Kimioterapia në spitale, KLSH ngre alarmin: Mungon në Lezhë. Medikamente drejt përfundimit

47
Sigal

Shërbimi i kimioterapisë në spitalet rajonale, nuk ka funksionuar si duhet dhe shkak për këtë është bërë mungesa e mjekëve, medikamenteve pajisjeve apo shtretërve. Ky konstatim vjen nga audituesit e kontrollit të lartë të shtetit, të cilët bëjnë me dije se nga 8 njësi të ngritura në spitalet rajonale, në Lezhë, kimioterapia nuk funksionon fare.

Sa i takon njësive të tjera në spitalet Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat nuk kanë kapacitete spitalore të plota me burime njerëzore mjekë onkologë, me pajisje dhe materiale mjekësore, me shtretër të dedikuar, duke mos përballuar skemat e trajtimit të kimioterapisë. Edhe më alarmant është fakti se këto njësi shume shpejt do të përballen me mungesë të medikamenteve jetikë për këtë shërbim.

Në bazë të dokumentacionit të Spitaleve Rajonale Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan si dhe nga verifikimet në terren të grupit të auditimit, u konstatua se, për disa prej medikamenteve anti tumoralë janë drejt mbarimit më herët, në krahasim me afatin e lëvrimit të parashikuar sipas Marrëveshje Kuadër për vitet 2022-2024, duke shtuar mundësinë e riskut në  rritje për mungesa të medikamenteve anti tumoralë në trajtimin në kohë të pacientëve që vuajnë me kancer.

Mjekët kanë referuar se skemat e mjekimit në disa raste japin efekte anësore gjatë trajtimit ndërkohë që  disa prej skemave sipas protokolleve mjekësore duan pajisje mjekësore të veçanta të cilat mungojnë pranë institucioneve spitalore. Në Spitalet Rajonale Shkodër, Elbasan dhe Berat, stafi shëndetësor nuk përgatit një plan kujdesi për ndjekjen e gjendjes shëndetësore të pacientit të kujdesit paliativ. Sistemi shëndetësor shqiptar nuk ka as të dhëna të sakta në lidhje me të sëmurët tumoral, pasi mungojnë sistemet e informatizuara  ndërsa ka mos rakordim të dhënash mes spitaleve rajonale, spitalit onkologjik, Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.