti, hyrjet e mjeteve të të gjitha kategorive të dëmtuara për t’u shitur si skrap, mjete në ruajtje dhe mjete pa asnjë dokument ligjor. Në përfundim të inventarit fizik të kryer nga grupi i auditimit të KLSH-së gjendja paraqitet si më poshtë:

Për vitin 2017

Gjendje fizike datë 31.12.2016 mjete të të gjitha kategorive sasia 118 mjete

Gjendje fizike Mjete për plotësim dokumente sasia……………………94

Gjendje mjete në ruajtje nga prokuroria…………………………………….24

Gjendje kontabile në datën 01.01.2017…………………………………….236

Hyrje mjete nga Policia e Shtetit sipas dokumenteve viti 2017……. 69

Sasia totale (gjendje plus hyrje)……………………………………………….305

Dalje mjete (shitje + kalim kapital pa pagesë)……………………………..28

Gjendje kontabile 31.12.2017 ( 305-28)…………………………………277

Për muajin janar 2018.

Gjendje kontabile 31.12.2017 ………………………………………………277

Dalje deri datë 29.01.2018………………………………………………………….1

Gjendje kontabile datë 29.01.2018………………………………………..276

Gjendje fizike datë 29.01.2017………………………………………………293

DIFERENCA TEPRICE ………………………………………………………17

 

Në përfundim të inventarizimit dhe të rakordimeve të kryera, teprica prej 17 (shtatëmbëdhjetë) mjete. Si përfundim mosshitja e mjeteve dhe tjetërsimi i këtyre mjeteve nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”, ka sjellë si pasojë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në shumën rreth 22,560,000 lekë. (94 x 240,000 lekë/mjet).

Po për këto fakte tronditëse të zbuluara nga KLSH që kapin shuma marramendëse nga institucioni që drejton Irfan Dashi , a ka dijeni ministria Xhaçka, prokuroria dhe gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora?

 

  1. Në territorin e DRRMSH Lundër, administrohen dhe ruhen mjete të ndryshme motorike nga institucione të tjera si, Policia, Dogana, Prokuroria etj., kjo mënyrë administrimi e bën të pamundur përcaktimin e saktë të të dhënave kontabile dhe fizike të mjeteve, duke sjellë si pasojë krijimin e kushteve të favorshme për mbulimin e paligjshëm të diferencave të mundshme dhe tjetërsimin e mjeteve. Nga auditimi konstatohet se, kontraktuesit nuk bëjnë shkatërrimin dhe demolimin e mjeteve dhe kthimin në skrap të mjeteve motorike. Për këtë qëllim nuk disponohet asnjë dokument (si, relacionin e përfundimit të zbatimit të kontratës), ku të shprehet se: “blerësi ka zbatuar detyrimet e përcaktuara në nenin 8 të kontratës, realizimin e procesit të tjetërsimit në skrap shkatërrimin/demolimin e mjeteve të punës, makinerive dhe pajisjeve të kategorizuara për skrap, në impiant metalprerës/ metal-copëtues SHREDDER; përpunimin e skrapit të përftuar (hekurishteve, metaleve me ngjyrë dhe pa ngjyrë etj…) si dhe metaleve joskrap (plastik, gomë, qelq etj), si garanci për mostregtimin e pjesëve të ndërrimit në tregun informal (tregu i zi), si dhe zbatimin e kërkesave të kontratës lidhur me ruajtjen e ambientit”. Mosndjekja e këtij kushti detyrues të përcaktuar në kontratë nga grupet për zbatimin e kontratave të ankandeve të shitjes për skrap (apo moszbatimi i këtij detyrimi nga kontraktuesi), lë shteg për nxjerrje të pjesëve të këmbimit në tregun informal (treg i zi).
  2. Në Drejtorinë Rajonale Lundër, konstatohet se, të gjitha mjetet e konfiskuara që kanë hyrë janë të pajisura me targën e Republikës së Shqipërisë apo targa të shteteve të huaja. Nga auditimi konstatohet se, mjetet që janë shitur në formë skrapi janë bërë dalje së bashku me targat e tyre, pa marrë asnjë konfirmim, nëse janë çregjistruar nga DPSHTR. Ky veprim është në kundërshtim me ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 “Për Kodin Rrugor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, VKM nr.153, datë 7.04.2000 “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar dhe Udhëzimin nr.1, datë 18.1.2012 “Për dokumentet e qarkullimit dhe të regjistrimit të mjeteve rrugore me motor”, lidhur me dokumentacionin që duhet të dorëzohet nga zotëruesi i mjetit, kur këto të fundit kalojnë për skrap apo eksportim jashtë shtetit, ku cilësohet: “Ana e interesuar, zotëruese e një automjeti, motomjeti, rimorkio, ose që mban titullin e zotëruesit, duhet që brenda 10 ditëve të njoftojë degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, duke kthyer certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit dhe targat. Administratorët e qendrave të mbledhjes dhe shitjes së motomjeteve, automjeteve dhe rimorkiove për t’i çmontuar dhe kthyer në skrap, nuk mund t’i tjetërsojnë, çmontojnë ose shkatërrojnë këto mjete pa përmbushur detyrimet e përcaktuara në pikën 1, për rastet kur zotëruesi ose ai që ka titullin e zotëruesit, nuk i ka përmbushur më parë këto detyrime. Të njëjtat detyrime të përcaktuara në pikën 3 kanë edhe përgjegjësit e qendrave të mbledhjes, ose të vendeve të tjera ku ruhen mjetet e hequra nga qarkullimi sipas nenit 157, në rastin e skrapimit të mjetit të parashikuar nga neni 211, pika 4.

