Kamerat e policisë u blen me 5.7 milionë euro, por ka vetëm 1 copë për çdo 8 policë

586
Vjollca KUTA

Skandali me 8 miliardë lekë, që rezulton falsitet si hajdutëria me “Kutitë e Ndihmës së Shpejtë” në makina, që iu shitën me dhunë qytetarëve 
Patjetër që ju kujtohet buja me të cilën Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, propagandoi pajisen e policëve shqiptarë me kamera vrojtimi, të vendosura në gjokset e tyre, duke deklaruar se me ato kamera do të luftohej dhe fitohej lufta kundër korrupsionit dhe abuzimeve të policëve e qytetarëve, në bashkëpunim me njeri-tjetrin. Sa kushtuan këto kamera? Ku u blen? Si u blen? Cila firmë private i futi në Shqipëri si biznes? Sa funksionale rezultuan në shpejtësi filmimi e raportimi ngjarjeje? Janë kamera që transmetojnë pamje direkt, apo me… “WSB”? Sa kamera ka realisht në policinë e shtetit dhe a janë pajisur të gjithë policët që kryejnë shërbime e aksione terreni?
U paguan 5.7 milionë euro, ka vetëm nga një kamera në çdo grup policor për të 3 turnet
Projekti që u fut në zbatim për pajisjen e policëve shqiptarë me kamera, gjoja për të luftuar korrupsionin e punonjësve të policisë, rezultoi jo vetëm një dështim si funksion, por edhe abuzim financiar me vlerën blerjes së tyre. Ministri i Brendshëm, i paraqiti si “arritje moderne”. Për blerjen e këtyre kamerave, nëpërmjet firmës dhe vulës së ministrit Tahiri, shteti shqiptar pagoi 5.7 milionë euro ose 8 miliardë lekë nga taksat e shqiptarëve. Kjo blerje u bë pa tender, pa njoftim publik, pa konkurrim ofertash, por me urdhër dhe përzgjedhje ilegale të bërë prej ministrit dhe një komisioni që nuk iu publikua dhe nuk i publikohet përbërja, duke hedhur hije dyshimi nëse ekziston si komision edhe në letra, apo jo! Gjithë procedura ilegale blerjes, u bë me shpejtësi dhe fshehtësi të plotë, duke keq-përdorur Nenin Nr. 6, të Ligjit Nr. 9643, datë 20. 11. 2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar me Ligjin Nr. 9800, datë 10.09.2007, me Ligjin Nr. 9855, datë 26.12.2007, me Ligjin Nr. 10170, datë 22.10.2009, me Ligjin Nr. 10309, datë 22.07.2010, me Ligjin Nr. 22/2012, me Ligjin Nr. 131/2012 dhe me Ligjin Nr. 182/2014 “Për Prokurimin Publik”, sipas të cilit, ministri Tahiri paska të drejtë të bëjë blerje pa tenderim, pa garë, pa paraqitje e konkurrim ofertash, duke preferuar firmat dhe çmimet që përzgjedh ai, pa pyetur askënd në shtet! Këtë blerje ilegale për të cilën janë shpenzuar vetëm 15% e vlerës së harxhuar realisht, ministri Tahiri e ka justifikuar me ligj, duke përdorur Nenin 6 të Nr. 9643, datë 20. 11. 2006 “Për Prokurimin Publik”, i cili thotë: “Kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit 13. Ky ligj nuk zbatohet në përzgjedhjen e fituesve të kontratave publike, në rast se zbatimi i tyre kërkon masa të veçanta sigurie, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi, ose në rast se një gjë e tillë diktohet nga interesat thelbësorë të shtetit”. Pa a kanë kamera gjithë policët e terrenit? Informacioni i ardhur në redaksi dhe përgjigjet konfdenciale të policëve të terrenit, konfirmojnë se në çdo grup shërbimi dhe aksionesh policore, ka vetëm nga 1 kamera të tillë për çdo 6 policë, të cilën policët që e mbajnë në gjoks, detyrohen ta dorëzojnë pas përfundimit të orarit të punës në çdo turn, mbasi e marrin grupet e turneve të tjerë. 
Në treg, këto kamera kushtojnë 10 herë më lirë se vlera e tenderimit
Sa ka kushtuar blerja e 1 kamere të tillë? Sa kanë kushtuar të gjitha kamerat që janë belrë? Sa kamera janë blerë? Blerja e kamerave të policëve, jo vetëm si procedurë, si kosto për 1 kamera e në total, por edhe si pagesë instalim programi shërbimi serverimi, përbën një skandal të rëndë financiar dhe sigurie e shpejtësie shërbimi, pa llogaritur objektin për të cilin janë shpenzuar afro 8 miliardë lekë, ose 5.7 milionë euro! Sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme e të teknologjisë së avancuar informatike, cilësia, funksionaliteti dhe kapaciteti i kamerave që ministri Tahiri ka blerë në Afrikë dhe ka ngjitur në trupat e policëve shqiptarë janë primitive, janë jashtë çdo standardi. Prapa “perdes” se gjoja ‘sekretit shtetëror të blerjes së tyre, qëndron abuzimi, më troç vjedhja gjigante e fondeve publike! Pse? Sipas dosjes “Kamera”, që mbahet e fshehur në kasafortën private të ministrit Tahiri, për blerjen e 2000 aparateve të llojit “Smartphon-Kartë SIM 3G” që janë blerë për policët shqiptarë e që gjenden me shumicë në “tregun e rrugës” edhe getot e Afrikës dhe zonat periferike të Kinës, rezulton me prova konkrete se ka abuzim të madh financiar dhe abuzim me përcaktimin “sekret sigurie shtetërore”. Po flasim konkretisht. Ministria e Brendshme ka financuar 5.7 milionë euro kosto projekti. Ka blerë gjithsej 2000 aparate “Smartphon-Kartë SIM 3G”. Vlera maksimale me pakicë e një aparati të tillë në treg (1-3 copë) kushton 8-10 dollarë! Ministria, thotë se i ka blerë me 90 dollarë copa! Por edhe sikur t’i ketë blerë me 90 dollarë copa, ose edhe me 100 dollarë, 1600 aparatet që janë blerë dihet se sa kushtojnë! Kujtojmë që janë shpenzuar 5.7 milionë euro për këtë projekt. Në këtë kosto përfshihet blerja e 2000 kamerave, pagesa e licencës së shërbimit “Server” në vlerë maksimale 100 mijë dollarë, vlera e Software deri në 200 mijë dollarë me shërbim interneti “3G”, siç e ka ministria në këtë shërbim, por që e ka si shërbim çdo paketë telefonie celulare e zakonshme me çmim 1 mijë lekë. 
Sigal