”Kam dy orë këtu, nuk ka stola”, të moshuarit presin në radhë për t’u vaksinuar

208
Sigal

Procesi i vaksinimit masiv është shtrirë në të gjithë vendin, por problemet janë të shumta. Pensionistët në Berat kanë pritur në radhë të gjata jashtë qendrës shëndetësore, për të marrë vaksinën anti-covid.

Me orë të tëra, në mes të rrugës dhe në këmbë vijojnë të qëndrojnë jo vetëm pensionistë të moshave mbi 70 vjeç që presin të kryejnë dozën e parë të vaksinës Sinovaks por edhe ata të moshave mbi 80 vjeç që presin të kryejnë dozën e dytë të vaksinës Astra Zeneca. ”Kemi që në orën 08:00, nuk ka stola. Kam dy orë, tre orë. Na thoni prisni me radhë. Doktoresha na lajmëroi, na tha hajdeni, erdhëm në radhë, kush ishte më i zoti hyri”,-thanë të moshuarit.

Personeli mjekësor i Qendrave Shëndetësore ka ngritur shqetësimin se ambientet nuk janë të mjaftueshme dhe se qendrat kanë shumë pak personel, që e ka të pamundur përballimin e këtij fluksi vaksinimi. Sot është dita e tretë e vaksinimit masiv në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se deri më tani janë vaksinuar mbi 100 mijë persona.