“Dua të kërkoj kartën e qëndrimit. Kam ndjekur një kurs italishteje pranë një shkolle private që më ka lëshuar edhe një certifikatë të njohjes së gjuhës. Doja të dija nëse kjo më vlen edhe për kartën e qëndrimit, apo duhet të bëj testin”?
– Lëshimi i lejes së qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë, ajo që njihet edhe si karta e qëndrimit, varet veç të tjerash edhe nga njohja e gjuhës italiane (që verifikohet me anë të një testi) për lëshimin e lejeqëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë. Niveli i kërkuar është A2 i Kuadrit të përbashkët europian që u referohet gjuhëve, nivel që parashikon kuptimin e shprehive të përdorimit të përditshëm. Por jo të gjithë shtetasit e huaj janë të detyruar të bëjnë testin. Ja kategoritë për të cilët nuk nevojitet testi i gjuhës:
– Të miturit nën 14 vjeç;
– Të huajt me aftësi të kufizuara në mësimin e gjuhës për arsye që kanë të bëjnë me moshën, patologji mjekësore apo ndonjë gjymtim. Në këto raste, kërkesës i duhet bashkangjitur një certifikatë e lëshuar nga struktura shëndetësore publike;
– Personat që kanë një dëshmi apo një titull studimi që certifikon njohjen e gjuhës italianë në një nivel jo më të ulët se A2 të lëshuar nga Universiteti Roma 3, Universiteti i Perugias, Universiteti për të huajt i Sienas ose nga Società Dante Alighieri;
– Të huajt që kanë ndjekur një kurs të gjuhës italiane pranë Qendrave provinciale të Arsimit për të rritur dhe kanë marrë në fund të kursit një dëshmi të njohjes së gjuhës italiane jo më të ulët se niveli A2. Bëjnë pjesë në Qendrat provinciale të Arsimit për të rritur, Qendrat Territoriale të përhershme për arsimimin e të rriturve dhe kurset e natës pranë instituteve shkollore të çdo shkalle;
– Të huajt që kanë marrë, në kuadrin e krediteve të mbledhura për marrëveshjen e integrimit, njohjen e një niveli A2 të gjuhës;
– Kush ka ndjekur e përfunduar shkollën italiane tetëvjeçare apo të mesme ose kush ka frekuentuar e është diplomuar pranë qendrave provinciale të arsimimit të të rriturve;
– kush ndjek kurs studimesh pranë një universiteti italian shtetëror apo privat të njohur nga shteti apo kush bën doktoraturën apo një mastër universitar në Itali;
– Kush ka hyrë në Itali si drejtues apo personel me kualifikim të lartë i një ndërmarrjeje apo shoqërie: për shembull, lektorë e profesorë universiteti; përkthyes dhe gazetarë të akredituar në Itali ose punonjës të varur të organeve të shtypit, të kanaleve televizive e radiofonike të huaja (në bazë të nenit 27, paragrafi 1, germat a) c) d) e q) të dekretit legjislativ 286/98);
– Të huajt me statusin e mbrojtjes ndërkombëtare.
Të gjithë të huajt e tjerë që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e mësipërme duhet të bëjnë testin e italishtes para se të kërkojnë marrjen e kartës së qëndrimit. Për shembull, kush ka bërë kopshtin apo shkollën fillore e nuk ka mbaruar tetëvjeçaren, duhet t’i nënshtrohet testit për gjuhën italiane. Edhe kush ka një dëshmi gjuhe nga një shkollë që nuk bën pjesë në Qendrat provinciale për arsimimin e të rriturve apo nga shkolla private që nuk lëshojnë dëshmi të njohjes së gjuhës të njohura nga Universiteti Roma 3, Universiteti i Perugias, Universiteti për të huajt i Sienas ose nga Società Dante Alighieri, duhet të mbrojë testin e gjuhës. Duhet kujtuar gjithashtu që kush e ka lejen e qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë e duhet ta përditësojë nuk është i detyruar të bëjë testin e gjuhës. Ky detyrim është vetëm për ata që e marrin për herë të parë këtë dokument qëndrimi.
