Kërkohej në Itali për drogë dhe organizatë kriminale, arrestohet 39-vjeçari vlonjat

251
Sigal

Policia e Vlorës ka arrestuar një 39-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale.

Në pranga ka rënë vlonjati P. N., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Njoftimi i policisë:

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar P. N., 39 vjeç, banues në Dukat, Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Lecce-s, Itali, i ka caktuar urdhër-arresti për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 20 vite.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.