Kadri MUKA/ Dritëhijet e projekligjit të ri për ushtarakët dhe policët

590
Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së mire të qeverisë, për të vënë në rrugën e zgjidhjes maskaradën e kryer me pensionet e ushtarakëve, të nisur me ligjin nr.10142/2009 si një kundërvënie vendimit nr.9/2007 të Gjykatës Kushtetuese, pasuar me vendimin nr.793 datë 24.9.2010 në zbatim të tij, thelluar me aktin normativ nr.5/2010, i cili edhe pse vinte pas vendimit nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, nuk shfuqizoi pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27 të këtij ligji të shfuqizuar antikushtetues dhe nuk reflektoi interpetimin pajtues për rillogaritjen parashikuar nga pika 2 e nenit 29 dhe vulosur vulosur me ligjin nr.10367/2010, nuk realizon atë që ka dëshiruar dhe që ministri Klodi deklaroi. Projektligji pavarësisht se kishte për detyrim të reflektonte atë çka thotë në pikën 21 dhe 26 vendimi nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese, la të paprekur procesin e parregullt ligjor të akteve të mësipërme dhe fut në ngërç përfundimtar mundësinë e zgjidhjes reale të çështjes dhe mbajtjen e premtimit se, do të respektojmë atë që ju ka njohur Gjykata Kushtetuese dhe mbi atë bazë do të ndërtojmë edhe marrëdhënien me gjithë grupin tuaj të interesit. Nga një shikim i vëmendshëm dhe krahasues të tij me aktin normativ nr.5/2010, nuk është vështirë të konstatosh se projekti është në të njëjtën ligj me të dhe se ruan të pacënuar qëllimin famkeq: ndëshkimin ekonomik e financiar dhe poshtërimin në dinjitet e personalitet të ushtarakëve, a thua se hartuesit e tij janë pikërisht e aktit normativë. 
Projektligji është bërë fakt i kryer 
Ai e ka kaluar pragun e qeverisë dhe është paraqitur në Kuvend për miratim. Kuvendi ndodhet përpara diskutimit për miratim të projektligjit për faljen e detyrimeve të ish ushtarakëve nga skema e sigurimeve suplementare nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142/2009, të ndryshuar. Që nga emërtimi, baza ligjore mbi të cilin mbështetet dhe përmbajtja e neneve të tij, as më shumë e as më pak, ai nuk është tjetër veçsë vazhdë e proceseve të parregullta ligjore të kryera nga qeveria dhe Kuvendi i mëparshëm. Nëse miratohet ashtu siç është paraqitur do të shndërrohet në një ligj antikushtetues, çka do detyrojë për herë të katërt shoqatat e ushtarakëve dhe sindikatën e policisë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe t’i kërkojnë shfuqizimin antikushtetues të tij. Për të ndalur një gjë të tillë, sa ende projektligji nuk është miratur dhe nuk është bërë ligj, të gjithë atyre aktorëvë dhe faktorëve që kanë atributin ta fusin atë në binarët kushtetues, duhet të reflektojnë duke e rikthyer për ta zhveshur nga antikushtetshmëria. Antikushtetueshmëria e projektit fillon që në emërtimin “Për faljen e detyrimeve të ish ushtarakëve nga skema e sigurimeve suplementare nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar”. Në këtë emërtim ka 3 elementë që shmangin realitetin, i cili nuk përputhen me parimet e shtetit të së drejtës.
E para: Falje e detyrimeve
Ka një formulim ligjor për detyrimin. Ky formulim është: “kush tjetrit i shkakton dëm, ka për detyrë t’ia kompensojë, nëse nuk provon se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij”. Në rastin konkret nuk janë ushtarakët ata që i kanë shkaktuar dëm shtetit. Është ky i fundit që u ka shkaktuar dëm atyre dhe gjithë përfituesve të tjerë të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar. Statusi i ushtarakut si ligj organik që neni 81, pika 2, shkronja “e” i përfshin në ligjet organike, të cilët miratohen me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit, në nenin 35 “E drejta për pension të parakohshëm”, nuk ka njohur vetëm të drejtën e përfitimit të këtij pensioni. Në pikën 1 të këtij neni, ai sanksionon masën e pensionit dhe masën e pensionit 50% e pagës mujore për 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, dhe për çdo vit tjetër shërbimi mbi 12 e 15 vjet një shtesë 2% të pagës mujore. Përfitimin e kësaj mase e garanton deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie. Ky pra është detyrimi që ka shteti për ushtarakun. Në kundërshtim me këtë dhe me përcaktimin e vendimit nr.33 të Gjykatës Kushtetuese që thotë: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligje me interesin e rëndësishëm publik”, akti normativ i Këshillit të Ministrave nr.5, datë 10.11.2010, pavarësisht se në qeveri u miratua në datë 10 nëntor 2010, pra 4 muaj e 4 ditë pas ketij vendimi të Kushtetueses, e zvogëloi dhe e bëri atë 1.5% të pagës mesatare neto referuese për vit shërbimi dhe e mohoi atë pas datës 30 qershor 2009 e në vazhdim. Kuvendi nga ana e tij me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe në kundërshtim me vendimin nr.9/2007 dhe nr.33/2010 të Kushtetueses e zvogëloi masën e caktuar nga neni 35 i ligjit organik, statusit të ushtarakut me ligj të zakonshëm. Këto u bënë në kushtet kur e drejta sipas nenit 4 të Kushtetutës përbënë bazën dhe kufirin e veprimtarisë së shtetit dhe sipas nenit 15, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik… Këtë e bëri gjithashtu edhe kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132, “kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”. Akte dhe veprime të tilla, të cilat zvogëluan masën e përfitimit nga 50% e pagës mujore referuese për 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli duke i shtuar 2% për çdo vit tjetër në 1.5% e pagës mesatare neto referuese për çdo vit shërbimi nga data 27 qershor 2009, datë e hyrjes në fuqi e lgjit nr.10142/2009 i ndryshuar, përbëjnë një process të parregullt ligjor. Nga ky proces i parregullt ligjor që e ndalon neni 42 pika 1 e Kushtetutës, nuk është ushtaraku ai që i detyrohet shtetit, por shteti ushtarakut. Për rrjedhojë me projektligjin nuk bëhet tjetër veçse, shteti i fal vetes detryrimet që i ka ushtarakut dhe përfituesve të tjerë të ligjit nr.10142/2009 të ndryshuar. Pra, shteti nuk u kthen detyrimet që i ka në kuadër të shtetit të së drejtës nga data kur padrejtësisht ju ka zvogëluar masën e përfitimit dhe u ka mohuar të drejtën e fituar.
