Kërkohej për drogë dhe grup të strukturuar kriminal vlonjati gjendet mes 26 shqiptarëve të depërtuar nga Spanja

389
Sigal

Policia e Shtetit ka deportuar sot nga Spanja 26 shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen.

Në një njoftim për mediat Policia bën me dije se mes personave të deportuar është një 50 vjeçar nga Vlora, i cili ishte shpallur në kërkim.

Më tej shtohet se 50-vjeçari, K.J. kishte dhe identitet të rremë në shtetin spanjoll duke u prezantuar si V.B. “Ky shtetas i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’”, shtohet në njoftimin e Policisë.

NJOFTIM I PLOTË

Deportohen nga Spanja 26 shtetas shqiptar që kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen apo që kishin kërkuar azil. Policia Kufitare e Rinasit, gjatë intervistimit të të deportuarve ka dyshuar për njërin prej tyre për gjeneralitete të rreme.

Pas një pune intensive intervistimi dhe verifikimi të detajuar, në bashkëpunim edhe me Interpol Tiranën, Policia Kufitare e Rinasit vuri në pranga personin e dyshuar që i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme.

Vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 50-vjeçari nga Vlora. Në Rinas, nëpërmjet një fluturimi me charter u deportuan dhe u riatdhesuan nga Spanja 26 shtetas shqiptar, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe disa prej tyre kishin kërkuar dhe azil.

Gjatë përpunimit dhe intervistimit të tyre rezultoi se një nga personat kishte dhënë identitet të rremë në shtetin spanjoll, me emrin V. B.

Gjatë procesit të përpunimit të këtij shtetasi, verifikimit të detajuar dhe një pune intensive u bë e mundur që të zbulohej identiteti i vërtetë i tij, i cili nuk ishte shtetasi V. B., por ishte në të vërtetë ishte shtetasi K. J., 50 vjeç, lindur dhe banues në Mifol, Vlorë.

Ky shtetas i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në përfundim të procedurave të verifikimit, Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën bëri arrestimin e 50-vjeçarit, me qëllim ekstradimi dhe Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimi e tij drejt Italisë.