Klaudia Krasnika:“LRI është ‘motori’ i LSI-së”

774
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim në Qarkun e Elbasanit, Klaudia Krasnika

Kryetarja e LRI për Qarkun e Elbasanit, Klaudia Krasnika në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf” ka komentuar fitoren e 23 Qershorit, duke cilësuar se, një rezultat i tillë erdhi si pasojë edhe e punës së madhe të bërë nga anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim, sepse sipas Krasnikës LRI është ‘motori’ i LSI-së.

-Fitorja e LSI në Qarkun e Elbasanit ishte një surprizë për të gjithë. Ju si do ta komentonit?

Fitorja e LSI-së në Qarkun e Elbasanit ka qenë një surprizë për forcat e tjera politike, por jo për ne si pjesë e LSI-së, pasi puna që ne kemi bërë gjatë këtyre katër viteve në qeverisje ka qenë një punë e suksesshme dhe mbështetja e qytetareve në këto zgjedhje është dëshmia më e mirë e punës sonë si LSI. Qytetarët elbasanas na besuan votën e tyre pasi ne i kemi dhënë besim e mbështetje në çdo kohë. Kanë gjetur dyer të hapura kudo, ku LSI ka patur drejtuesit e saj.

-Ju jeni kryetare e LRI-së për Qarkun e Elbasanit, mendoni se kontributi  i të rinjve ka qenë dhe elementi kryesor i fitores për LSI?

Lëvizja Rinore për Integrim është “motori” i LSI-së. LSI ka mbështetur të rinjtë që në themelimin e saj si parti, beson tek rinia dhe investon tek ajo. Programi politik që ne premtuam në këtë fushatë ishte i përqendruar tek punësimi dhe sidomos punësimi i të rinjve, tek arsimimi e mirëqenia. Kjo do të thotë që këtë program e kanë votuar më së shumti të rinjtë, të cilët nuk gjejnë hapësira dhe mbështetje në asnjë forcë tjetër politike. Rinia shqiptare ka votuar LSI-në, sepse vetëm në forumet e LSI rinia zë 30% të tyre. Listat e kandidateve ishin treguesi më i mirë pasi në çdo qark rinia kishte përfaqësuesin e tyre, ashtu siç isha edhe unë për Qarkun e Elbasanit. E them me bindje të plotë që vëmendja që i jepet rinisë dhe gruas në LSI bëri që ne të kishim këtë fitore të thellë në të gjithë Shqipërinë.

Përse shqiptarët vendosën që më 23 Qershor të votojnë LSI, duke i dhënë asaj 17 mandate Parlamentare. Sipas jush, cila ka qenë arsyeja kryesore?

Ne së bashku punuam për të arritur aty ku duhet të jetë në fakt LSI-ja, pasi fitorja e saj nuk ka ardhur rastësisht, por ka ardhur pas një pune sistematike në vite që nga krijimi i saj. Kanë qenë krijimi i strukturave kudo që ka komunitet në fshat e qytet, ka qenë implementimi i programit politik, asimilimi i tij nga anëtarët e simpatizantët e kësaj force politike, shtimi i radhëve për të ardhur në numrin e votuesve të sotëm etj..

-A ju motivon fitorja e thellë e LSI-së për të punuar më shumë në të ardhmen?

Kjo fitore është fitorja e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e LSI. Është zgjedhja më inteligjente që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë. Ky besim që shqiptarët treguan ndaj nesh na motivon që ne të punojmë edhe më shumë, të jemi pranë çdo shqetësimi që kemi hasur në çdo derë të qytetarëve në kohën, kur ne shkonim e prezantonim programin tonë politik. Kjo fitore e merituar i dedikohet çdo anëtari të LSI çdo vajze, nëne e gruaje që kanë dhënë kontributin e tyre që në themelimin e LSI. Gjej rastin të falënderoj çdo të ri të Qarkut të Elbasanit që ka qenë pjesë e kësaj fushate kaq të bukur, të qetë e qytetare që LSI bëri. Ndjehem krenare që drejtoj një forum, i cili ka plot vajza e djem të cilët punojnë me përkushtim dhe kanë ambicie politike për të ecur më shpejt. Gjej rastin të falënderoj të gjithë kandidatët e Qarkut të Elbasanit dhe t’i uroj suksese dy fituesve.