Këshilli Shqiptar i Medias: SPAK të rivlerësojë vendimin për sekuestron ndaj RTV Ora dhe Ora News

358
Sigal

Pas vendimit të SPAK për sekuestron ndaj pasurive të Presidentit të Yldon Media Group, Ylli Ndroqi ka reaguar dhe Këshilli Shqiptar i Medias.

Praninë e FNSh-së dhe të RENEA-së në ambjentet e RTV Ora ditën e djeshme, KShM e ka konsideruar defacto si një sulm ndaj fjalës së lirë.

Në reagimin e saj, KShM i ka kërkuar SPAK rivlerësimin për masën e sekuestros ndaj RTV Ora dhe Ora News.

Gjithashtu ajo i kërkon qeverisë shqiptare të tërheqë FNSh dhe RENEA nga ambjentet e telivizionit pasi ajo krijon një ndjenjë terrori ndaj mediave të tjera.

Postimi i plotë:

KSHM shpreh shqetësimin e vet në lidhje me ngjarjet e fundit të zhvilluara rreth dhe në TV ORA dhe Ora News. Sulmi me FNSH dhe RENEA në mjediset e një televizioni kritik me qeverinë është de facto sulm ndaj fjalës së lirë.

KSHM mbështet shtetin ligjor dhe institucionet e drejtësisë, por, vëren se vendimi për sekuestro i këtyre dy Televizioneve është i nxituar, përderisa ka dhënë shkak për vënien nën “sekustro” edhe të vijës editoriale. Ky vendim krijon hapësira që 2 televizionet kritike me qeverinë të vihen nën administrimin e Qeverisë.

Nga ana tjetër, “interpretimi” që i ka bërë Qeveria Shqiptare kërkesës për sekuestro duke dërguar forcat speciale të policisë RENEA është në të vërtetë ai i intimidimit jo vetëm të 2 mediave të përfshira por dhe të krijimit të një efekti terrorizues ndaj mediave të tjera kritike me të.

KSHM i kërkon Qeverisë shqiptare tërheqjen e forcave policore dhe atyre speciale nga ambientet e dy televizioneve.

KSHM i kërkon SPAK-ut të rivlerësojë kërkesën për sekuestro të dy televizioneve në favor të lirisë së informacionit. Shqipëria ka shumë nevojë për drejtësi, dhe ajo bëhet më e pamundur nëse krijohen hapësira ligjore për intimidimin e punës së gazetarëve.