Kapet grupi me kokainë, kanabis dhe ekstazi në aksin Kavajë-Durrës, kishin lënë edhe ‘roje’ për policinë

48

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Segmenti”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës. Arrestohen në flagrancë 5 shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 20 kg lëndë e dyshuar marijuanë, një sasi kokaine, ekstazi, fara kanabisi për kultivim, 5 aparate celularë dhe 2 automjete. Në zbatim të plan-operacionit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës se disa shtetas po transportonin një sasi lënde narkotike nga Vlora drejt Tiranës, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Segmenti”. Në aksin rrugor Kavajë-Durrës, në segmentin e quajtur “Plepat”, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy mjete. Njëri nga mjetet qarkullonte në një distancë rreth 1 km larg nga mjeti tjetër, me qëllim sinjalizmin e personave që ndodheshin në mjetin tjetër që transportonte lëndën narkotike.  Falë veprimeve të shpejta u bë i mundur evidentimi edhe i mjetit tjetër që dyshohej se transportonte lëndën narkotike dhe falë ndërhyrjes profesionale u bë bllokimi në të njëjtën kohë i të dy automjeteve, kapja dhe vënia në pranga e 5 personave, konkretisht: A. Ll., 33 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, N. L, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, A. M., 47 vjeç, lindur në Vlorë, A. P., 34 vjeç, lindur Fier dhe banues në Tiranë dhe E. B., 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” që drejtohej nga shtetasi A. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan rreth 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Gjithashtu u sekuestrua edhe automjeti tip “Passat” me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjerë shtetasit E. B., A. P. dhe N. L., i cili shërbente për të kontrolluar nëse kishte punonjës policie apo pika kontrolli në rrugë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, disa fara cannabis sativa dhe një sasi ekstazi. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për verime të mëtejshme.