Kioskëzohet edhe sheshi trageteve

545
Sigal

Muri rrethues i portit mbushet me objekte pa leje

Muri rrethues i portit të Durrësit, pjesa, e cila futet gjeografikisht në vijën e verdhë të qytetit, po mbushet me shpejtësi me objekte pa leje, kioska mallrash ushqimore, kioska zyrash, madje edhe lokale dhe objekte banimi. Ky, sipas burimeve portuale, “është një skandal në ditën me diell dhe shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht  për t’ i prishur sepse ato rrezikojnë rrugën e re paralele me aksin e portit që do të shërbejë për lehtësimin e trafikut rrugor”.  Sipas burimeve portuale, “projekti i  rrugës është shumë i rëndësishëm për Durrësin, por prej disa muajsh territori i planifikuar për t’ u ndërtuar rruga, po pushtohet nga ndërtimet pa leje, të cilat janë shtuar, duke e bërë krejtësisht të pamundur për t’u vënë në zbatim projektin”. Rruga është pagëzuar nga Këshilli Bashkiak me emrin “Mars ‘91”, gjurma e së cilës kalon ngjitur me murin rrethues të portit. Aktualisht nga territori ku është projektuar të ndërtohet rruga e re, pothuajse nuk ka mbetur më asnjë sipërfaqe e lirë,  pasi janë ndërtuar objekte pa leje si dhe kanë rrethuar me tela me gjemba gjithçka, deri  tek rrethimi i portit, sipërfaqet e planifikuara për tu hedhur baza e rrugës me 4 korsi. Qysh në vitin 2011, kur Bashkia e Durrësit deklaroi nisjen e punimeve për lotin e parë të rrugës,  ishte Këshilli Bashkiak që bllokoi me të drejtë nisjen e punimeve pasi nuk ishte bërë i njohur projekti më parë. Ndërkohë edhe Autoriteti Portual Durrës (APD)  kishte objeksionet e veta, por nuk ishte kundër rrugës së re. Hekurudha dhe APD fajësuan Bashkinë e cila sipas tyre, “ka lejuar ndoshta qëllimisht zaptimin e sipërfaqeve nga personat e papërgjegjshëm të cilën e kanë mbushur atë me kioska e lokale”. E gjithë sipërfaqja është zaptuar dhe është rrethuar ndërsa nuk mungojnë edhe ndërtimet 2-3 katëshe,  të cilët, duke parë amullinë që shkaktuan debatet midis Bashkisë – Hekurudhës dhe Portit, duket se duan të përfitojnë. Projekti (tenderi i të cilës ka vajtur tashmë në Prokurori) parashikon një rrugë 17 metra të gjerë, e cila nis nga ish- stacioni i vjetër i hekurudhës, vijon paralele me shinat e trenit, vazhdon pranë terminalit të trageteve dhe përfundon tek Ura e Dajlanit. Dy vjet më parë bashkiakët deklaronin se, “moszbatimi i projektit të rrugës është për faj të bllokimit që sollën të djathtët. Projekti rrugës ka mbi 2 vjet që qëndron në sirtarët e Bashkisë por Hekurudha dhe Porti nuk bashkëpunuan, për të vijuar procedurat dhe nisur punimet. Madje projektin e hodhi poshtë disa herë edhe KRRT.  Një burim portual tha se, “ky projekt shumë i rëndësishëm është i pamundur të zbatohet, në kushtet aktuale, pasi Bashkia  nuk ka pasur një projekt të mirëfilltë, dhe në gjithë hapësirën e rrugës e ka dhënë në tre vitet e fundit për leje ndërtimi. Para terminalit të trageteve, janë ndërtuar dhjetëra objekte pikërisht mbi sipërfaqen, ku ishte parashikuar rruga. Mbushja e portit me kioska dhe dyqane qoftesh, po prish imazhin e portës kryesore nga ku hyjnë e dalin çdo ditë të vitit qindra e mijëra pasagjerë dhe automjete.