Këngëtarët e njohur grabiten në Greqi: Na thyen makinën dhe vodhën pasaportat, policia s’duket ngaqë jemi shqiptarë?

600
Sigal

Një ngjarje e rëndë është shënuar në shtetin fqinj kur dy këngëtarë të njohur shqiptarë kanë rënë pre e grabitjes nga persona akoma të panjohur.

Këngëtari i njohur Alban Ramosaj dhe Beatrix Ramosaj ditën e djeshme janë nisur së bashku në një udhëtim në Greqi. Ata kanë shpërndarë gjatë gjithë kohës momente nga udhëtimi, mirëpo kur kanë arritur në Selanik një gjë e papritur u ka ndodhur.

Në disa postime në ‘Instastory’, Albani dhe Beatrixi kanë zbuluar se disa persona kanë thyer xhamin e makinës së tyre dhe kanë marrë të gjitha gjërat me vlerë dhe pasaportat dhe dokumentat e tyre.

Në postimet e tyre ata kanë shprehur pakënaqësi për shërbimin e policisë.

“Hera e parë në Greqi dhe na thyen makinën dhe vodhën pasaportat tona, dokumentat e makinës dhe disa gjëra të tjera. Kemi lajmëruar policinë dhe askush nuk është shfaqur ende. Çfarë duhet të bëjmë? Është çmenduri.”, ka shkruar Beatrixi ndërsa po ashtu edhe Albani ka reaguar.

“Ok, para se të gjykoni që si mund të hedh një gjë të tillë në Instagram, është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Na vodhën pasaportat e disa dokumenta të tjera. Nuk kemi njeri në këtë qytet dhe policia ka mbi një orë e gjysmë që “është rrugës”. Thua të jetë ngaqë jemi shqiptarë? Thua ta keni bërë se kanë parë targat shqiptare? Apo e bëjnë shpesh këtë gjë këtu? Ç’mikpritje!” , ka përfunduar Albani.