************************
Itali/ Jo 80, 100 apo 200 euro që emigrantët janë detyruar të paguajnë nga viti 2012
Taksa mbi lejet e qëndrimit, “Tani duhen dëmshpërblyer emigrantët”
Intervistë me profesorin Vittorio Angiolini, një nga avokatët që ndoqi ankesën në TAR. “Kontributi nuk paguhet më, zyrat postare nuk kanë asnjë të drejtë që të vazhdojnë ta kërkojnë. Nuk është e ndershme që të detyrosh imigrantët e rregullt të paguajnë kostot e riatdhesimeve”. Kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit? Sentenca e Gjykatës Administrative të Lazios është shumë e qartë, është hequr sepse është i paligjshëm. Normativat italiane që e parashikonin ishin në kundërshtim me normativat evropiane. Do të thotë që imigrantët, që sot, nuk duhet të paguajnë e mund të kërkojnë mbrapsht sa janë detyruar padrejtësisht të paguajnë deri më sot”. Profesori Vittorio Angiolini, docent i të drejtës ndërkombëtare në Statale të Milanos, është një nga avokatët që ka ndjekur në TAR dhe në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë ankesën e INCA-s dhe CGIL-s kundër barrës prej 80, 100 apo 200 euro që imigrantët janë detyruar të paguajnë nga viti 2012. “Ankesa u pranua, nuk ka më asgjë për të diskutuar, nuk ka vend për interpretime të tjera. Ai kontribut nuk duhet kërkuar më” thekson për Stranieriinitalia.ti. Por imigrantët nuk e besojnë, e jo vetëm pse lajmi është shumë i mirë për të qenë i vërtetë. “Kemi përtërirë lejeqëndrimin sot e kemi paguar taksën 100 euro” shkruan një lexues. Zyra postare ku paraqiti kërkesën, i kërkoi kuponin e derdhjes së kontributit. A është normale kjo gjë? A ka nevojë për hapa të tjerë që sentenca të hyjë në fuqi? “Jo. Edhe Postat italiane duhet t’i përshtaten menjëherë vendimit të gjykatësit e nuk duhet të kërkojnë më derdhjen e kontributit. Veç të tjerash, përtej sentencës, ndërmarrja Poste Italiane është e detyruar të sigurojë shërbimin e mbledhjes së kërkesave për të cilin paguhet shumë mirë”. Imigrantët do të kursejnë këtej e tutje, po me paratë që kanë derdhur deri tani ç’do të bëhet? “Shteti duhet t’ua kthejë të gjitha. Kush ka paguar për shkak të një ligji të paligjshëm ka të drejtë të rimbursohet dhe të dëmshpërblehet. Qeveria ndoshta i mbështet shpresat në faktin që jo të gjithë do ta hedhin në gjyq për të çuar në vend të drejtën e tyre, sepse të hapësh një çështje gjyqësore është e kushtueshme”. Si janë përdorur deri më sot këto para? Për të përmirësuar punën për praktikat e lejeve të qëndrimit? “Një pjesë e mirë janë shpenzuar për të financuar riatdhesimet e mbrojtjen e rendit publik. Me një fjalë, u kanë ngarkuar në kurriz imigrantëve të rregullt, vetëm për faktin pse janë të huaj, kostot e të parregulltve dhe të kriminalitetit. Kjo është absurde, diskriminuese, e pandershme”. Qeveria mund të nxjerrë një normë të re për të rifutur kontributin mbi lejet e qëndrimit? A i lë sentenca hapësirë të ndërmarrë një veprim të tillë? “Hapësira është shumë e ngushtë e përcaktohet nga sentenca e Gjykatës së Drejtësisë Evropiane, sipas të cilës për lejen e qëndrimit mund të kërkohet një kontribut, por duhet të jetë i krahasueshëm me atë që shteti kërkon për kartat e identitetit”. E dini sa është sot ky kontribut për kartat e identitetit? Vetëm 5,42 euro.



















