Kanionet që fituan qytetarinë botërore

702
Enver CAKAJ
Te mesazhet e kompjuterit u ndez drita e kuqe në orët e vona të natës. Kush të ishte e ç’hall e kishte detyruar atë njeri që më kërkonte? Mesazhi vinte nga Greqia: “Ju lutem ndërhyni të na rregulloni 40-vende në hotel, se mezi po presim të vijmë e të shikojmë kanionet e Osumit!” Ishte poetja më e re e Skraparit, Brikena Qama. Skrapari kishte vend për njerëzit në ato vite kur kërciste pushka, jeta nuk ishte e sigurt e varfëria ishte shtruar këmbëkryq, jo më tani. Atë të diel të 29 prillit në qytetin e Çorovodës kishin ardhur shumë të huaj, me ngjyrë e pa ngjyrë. Dhe të gjithë pyesnin për kanionet. Ku ta kenë marrë vesh ata indianët në anët botës, që ekzistojnë këto kanione? Në Skrapar kanë ardhur e punojnë disa firma të huaja, që jo vetëm punojnë, por dhe propagandojnë kanionet e bukura të Osumit kur shkojnë në vendet e tyre. Dhe njerëzit vërshojnë nga e gjithë bota për këto bukuri. Ai Skrapar, që nuk kishte asnjë të huaj në rreth, tani është mbushur me vizitorë, janë bërë sebep ato kanione të mrekullueshme, por dhe qyteti, që është tjetërsuar e sistemuar po pret çdo ditë miq të rinj nga e gjithë bota. Kanionet e Osumit në Skrapar tani kanë fituar qytetarinë botërore prandaj edhe ata të huaj të largët nuk përtojnë për të ardhur deri këtu. Mikpritja shqiptare ngjyros me bujari tërë zonën e Skraparit. Por ne do të shoqërojmë grupin e ardhur nga Greqia. Njerëz që nuk mbajnë dot lotët e mallit dhe mezi çapiten nëpër qytet. Duan të shikojnë me imtësi çdo ndryshim për t’i krahasuar me qytetin e dikurshëm. Në Çorovodë nuk ka më mure arash, ka ndërtime artistike, pemë dhe lule. Po mbi të gjitha mbretëron një pastërti e rrallë. Por ardhësit përsëritnin: “Kanionet, kanionet ku janë? Dhe autobusi i kompanisë “Anna tours” që e administron shkodrania Valdete Sakiqi, u nis drejt kanioneve. Ndërkaq Brikena e ndali autobusin tek hoteli “Kanionet”. Ardhësit vazhdonin të pyesnin: “Po kanionet sa larg janë?” Dera e lokalit ishte hapur dhe të gjithë u ulën. Po tani? Brikena, që u prin i fton të pijnë çfarë të duan. Domosdo që rakia e zuri vendin e parë. Kishin dëgjuar për të. Dhe gotat me raki me shkumë mbushën tryezat. Brikena nxori nga çanta ca libra. Ishin dy botimet e saj të fundit me poezi, që do të promovoheshin aty. Tryezat morën pamjen e një biblioteke. Të gjithë me libra në duar nisën të thoshin mendimet e tyre. Dhe ai diskutim do të mbyllej me fjalët: “Të lumtë, Brikena, paske trokitur me të dyja duart në dyert e poezisë!” E gjitha kjo e frymëzuar nga Bukuria që tashmë i priste vizitorët nga Greqia aty pranë, krahëhapur, gjatë rrjedhës së Osumit dhe kanioneve të tij të rralla.
Koha ishte shumë e shkurtër,por dëshira shumë e madhe.Nëpër vendet e tyre i priste puna.Një mungesë u kushtonte jetën.Unë vështroja mos njihja ndonjë prej tyre,por mësova se ata nuk ishin skraparas.Besnik Camaj me të shoqen kishte ardhur nga Zvicra,një çift tjetër kishte ardhur nga Franca,Orjela Prela vinte nga Shkodra,disa nga Tirana,shumica nga Greqia. Kush i mblodhi e si u mblodhën? Pamjet e para të kanioneve u shfaqën dhe ata thirrën me një gojë: “Shofer,ndale autobusin!”
Poshtë,mes kanineve,ku zbriste një ujevarë,u shfaqën kanionet në të dy anët e lumit.Dielli binte pingul mbi vizitorët,po ata nuk shkuleshin.Dita po thyhej,po nuk thyhej deshira e tyra për të parë pamjet mahnitëse të kanioneve.Pas tyre erdhën vizitorë të tjerë.

Fytyra të panjohura,por kurreshtare për këto pamje të shkëlqyera që ka dhuruar natyra. Dikush thirri që t’i jepnin fund vizitës,po Josif e Luiza Petro as që donin t’ia dinin.Thirrja u përsërit,po asnjë nuk lëvizte.Për ato pamje kishin ardhur nga e gjithë bota.U kujtuan të largoheshin kur u erdhi ndërmend pronari që ditën tjetër i priste në punë.

Pak më tutje Gjurma e Abaz Aliut.Gjurma e ngulur në mes të shkëmbit.Vizitorët po vrisnin mendjen.Si është e mundur të ketë qenë kaq e fuqishme këmba e Abaz Aliut sa bëri shenjë në shkëmb? Kjo legjendë u përdor si propogandë nga fetarët për të treguar forcën e fesë.Besojnë apo s’besojnë njerëzit,këtu është ngritur një kult fetar,që festohet çdo vit.Koha nuk ishte e mjaftueshme për të vizituar të gjitha kanionet dhe ata ikën me kokë prapa.Kjo është një shenjë e mirë,se Brikena do t’i mbledhë sërish miqtë e saj nëpër botë,(herën tjetër më shumë dhe të rinj) dhe do të ulen sheshaz për t’i parë të gjitha këto bukuri.Skrapari hapur i ka dyertë,mirë se të vini!
Sigal