Kërkimi shkencor, si do të vlerësohen universitetet

1113
Miratohet metodologjia për veprimtarinë kërkimore-shkencore të institucioneve të arsimit të lartë. Ja kriteret dhe pikëzimi
Qeveria miratoi metodologjinë e procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë, mbështetur në kriteret e vlerësimit. Kriteret vlerësimit të njësive bazë përfshijnë një listë treguesish që përllogariten sipas kontributit katërvjeçar të njësisë bazë në fushën e kërkimit shkencor, vlerësim i cili realizohet sipas një sistemi pikëzimi, të miratuar me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë, për efekt të procesit të vlerësimit, grupohen sipas fushave e nënfushave kryesore natyrore, inxhinierike e teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale e humane, llojeve të IAL-ve, formës së organizimit, publike apo jopublike, si dhe sipas veprimtarisë kryesore të departamenteve, qendrave kërkimore-shkencore apo qendrave studimore ndërdisiplinore. Sipas vendimit, vlerësimi për çdo tregues që përbën kriteret e vlerësimit, në nivel njësie bazë, realizohet nëpërmjet një sistemi pikëzimi algoritmik, në mënyrë automatike nga platforma elektronike, Sistemi i Shqiptar i Informacionit të Kërkimit Shkencor – ACRIS. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit organizon, administron, monitoron dhe publikon rezultatet e procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë. Universiteti, pas marrjes së njoftimit nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, njofton dhe vendos afate për personelin akademik të njësive bazë, që të realizojnë procesin përkatës të plotësimit të të dhënave të kërkuara, në portalin “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore”, në platformën ACRIS.

Procesi i vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë realizohet çdo katër vjet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, në përputhje me kriteret e mëposhtme:

a) Kriteri bibliometrik:
I. Lista e artikujve të botuar në revista ndërkombëtare shkencore me faktor impakti, si dhe në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara dhe të recensionuara;
II. Lista e artikujve të botuar brenda vendit në revista shkencore dhe buletine shkencore të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
III. Lista e monografive shkencore të botuara në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës, të vlerësuara si punime shkencore nga njësia bazë;
IV. Lista e monografive shkencore të botuara brenda vendit, të vlerësuara si punime shkencore nga njësia bazë;
V. Lista e kapitujve të librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës dhe të vlerësuar si punime shkencore nga njësia bazë;
VI. VI Lista e kapitujve të librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar brenda vendit, si dhe të vlerësuar si punime shkencore nga njësia bazë.

b) Kriteri i impaktit të veprimtarisë kërkimore-shkencore:
I. Lista e patentave apo e shpikjeve të regjistruara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale apo autoriteteve të huaja;
II. Lista e projekteve kërkimore-shkencore të fituara nga programet kuadër të BE-së për kërkim shkencor, si koordinator projekti ose si partner në projekt;
III. Lista e sipërmarrjeve të reja, të krijuara si rezultat i punës kërkimore-shkencore të njësisë bazë të institucioneve të arsimit të lartë;
IV. Lista e kontratave të shërbimit me objekt studimor.

c) Kriteri infrastrukturor:
I. Lista e laboratorëve shkencorë të akredituar ose jo;
II. Lista e bibliotekave të profilizuara dhe kapaciteti fizik i tyre, i shprehur në vende/poste pune-kërkimi;
III. Lista e arkivave dhe e koleksioneve shkencore;
IV. Lista e abonimeve në revista apo e botimeve shkencore periodike, përshirë dhe ato elektronike.
ç) Kriteri i kapaciteteve njerëzore:
I. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, me tituj akademikë “Profesor”, “Profesor i asociuar”, “Lektor” dhe “Asistent lektor” , me kohë të plotë, në momentin e deklarimit;
II. Lista e konferencave shkencore ndërkombëtare, të organizuara nga njësia bazë në bashkëpunim me homologët e saj, në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
III. Lista e konferencave shkencore kombëtare të organizuara nga njësia bazë;
IV. Lista e pjesëmarrjes së personelit akademik të njësisë bazë, me referime shkencore, në konferenca shkencore ndërkombëtare në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
V. Lista e pjesëmarrjes me referime shkencore të personelit akademik të njësisë bazë në konferenca shkencore kombëtare;
VI. Lista e çmimeve ndërkombëtare shkencore të fituara nga personeli akademik i njësisë bazë në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
VII. Lista e çmimeve kombëtare shkencore të fituara nga personeli akademik i njësisë bazë;
VIII. Lista e programeve të “Master ekzekutiv”, “Specializime afatgjata në mjekësi” dhe “Doktoratë”;
IX. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore të revistave shkencore periodike në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
X. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore për botime shkencore joperiodike në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
II. vii. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore të revistave shkencore vendase, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
I. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore për botime shkencore joperiodike vendase;
II. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë të komiteteve shkencore të konferencave shkencore ndërkombëtare, të organizuara në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;
III. Lista e recensuesve nga personeli akademik i njësisë bazë për artikuj shkencorë të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës.

d) Kriteri i ndërkombëtarizimit:
I. Lista e studimeve dhe e kërkimeve lëndore ose ndërdisiplinore të aplikuara me partner të vendeve të OECD-së dhe BE-së/të tjerë;
II. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, të angazhuar në institucionet e arsimit të lartë të vendeve të OECD-së dhe BE-së, e matur person/në javë;
III. Lista e personelit të huaj akademik të njësisë bazë nga vendet e OECD-së dhe BE-së, të ftuar pranë njësisë bazë, e matur person/në javë;
IV. Lista e programeve të studimit për “Master i shkencave” dhe të ciklit të tretë, të përbashkëta me IAL-të e huaja nga vendet e OECD-së dhe të BE-së, që përfundojnë me lëshimin e një diplome të përbashkët ose të dyfishtë.
Sigal