KLD vendos unanimisht shkarkimin e gjyqtarit Guximtar Boçit

525
Sigal

Pas
publikimit të audio-përgjimit të mbrëmshëm, ku kryetari i Gjykatës së
Gjirokastrës, Guximtar Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në
këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në
gjykatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos të shkarkojë këtë të fundit.

Mësohet e KLD-ja u mblodh sot pas
kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, për të votuar në unanimitet
shkarkimin e Guximtar Boçit.

DEKLARATA E MANJANIT

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi sot se Boçi ka dëmtuar rëndë
autoritetin dhe figurën e gjyqtarit, duke paralajmëruar kështu shkarkimin. “KLD
do të veprojë për rastin e gjyqtarit Guximtar Boçi. Gjyqtari nuk mund të jetë
më në trupën gjyqësore, do të kërkoj pezullim të kreut të Gjykatës, pasi ka
cenuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit. Do ketë mbledhje të KLD deri
në krijimin e KLGJ-së”, tha ministri Manjani.

REAGIMI I PARE I KRYEGJYQTARIT

Publikimi i skandalit seksual në emisionin “Stop” u bë në një ditë dhe orar kur
po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të kryegjyqtarit të
Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri
rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës. Gjyqtari Boçi paraprakisht ka
mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë
emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai
deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.