Po kështu, në nenin 21 të Udhëzimit nr.1, datë 18.1.2012 “Për dokumentet e qarkullimit dhe të regjistrimit të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre”, përcaktohet dokumentacioni që duhet dorëzuar për heqjen e përhershme të mjeteve nga qarkullimi, e konkretisht:

  1. aplikimi pranë drejtorisë rajonale për shërbimin e kërkuar, i cili përmban dhe deklaratën e marrjes së përgjegjësive administrative, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja;
  2. lejen e qarkullimit të mjetit;
  3. certifikatën e pronësisë së mjetit;
  4. targat e mjetit;

Zyra e regjistrimit:

  1. bën shënimet në regjistrin elektronik, kartelën përkatëse dhe në programin informatik të mjeteve;
  2. me dokumentet e dorëzuara, krijohet një fashikull, i cili sistemohet në dosjen e mjetit;
  3. magazinon targat e mjetit;
  4. lëshon vërtetimin zyrtar të heqjes së përhershme të mjetit nga qarkullimi, sipas modelit DRM-së.

Mos dorëzimi i dokumentacionit për çregjistrim krijon kushte të favorshme për tjetërsimin e mjeteve nga mjete për skrap në mjete për qarkullim, veprim i cili përbën shkelje të rendë të “Kodit rrugor” dhe krijim mundësish për përfitime të paligjshme nga subjektet e shpallura fituese në ankandet e shitjes së mjeteve për skrap.

  1. Në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Lundër, krahas mjeteve të klasifikuar për shitje në “formën e mjeteve për qarkullim” apo në formë skrapi, mbahen në ruajtje edhe rreth 850 mjete të tjera të ardhura nga Policia apo Prokuroria e Krimeve të Rënda në cilësinë e provës materiale. Depozitimi në të njëjtin territor të mjeteve të konfiskuara që kalojnë në pronësi të Drejtorisë Rajonale Lundër, ashtu edhe i mjeteve të tjera që vijnë nga Policia apo Prokuroria, vështirëson jo vetëm kryerjen e inventarëve fizikë, por përbën edhe një risk të lartë për abuzim, keqadministrim dhe tjetërsim të mjeteve nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”.

Kështu nga verifikimi me zgjedhje i hyrjeve dhe daljeve të mjeteve u konstatua se, me fletë daljen nr. 2, datë 03.11.2016 ka dale mjeti tip Volkswagen me targa AA 156 JN, për procedimin penal me nr. 249, datë 03.11.2015 ndaj shtetasit P.B., ndërsa pas përfundimit të procesit Prokuroria ia kthen mjetin shtetases Irena Doka dhe jo personit që i është bllokuar mjeti, pa asnjë të dhënë për lidhjen midis poseduesit ligjor dhe marrësit në dorëzim. Kjo mënyrë veprimi, krijon kushte të favorshme për tjetërsimin e mjeteve dhe ndryshimin e pronësisë pa dokumentacion ligjor.

03

Auditimi numër 2 nga KLSH.

Ish-drejtori i rezervave të shtetit Irfan Dashi në dorën e ministres Xhaçka. Ja dhe disa fakte dhe prova nga auditimi i KLSH për ministren e Mbrojtjes, prokurorinë dhe gjyqtaren Enkela Bajo-Vlora.

