Kërkohej në Itali për grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, arrestohet në Rinas 41-vjeçari

248
Sigal

Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për grabitje me armë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale është arrestuar në Tiranë.

I arrestuari eshte Baftjar Qosja alias Baftjar Skarra.

I arrestuari në rolin e drejtuesit të organizatës kriminale siguronte automjetet dhe armët, me qëllim kryerjen e krimeve. Ky shtetas është akuzuar dhe për mbajtje të armëve në publik.

Për 41-vjeçarin autoritetet italiane kishin lëshuar një urdhër arrest.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si rezultat i forcimit të kontrolleve në hyrje-dalje, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana me zyrën homologe në Interpol Roma/Itali, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DRKM Tiranë, bënë të mundur arrestimin e shtetasit shqiptar B. Q. alias B. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Organizatë kriminale” dhe “Grabitje me armë”, parashikuar nga Kodi Penal italian.