Kjo ka qenë fushata e çakullit, e thasëve me miell dhe e lekëve

580
Sigal

Në zonat rurale të Beratit është bërë nami. Banorët në këmbim të votës janë shpërblyer sipas nevojave

 

Kjo fushatë elektorale në Qarkun e Beratit do të mbahet mend gjatë, sepse ka qenë ndryshe nga vitet e mëparshme. Premtimet gjatë këtij muaji kanë qenë edhe të paarritshme në mendime e jo më me vepra. Fushata elektorale ka ardhur në fundin e saj dhe kandidatë për deputet të forcave të ndryshme politike, të kapur nga paniku i humbjes për të bindur sa më shumë elektoratin, kanë bërë premtuar si kurrë ndonjëherë në Qarkun e Beratit. Ata kanë arritur deri aty sa janë shprehur se dhe lumin Osum do ta bëjnë të lundrueshëm edhe pse ky shtrihet pjesërisht në zonat malore. Nejse, kandidatë për deputet që “i kanë harxhuar të gjitha premtimet e tyre” dhe nuk kanë se ç’të thonë më, për të bindur elektoratin, i janë kthyer një tjetër fushate, asaj të çakullit të kuq, të thasëve me miell dhe të lekëve në këmbim të votës. Kandidatët u janë vërshuar zonave rurale, ku dhe kanë gjetur pikën e dobët të infrastrukturës së shkatërruar, të cilat janë bërë të pakalueshme si në stinën e dimrit nga balta dhe gropat e mbushura me ujë dhe në stinën e verës, ku gropat e boshatisura nga uji dëmtojnë makinat. Në shumë fshatra të Qarkut të Beratit si në Sheqë, Drobonik, Moravë, Poshnje e shumë fshatra të tjerë janë shtruar rrugët me çakull. Por ata nuk kanë munguar të hedhin çakull të kuq edhe nëpër lagjet e qytetit, duke shfrytëzuar mungesën e fondeve të bashkisë, e cila nuk ka patur mundësinë për t’i rehabilituar këto rrugë me asfalt. Këtë veprim, shumë qeveritarë në zgjedhjet vendore e përdorën si varant, duke iu hedhur çakull të kuq këtyre rrugëve, por kur filluan shirat çakulli u zhduk dhe nuk iu gjend më as nam e as nishan. Po të njëjtat rrugë janë dhe këto që po vishen me petkun e kuq në fushatën elektorale parlamentare. Pas një viti e gjysmë që këto rrugë u veshën me ngjyrën e çakullit të kuq, u rikthyen në gjendjen e mëparshme. Gjatë kësaj fushate e patën radhën deputetët që të shtrojnë rrugët me çakull të kuq, për të gënjyer banorët, që t’u marrin votën. Kamionët këto ditë kanë marrë rrugët nëpër fshatra që sa më shpejtë të çojnë çakullin e marrë në minierat e gurores në Urë – Vajgurore nëpër fshatra, me qëllimin që t’u thonë banorëve që ne po i shtrojmë rrugët, por na jepni votën. Ndërsa forca politike të tjera janë vërshuar nëpër lagjet më të varfra të qyteteve të qarkut, duke ju dhënë thasë me miell apo ushqime, pa ditur se me ato sasi ushqimesh këto familje një muaj shkojnë dhe prapë do të shkojnë atje ku ishin. Ndërsa një pjesë tjetër e deputetëve shkojnë nëpër familje duke ju dhënë ndonjë lëmoshë lekësh, për t’i gënjyer për votën. Kjo është fushata elektorale e çakullit të kuq, e thasëve me miell dhe e lekëve.