Kapen me mbi 3 kg heroinë, pranga shqiptarit e grekut

529
Një shtetas shqiptar 32-vjeçar dhe një grek 37-vjeçar janë arrestuar nga policia greke në Asproklisi të Thesprotisë, pasi u janë gjetur dhe konfiskuar 3 kg e 162 g heroinë.
Arrestimi i tyre është kryer nga Departamenti i Antidrogës së Igumenicës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Doganës së Filiatit, pas një informacioni se dy persona do të sillnin nga Shqipëria një sasi të madhe lëndësh narkotike.
Mëngjesin e së enjtes është ndaluar automjeti i dyshuar dhe me ndihmën e qenit të policisë është gjetur në tubat e ajrit, në 6 qese të veçanta, lënda narkotike e fshehur, e cila më pas do të hidhej në tregun vendas.
Nga verifikimi i të dhënave të të dy personave të arrestuar, mësohet se shtetasi shqiptar është i shpallur në kërkim në Greqi prej datës 13 shtator 2016, pasi ka marrë leje të përkohshme nga Burgu i Malandrinos, ku vuante dënimin për trafikim të lëndëve narkotike dhe nuk është kthyer më.
Bashkë me heroinën, policia greke ka konfiskuar edhe automjetin me të cilin udhëtonin dy trafikantët, si dhe 3 telefona celularë.
Të arrestuarit do të çohen të premten në Prokurorinë e Thesprotisë, ndërsa hetimet do t’i vazhdojë Departamenti i Antidrogës së Igumenicës.
Sigal