Kamioni rrëzon urën e vetme të Skraparit, izolohen fshatrat

689
Sigal

SHQETËSIM/ Banorët kërkojnë ndihmë. Bashkia: Nuk kemi mundësi ta rindërtojmë!

Bie kamioni me tonazh të rëndë në lumë, shembet ura që lidh qytetin e Skraparit me 7 fshatra të Komunës Qendër. Një Kamion, tip “Astra”, me targa TR 3942 U, është rrëzuar në lumë mesditën e djeshme, duke shembur edhe urën në dalje të qytetit të Skraparit. Drejtuesi i mjetit, 39-vjeçari nga Vlora, Renato Gudaj, për shkak të mbingarkesës që kishte kamioni, nuk ka mundur dot të ruaj ekuilibrin e mjetit dhe është rrëzuar në lumë, duke shembur kështu edhe urën. Burime të policisë konfirmojnë për gazetën se, ura me 50% përbërje dërrase, është shembur për shkak të kalimit mbi të gjatë muajve të fundit të mjeteve me tonazh të rëndë. Këta kamionë merrnin zhavorrin e lumit, të cilin e përdornin për shtrimin e rrugës së Hamullit, rikonstruksioni i të cilës ka filluar para 4-muajsh. Drejtuesi i mjetit Renato Gudaj, pas rrëzimit në lumë, ka dalë nga kamioni dhe nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Ai është shoqëruar nga policia në Komisariatin e Skraparit, ku edhe është marr në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ura e shembur në dalje të qytetit të Skraparit lidh këtë qytet me 7 fshatra të Komunës Qendër dhe kjo është e vetmja urë lidhëse mes tyre. Tashmë, pas shembjes së urës kjo zonë do të mbetet e izoluar, pasi nuk ka mundësi tjetër për të kaluar nga qyteti i Çorovodës në zonën e fshatrave të Komunës Qendër. Dihet se, urat e ndërtuara me dërrasa në shtratin e lumit, janë teje të amortizuara, pasi kanë vite që janë ndërtuar dhe nuk janë zëvendësuar me ura betoni. Sipas të dhënave bëhet e ditur se, Bashkia e qytetit të Skraparit nuk ka mundësi për të bërë rikonstruksionin e saj, pasi dëmtimi i shkaktuar është tejet i madh. Kështu të vetmit që e pësojnë në këtë rast janë banorët e zonës, të cilët tanimë janë të izoluar. Nëse nuk ndërtohet ura ata nuk kanë mundësi të shkojnë në qytet, problem ky edhe për nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat e mesme. Të ndodhur përballë kësaj situate, qytetarët i bëjnë apel revoltues deputetëve të zonës se ata janë përgjegjësit e vetëm që gjendja ka degraduar deri në këtë pikë, pasi asnjë deputet pas marrjes së votave nuk është kujtuar për hallet e tyre që shpesh herë japin sinjale të mëdha. Me të drejtë banorët iu drejtohen deputetëve se edhe Skraparin e ndanë.