Katër vite pas shpërthimeve të “Bankers” në Zharrëz, banorët pa marrë dëmshpërblimet, Bashkia e Patosit ngre duart lart

451
Sigal

Edhe pse kanë kaluar katër vite nga shpërthimet e Bankersit, 531 familje të prekura në Zharrëz nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet por vetëm premtime boshe.

Kalvarit të kësaj vuajtje i shtohen edhe vështirësitë ekonomike të këtyre familjeve si dhe mjedisi tejet i ndotur nga puna e kompanisë që shfrytëzon nëntokën në këtë zonë.

Edhe pas katër viteve nga shpërthimet e Bankers janë të dukshme gjurmët dhe pasojat e dëmeve në banesat Zharrzës, Marinzës, Belinës e Sheqishtës.

Prej vitit 2015, kohë e cila shënon dëmtimet dhe deri më sot në vitin 2020 akoma kjo çështje vazhdon pa zgjidhje.

Ndërkohë kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj thotë se kjo çështje nuk i përket institucionit që ajo drejton, por Ministrisë së Energjetikës dhe të Infrastrukturës.

“Ne si bashki i kemi përcjellë qeverisë shqetësimin dhe kërkesat e banorëve për të dëmshpërblyer banesat, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo ndonjë vendimmarrje”, ka thënë kryebashkiakja e Patosit Rajmonda Balilaj.