Kërkim në Erzen e Ishëm për trupin e Jak Prengës, RENEA prangos dy anëtarë të fisit Doçi, prokuroria letër në Angli: Të ndalohet i vëllai ‘korrier’

1096
Sigal

Një operacion i nisur prej 48 orësh në Shkodër, ka sjellë arrestimin e dy anëtarëve të fisit Doçi në fshatin Bardhaj.

Forcat RENEA kanë zbarkuar që prej orës 21:00 të mbrëmjes së të mërkurës, për të arrestuar personat e dyshuar se kanë qenë pjesëmarrës, dhe urdhërues në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje e datës 17 janar.

Burime bëjnë me dije se nga operacioni që është zhvilluar gjatë natës janë ndaluar dy persona (identitetet e tyre ende nuk janë mësuar), anëtarë të familjes Doçi, të cilët janë nisur drejt Tiranës, ku po qëndrojnë në Drejtorinë e Policisë.

RENEA ka qenë në ndjekje të Gentian Doçit i cili dyshohet se është i përfshirë dhe person kyç në këtë ngjarje. Po ashtu, sot mësohet se trupi i Jak Prengës po kërkohet në Lumin Erzen, dhe Ishëm, aty ku ka dyshime se u hodh nga rrëmbyesit pasi u vra, gjatë një përleshjeje për të shpëtuar jetën.

Prokuroria gjithashtu ka nisur një letër porosi urgjente në Angli, ku kërkon ndalimin e Astrit Prengës, korrierit të drogës që mbajti peng 283 kilogramë kokainë të tri grupeve kriminale, aktive në Vlorë, Shijak dhe Shkodër. 11 urdhër-arreste janë firmosur nga Prokuroria bashkë me sekuestron preventive ndaj kompleksit Golden, aty ku u organizua dhe u realizua skenari horror.

Kamerat e sigurisë arritën të filmonin dhunën ndaj babait të 5 fëmijëve, në garazhin e resortit, aty ku një kamerë ka arritur të filmojë gjithçka, përfshirë personat e arrestuar e atë të shpallur në kërkim, teksa torturojnë Prengën dhe ky i fundit rreket të shpëtojë jetën e tij.

Operacioni për kapjen e të kërkuarve të tjerë vijon, ku përveç Altin Hajrit, personat e tjerë që janë shpallur në kërkim janë M. Bajri., shkodran, i lidhur me krimin dhe me linjën e trafikut të drogës nga Ekuadori në BE, Dritan (Gramoz) Rexhepi, person me rrezikshmëri të lartë kriminale, po ashtu, Gentian Doçi i cili mësohet se kishte rolin e garantit për kokainën dhe K. G., nga Shkodra, i përfshirë më herët në aktivitet kriminal në vendet e BE, por edhe në Shqipëri i skeduar, si dhe disa persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende.

Rrëmbimi i Prengës u zbardh nga Policia e Shtetit 3 ditë më parë, ku u dhanë detaje për operacionin që u zhvillua në Shijak. 49-vjeçari i rrëmbyer, ndërroi jetë 7 orë pasi u mor peng dhe u varros jashtë resortit.

Rrëmbimi i Prengës ka ndodhur si pasojë e një konflikti për 283 kilogram kokainë, që i vëllai, nuk iu dha personave të mësipërm. Droga doli nga porti, por nuk shkoi kurrë në destinacion… Policia ka ndaluar 5 të dyshuarit kryesorë për ngjarjen.

Bëhet fjalë për dy kushërinjtë; Elton e Leonard Hajrin dhe babain e Altinit, Bajram, 64 vjeç dhe Festim Bexhdilin, ky i fundit dyshohet se dogji rrobat e viktimës.