Kasem Koçerri merr titullin ‘Të Drejtë mes Kombeve’ nga Presidenti Meta dhe Ambasada Izraelite

258

Koçerri, një fshatar nga Beshishti i Vlorës, i dha besën, strehoi dhe shpëtoi nga kthetrat e nazistëve gjermanë Moisi dhe Zhani Solomonin

“Telegraf”

Sigal


Para disa ditësh nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta si dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, u zhvillua në Institucionin e Kreut të Shtetit ceremonia e vlerësimit të Kasem Koçerrit dhe familjes së tij nga fshati Beshisht i Vlorës, për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e çiftit hebreo-vlonjat Moisi dhe Zhaneta Solomoni, nga Qendra Botërore e Kujtesës së Holokaustit “Jad Vashem”.

Presidenti Meta: Besa, rasti unik që nderon kombin shqiptar

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:  “Ju uroj mirëseardhjen në Institucionin e Kreut të Shtetit! Është privilegj të jemi së bashku me ambasadën e Shtetit të Izraelit,  për të nderuar një familje të thjeshtë shqiptare, e cila në kohët më të errëta të historisë njerëzore, të Holokaustit, mori në besë, strehoi dhe shpëtoi nga përndjekja naziste, dy jetë njerëzish. ‘Torahu’, Bibla e Vjetër e hebrenjve thotë: ‘Ai që shpëton qoftë edhe një jetë njeriu, ka shpëtuar botën mbarë!’ Ndërsa ne, shqiptarët, themi: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!’ Më 4 nëntor 1996, Jad Vashemi, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, pasi verifikoi historinë e të mbijetuarve dhe dokumentet përkatëse, e shpalli Kasem Koçerrin si ‘Të Drejtë mes Kombeve’. Kasem Koçerri, një fshatar nga Beshishti i Vlorës, i dha besën, strehoi dhe shpëtoi nga kthetrat e nazistëve gjermanë Moisi dhe Zhani Solomonin, duke i fshehur në shtëpinë e tij, si dhe duke rrezikuar jetën e tij e të familjarëve. Historia e familjes Solomoni është një nga dhjetëra e qindra histori të hebrenjve që u gjendën në vendin tonë, në ato vite të errëta të historisë njerëzore, dhe që me shumë dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar. Mikpritja, fisnikëria dhe bujaria shqiptare, sidomos gjatë periudhës së Holokaustit, nuk njohu kufij. Mikpritja jonë është shndërruar në proverbiale, anembanë botës, që nga Izraeli, vendet europiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe ne, me të drejtë, jemi krenar për faktin që, asnjë hebre i vetëm, nuk u lejua të binte në duar e nazistëve gjermanë. Ndërsa sot, kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të një vlerësimi të rrallë dhe zyrtar nga Jad Vashemi i Shtetit të Izraelit, ndaj Kasem Koçerrit, një bashkatdhetari tonë të thjeshtë, por mbartës dhe përçues i denjë të virtyteve më të mira shqiptare.  Ky vlerësim është njëkohësisht, një shembull i lidhjes së fortë, që vazhdon të ekzistojë midis dy popujve tanë dhe i respektimit të veprës së shumë familjeve shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Lavdi përjetë veprës së rrallë njerëzore të familjeve shqiptare! I përjetshëm qoftë kujtimi fisnik i Kasem Koçerrit si i “Drejtë mes Kombesh!”