Ja çfarë thotë në disa raste raporti i KLSH-së;

1 – “Të verifikohet urgjentisht gjendja faktike e Platinit si metali i çmuar dhe të përgatitet dokumentacioni për transferimin e 253.28 gr Platin në vlerën prej 524,290 lekë në Bankën e Shtetit Shqiptar.( Ky rekomandim konsiderohet i parealizuar)

2- Me anë të shkresës me Nr. 4025/4 Prot. datë 23.10.2014, është pasqyruar huaja e pa shlyer e Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, për 4,500 litra vaj ushqimor. Bashkëlidhur gjenden fletë daljet nga DPB dhe fletë hyrjet në magazinën e DPRMSH, shuma e të cilave është vlera reale e vajit ushqimor që kishte ngelur pa u kthyer. (Ky rekomandim konsiderohet i parealizuar).

3- Nga auditimi i dosjeve personale me përzgjedhje, konstatohet se, një pjesë e punonjësve kanë librezë pune të plotësuar dhe të pa përditësuar me vitet e fundit të punës, si dhe në disa raste libreza nuk ka të evidentuar fillimin e punës për herë të parë.

Pra shkelje të tilla për ato që janë kontrolluar , pasi ka të tjera më të rëndësishme ku antikrimi ndërkombëtar është I interesuar pasi për disa dosje ka filluar hetimet edhe vendet e BE-së, dhe një pjesë e kontratave kanë vulën dhe firmën e Rezervave të Shtetit dhe të kreut të saj z. Irfan Dashi.

 

Skandali 150-milionësh me kafen e sekuestruar.

4- Por le të ndjekim edhe një rast skandaloz me dëm ekonomik ndaj shtetit në vlerën e 150 milionë lekëve, dhe që ka të bëjë me rreth 27 ton kafe të bllokuar nga doganat dhe policia por me abuzime skandaloze nga ruajtësit e saj, Rezervat e Shtetit. Ja raporti i KLSH: “Nga auditimi pranë DPRMSH, rezultoi se në Drejtorinë Rajonale të Rezervave dhe Materialeve të Shtetit-Korçë, që prej vitit 2009, mbahet gjendje e pa shitur sasia prej 26,993 kg kafe kokërr Arabike e pa pjekur. Kjo sasi kafe është nxjerrë në ankand nga Zyra e Përmbarimit Korçë, e cila është blerë përsëri nga operatori që ishte konfiskuar. Më pas, shoqëria fituese e ankandit “A.” shpk, e kthen mallin dhe padit DRRMSH-Korçë, me pretendimin së malli nuk ishte për konsum për shkak të skadencës.

Në vijim, DPRMSH së bashku me DRRMSH-Korçë, kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatave shqiptare, të cilat ishin në favor të subjektit “A. shpk”, duke i dhënë të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit në masën prej 15, 000, 000 lekë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me anë të vendimit nr. 00-2016-2475, datë 20.09.2016, vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga DRRMSH-Korçë, duke lënë në fuqi të dy vendimeve të mëparshme. Sa më sipër, në gjendjen aktuale ligjore, vendimi i mësipërm i Gjykatës së Lartë, është i detyrueshëm për t’u ekzekutuar. Për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit DRRMSH- Korçë, ka kryer dy pagesa pjesore në shumën prej 2,400,000 lekë, me urdhër shpenzimet nr.1, datë 11.04.2017; nr. 22 datë 12.04.2017 dhe nr. 88 datë 17.11.2017.. Këto pagesa tregojnë se DPRMSH, e ka njohur dhe pranuar vendimin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, në lidhje me administrimin e artikullit, kafe kokërr Arabike e pa pjekur në sasinë prej 26,993 kg. Gjatë vitit 2017, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm i DPRMSH, janë kryer disa analiza të provës të mostrave të kafesë, të cilat kanë rezultuar, se ky artikull është për konsum publik. Në lidhje për minimizimin e detyrimit financiar në zbatim të vendimit të gjykatës së formës së prerë, duhet të kishte filluar procedura e ankandit për artikullin “kafe kokërr e papjekur”, në zbatim të pikës 16, të nenit 2 të ligjit nr.9900, datë 10.04.2008 “Për Rezervat Materiale të Shtetit”, ku përcaktohet: “Mallrat e konfiskuara” janë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, karburantet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale dhe të gjitha sendet, që kalojnë në pronësi të shtetit, me vendim të formës së prerë të organit kompetent, si rrjedhojë e kundërvajtjeve administrative, veprave penale apo si pasojë e parandalimit dhe goditjes së krimit të organizuar. Këto mallra administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave materiale të Shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Gjithashtu, në mbështetje të pikës 3, të VKM nr.1128, datë 05.08.2008 “Për krijimin dhe administrimin e mallrave rezervë materiale shtetërore”, mallrat rezervë materiale shtetërore që nuk financohen nga Buxheti i Shtetit, në çdo kohë transferohen pa pagesë dhe shiten, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, subjekteve, shtetërore ose private. Kështu, nisur sa më sipër, Ministria e Brendshme, me shkresën nr.7111/1 prot, datë 03.10.2017, ka reaguar se, është kompetencë dhe detyrim ligjor i DPRMSH, për realizimin e procedurës të shitjes së sasisë së kafesë me ankand, gjë që e cila deri në momentin e hartimit të këtij materiali auditimi, nuk është kryer.

