Kërkoi azil në Shqipëri, por nuk iu dha, deportohet në Turqi gazetari turk

120
Sigal

Deportohet drejt Turqisë gazetari Ahmet Emre Olur. Gazetari turk kërkoi azil në Shqipëri, por nuk iu dha.

Lajmi për deportimin konfirmohet nga avokatja e gazetarit turk.

Ahmet Emre Olur u deportua nga autoritetet shqiptare me pretendimin se i ka kaluar afatin 2-vjeçar për të qëndruar në vendin tonë. Gazetari kërkoi azil politik pasi sipas tij, dëbimi nga Shqipëria mund të rrezikojë seriozisht jetën dhe njëkohësisht mund të diskriminohet për shkak të bindjeve politike në shtetin e origjinës.

Gazetari është shpallur në kërkim nga shteti turk pasi ka bërë disa kronika kundër qeverisë, ndërsa sipas avokatit të tij thuhet se i ka dërguar disa kërkesa shtetin tonë për azil, por nuk janë marrë parasysh, me arsyetimin se zyra e emigracionit është mbyllur.

Në një letër drejtuar edhe Ministrisë së Brendshme, avokatët e tij shprehen se familjarët e Ahmet Emre Olur shprehnin shqetësimin se i afërmi i tyre ishte shoqëruar në komisariatin e policisë Rinas, ku më pas kemi marrë dhe takim me drejtuesit e këtij komisariati dhe na kanë vënë në dijeni të faktit se ky shtetas kishte kaluar afatin 2 vjeçar në shtetin Shqiptar dhe për këtë fakt do të merrej vendim dëbimi.

“Nga kontaktet që kemi pasur me familjarët na kanë thënë se nuk është i vërtet fakti se ky shtetas ka qëndruar në Shqipëri jashtë afateve ligjore. Sipas kontakteve që kemi pasur na është thënë se shtetasit Ahmet Emre Olur me numër pasaporte U14867557 me origjinë shtetas Turk i rrezikohet jeta nëse do të dëbohej nga vendi ynë drejt vendit të origjinës dhe ky fakt do të ndodh në bazë të bindjeve politike të tij. Dhe njëkohësisht ka shfaqur vullnetin që të kërkoj azil politik në shtetin Shqiptar.

Bazuar në ligjin me Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 2 të tij përcaktohet qartë se ky ligj zbatohet për të gjithë shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të cilët kanë deklaruar qëllimin për të paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare në territorin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa atyre u lejohet të qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë si kërkues për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe për anëtarët e familjes së tyre.

Njëkohësisht bazuar në Neni 5 të ligjit me Nr. 10/2021 “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë” , e drejta për azil Republika e Shqipërisë garanton të drejtën për azil të shtetasit të huaj ose personit pa shtetësi, i cili ndodhet jashtë vendit të shtetësisë së vet ose jashtë vendbanimit të zakonshëm të mëparshëm dhe nuk ka mundësi ose dëshirë të kërkojë mbrojtjen e atij vendi për shkak të frikës së bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, të besimit fetar, të kombësisë, të anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose të bindjes politike.

Për sa më sipër kërkojmë nga ana Ministrisë së Brendshme, Komisariatit të policisë Rinas, Drejtorisë së Policisë Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të zbatohet në mënyrë objektive ligjin me Nr. 10/2021 ‘Për Azilin në Republikën e Shqipërisë’”, thuhet në shkresën e zyrtare.