Përshëndetja e z. Mustafa Koçerri, djali i Kasem Koçerrit

Falenderoj nga zemra Shtetin e Izraelit dhe Ambasadorin e tij këtu në Tiranë, për vlerësimin e familjes tonë duke na dhënë këtë dekoratë. Dekoratë, e cila mbart vlerat më të larta të miqësisë midis familjes Koçerri dhe asaj Solomoni. Ne ju shprehim atyre ndjenjat më të larta të respektit dhe mirënjohjes për nderin që na bënë. Po bëhen afro 79 vjet nga koha kur prindërit e mi bënë çka mundën, duke strehuar, ndihmuar e shpëtuar në fshatin Beshisht të Vlorës dy qytetarë vlonjatë me origjinë hebre: Zhaneta dhe Mojze Solomoni . Rrënjët e miqësisë midis familjes tonë me atë të familjes Solomoni kishin vite, që ishin hedhur para pushtimit gjerman. Me ardhjen e pushtuesit ato u forcuan edhe më shumë. Ato kanë qënë dhe janë lidhje, që burojnë nga shpirtrat tanë. Nuk kanë qënë dhe nuk janë të bazuara mbi interesa të ndryshme. Ne i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë njerëzit tanë, pjestarët e kësaj familje, ashtu si edhe ata neve. Me marrjen e kësaj dekorate nuk mund të lë pa përmendur interesimin e gjatë të Zotit Samiko, deri sa ajo u bë sot e mundur, ndaj e falenderojë me shpirt.  Këtë dashuri dhe ndjenja miqësie për familjen Solomoni dhe për popullin e Izraelit ne jo vetëm po i ruajmë me fanatizëm, por po përpiqemi t’i trasmetojmë edhe te fëmijtë tanë që kjo miqësi të jetë e përjetshme. Faleminderit edhe ju Zoti President për ceremoninë e marrjes të kësaj dekorate në këtë Institucion. Edhe një herë ju falnderojmë të gjithëve nga  zemëra për nderin që na bëtë me dhënien e kësaj dekorate!

FJALA  PËRSHËNDETSE  E SAMIKO SOLOMONIT

I nderuar zoti Ilir Meta President i Republikës së Shqipërisë

I nderuar zoti Gal Gendler Noah. Ambasador fuqiplot i Israelit në Shqipëri

Të nderuar miq të ftuar

Historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjëve në Shqipëri gjatë luftës së dytë botrore tashmë është një histori e njohur dhe e provuar në rang ndërkombtar dhe vecanrisht kjo merr një vlerë të vecantë për popujt tanë. Populli dhe Qeveria  israelite gjithmon falnderojnë këtë akt unik në Botë.Historia dëshmon me fakte të cilat gjithmon kur zbulohen e pasurojnë më tej atë vetë. Për një rast të till sikur e dimë jemi sot këtu për të nderuar familjen shqiptare Koçerri dhe më sakt Kasëm Koçerrin e cila strehoi dhe shpëtoj pjestarët e familjes Solomoni, prindërit e mijë. Në fakt kjo miqësi mes dy familjeve ishte e hershme pasi familja Solomoni jetonte në Vlorë. Kur situata u keqësua së tepërmi  dhe jeta e çdo hebreu u rrezikua nga gjermanët babaui i Kasëmit nuk hezitoi të marë në mbrojtje djalin dhe nusen e tij nga miku i tij Jakov Solomoni 21 dhe 16 vjecare të familjes mike dhe ti strehoj në fshatin Beshisht në afersi të Vlorës. Ata e dinin se në rast se do të zbuloheshin jo vetëm hebrenjtë por dhe e gjithë familja Koçerri do të zhdukej nga nazistët. Por Kasëm Kocerri nuk u tremb.ai u takua me prindërit e mij në përiferi të qytetit të Vlorës afër spitalit.Me vete kishte marr dy kuaj dhe veshje sipas veshjes së zonës që të mos ngjallnin dyshime.Prindërit e mi qëndruan në Beshisht 6 muaj. Familja në të cilën qëndruan nuk kurseu asgjë dhe mbi të gjitha dashuri dhe ngrohtësi. Shumë herë ju desh të fshiheshin në pyll pasi shtëpia ishte në kodër prej nga mund të shikoje fushën posht dhe të gjitha lëvizjet e trupave gjermane.Kështu që kur gjermanër i afroheshin fshatit prindërit  e mij vraponin për në pyll dhe më pas ktheheshin përsëri në shtëpi. Në përfundim të luftës Gjyshi jonë i afroj një sasi të hollash mikut të tij Jakup Koçerri për nderin e madh që i bëri, kurse nëna ime në momentin që u ndan  dhe u larguan nga shtqpia e Beshishtit dhe do të ktheheshin në shtëpi në Vlorë hoqi nga dora orën e saj prej floriri dhe ja drejtoj Kasëmit duke i thënë  të paktën këtë mere si shënjë kujtimi nga ne.Kasëmi nuk e pranoi.Këta ishin miqte tanë të dashur zonja dhe zotrinj.