‘Kamerat’, Noka: ICITAP nuk është dakord, Tahiri gënjeu

578
Komisioni i Sigurisë ka diskutuar sot edhe për dekretin e Presidentit që kthen për rishqyrtim ligjin për masat e sigurisë publike. Deputetët e maxhorancës dhe përfaqësues të ministrisë së Brendshme e cilësuan të pabazuar dekretin, ndërsa deputetët e së djathtës mendojnë të kundërtën. Më konkretisht, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia kërkoi rrëzimin e dekretit të Presidentit, pasi sipas tij, argumentet nuk bazohen në frymën e ligjit. Ndërsa, zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa tha se dekreti është i pabazuar në Kushtetutë.
“Kërkoj rrëzimin e dekretit të Presidentit për ligjin për masat e sigurisë. Ligji në përputhje me Kushtetutën dhe rrit sigurinë për qytetarët. Argumentet e Presidentit të pjesshme, nuk bazohen në frymën e ligjit”, tha Qefalia. Demokrati , Flamur Noka i kërkoi komisionit që të publikohet dokumenti i sjellë nga Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave, duke i kërkuar zv/ministrit që të mos shkonte në gjurmët e gabuara pasi do të dilte gënjeshtar.
“Publikoni dokumentin që ka sjellë komisioneri i mbrojtjes së të dhënave. Ministri sot është fshehur, se ka dalë gënjeshtar para qytetarëve. Sot ende nuk e dimë sa është kostoja e zbatimit të ligjit. Kostoja ka qenë edhe një ndër arsyet pse e kemi kundërshtuar. Ministri u mburr se ligj është konsultuar edhe me partnerët, por ICITAP thotë se nuk u dorëzua asnjë relacion dhe s’u zhvilluan takime. ICITAP thotë se ligji është barrë financiare për bizneset dhe se i ka këshilluar Ministrisë së Brendshme që të lërë mënjanë ligjin”, tha Noka.
Sigal