Nëpërmjet veprimeve të mësipërme konstatohet se, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë DPRMSH ka vepruar me dy standarde :

Së pari e ka njohur vendimin dhe ka filluar ta zbatojë shlyerjen e detyrimit gjyqësor në vlerën prej 15,000,000 lekë,

Së dyti ndonëse jemi në kushtet e mallit të konfiskuar nuk është marrë asnjë masë për shitjen e sasisë prej 26,933 kg kafe kokërr gjendje në DRRMSH-Korçë.

Për sasinë prej 26,993 kg kafe kokërr Arabike e pa pjekur, gjendje në Drejtorinë Rajonale -Korçë, nga Drejtori i Përgjithshëm i DPRMSH, janë kryer disa analiza të provës së mostrave të kafesë, pranë institucioneve shtetërore të ligjëruara, si AKU-së Korçë, ISUV-së Tiranë, DRAKU-së Tiranë dhe DSHP Tiranë. Nga të gjitha këto laboratorë pas përfundimit të analizave, sipas raporteve të analizës të provës së kafesë, është pohuar se treguesit organo – lepitke, fiziko – kimikë dhe bakteriologjikë sipas protokollit të tyre institucional janë te lejueshme për konsum publik. (Për kryerjen e këtyre analizave, janë kryer shpenzime nga buxheti i DPRMSH, në shumën prej 16,000 lekë me objekt analiza të mostrës së kafesë). Në këto kushte nëpërmjet shitjes në ankand të sasisë prej 26,933 kg buxheti i shtetit do të kishte realizuar të ardhura në shumën prej rreth 1,400 mijë lekë, e cila do zbuste sadopak dëmin e shkaktuar për buxhetin e shtetit nga ekzekutimi i vendimit të gjykatës. (llogaritjet janë kryer sipas çmimit të bursës së marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, pa vlerën e TVSH dhe akcizën e këtij malli), më hollësisht është trajtuar në faqen nr.97-100, të Raportit Përfundimtar të Auditimit.” ( Pjesë në ligjëratë të drejtë nga raport-auditi i KLSH.)

Po a mund ta përjashtosh nga përgjegjësia këtë rast z. Dashi? Nuk dihet, nëse ishte e njëjta kafe që doli nga rezervat, apo ka qenë ndonjë lojë, ku kafja fillimisht iu dha firmës, kjo e fundit e mori dhe më vonë e solli përsëri në magazinat e rezervave të shtetit, dhe rezervat e shtetit e pranuan. Pas kësaj fillon “loja” ku firma bën gjyq fiton të drejtën dhe fillon merr lekët nga drejtoria e Irfan Dashit në muajt prill dhe nëntor 2017. Ky i fundit deklaron se, ne i bëmë analizat dhe kafja është e rregullt dhe jo e mykur. Atëherë lind pyetja se, përse nuk u bënë analizat që në fillim para se të pranohej? Përse e pranuat, kur kafja u shit njëherë me ankand? Mirë lekët po i likuidon se ka urdhëruar Gjykata e Lartë, po shitjen e mallit përse nuk e bën gjatë kësaj kohe, aq më tepër që sipas pretendimeve, kafja qenka e rregullt dhe ka edhe një urdhër shitje nga ministri i Brendshëm? Pse edhe gjatë kohës që KLSH vazhdon kontrollin dhe përpilon raportin në 2018 ende kafja nuk është shitur?