E dyta: Detyrime nga skema e sigurimeve suplementare
Edhe kjo përbën një të pavërtetë, me të cilin në mënyrë permanente është abuzuar për 25 vjet rreshtë nga pushteti ligjvënës, ai ekzekutiv dhe institucionet ligjzbatuese, pse jo edhe nga tërë pushteti gjyqësor. Ushtarakët janë ngarkuar me detyrime kur detyrime ka patur shteti. Është shteti ai që nga 3 korriku 1991 deri më 31 dhjetor 1998 u mohoi të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Është po shteti ai që nga 1 janari 1999 deri më 27 qershor 2009, pavarësisht nenit 16 të statusit të ushtarakut të 3 korrikut 1991 dhe atij të 23 marsit 2004, në kundërshtim me masën 50% të pagës mujore referuse për 12 e 15 vjet vjetërsi shërbimi duke i shtuar 2% për çdo vit tjetër, ua kufizoi masën deri në një pension maksimal në shkallë vendi. Është po shteti ai që kushtit të vjetërsisë i shtoi moshën 44 vjet për femrat dhe 47 për meshkujt dhe për ketë për vite të tëra i la pa asnjë llojë përfitimi. Është po shteti ai që në kundërshtim me statusin e 2004 vazhdoi të mos i trajtojë me pension në rast punësimi apo pse ka patur e ka përfituar tokë në masë të kufizuar. Është po shteti ai që nga 1 korriku 2009, datë e aplikimit të ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar, u mohoi të drejtën e fituar me ligj organik apo ligj të sigurimit shoqëror suplementar të çastit të lindjes të së drejtës dhe u zvogëloi në masën 50-100 dhe 200%, duke i shpallur “debitor” dhe detyruar pagimin e kësaj “debie”, duke qenë vetë shteti debitor. Pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk e lidh asgjë me skemën e sigurimeve suplementare. Kjo sa për faktin se ai nuk është përfitim mbi ndonjë përfitim tjetër, por edhe se ai i jepet ushtarakut si edhe gjithë përfituesve të tjerë të ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar, pas daljes në rezervë a pension, pas ndërprerjes të së drejtës për ushtrimin e mëtejshëm të profesionit, pas përfundimit në papunësi të detyruar dhe mbetjes pa mjete të tjera jetese. Lidhur me këtë Kushtetuta në nenin 52 pika 2 shprehet: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”. Ligji që e ka caktuar është statusi i ushtarakut dhe jo ligji i sigurimit shoqëror suplementar. Është neni 35 pika 1 e statusit të 23 marsit 2004 ai që ka caktuar masën për kohën minimale dhe shtesën mbi kohën minimale, por edhe përfitimin e kësaj mase deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie. E drejtë kjo e njohur nga neni 52 pika 2 e Kushtetutës që rrjedh nga e drejta për sigurime shoqërore të detyruara parashikuar nga neni 2 e ligjit të sigurimeve shoqërore në RSH. Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH” në nenin 2 “Sigurimet e detyrueshme”, përcakton se “Sigurimi i detyrueshëm është jofitimprures, që mbron me te ardhura: a) Personat e punësuar ne lidhje me: -paaftesine e përkohshme në punë për shkak të semundjes; barrëlindjen; pleqërinë, invaliditetin dhe humbjen e mbajtësit të familjes; aksidentin në punë dhe sëmundjet profesionale; papunësinë. Edhe vendimi nr.2, datë 18.02.2013 i Kushtetueses, përfitimin që vjen nga papunësia e detyruar e përfshin në sigurimet shoqërore bazë (të detyrueshme). Shprehimisht thotë: “…sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar. (Shih vendimet nr.33/2010 dhe 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese). Përsa më sipër nuk ka aspak vend për ta përfshirë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi në skemën e sigurimeve shoqërore suplementare. Ndaj përcaktimi në projektligj “në skemën e pensioneve suplementare”, nuk është aspak ligjor dhe aspak kushtetues.
E treta: Nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar
Rillogaritja në zbatim të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar, nuk bëhet e nuk mund të bëhet jashtë interpetimit që i ka bërë Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.33/2010 dhe nr.2/2013. Çdo rillogaritje në kundërshtim me përcktimet e këtyre dy vendimeve është i papajtueshëm me Kushtetutën, në kundërshtim me të dhe në moszbatim të saj. Vendimi nr.33/2010 nuk lë vend aspak për të bërë një rillogaritje që zvogëlon masën e përfitimit të fituar me ligjin e mëparshëm, ligjin që ishte në fuqi në çastin që i ka lindur e drejta çdo ushtaraku në veçanti. Drejtë për së drejti ai thotë:
– Kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve.
– Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara.
– Në rast të kundërt, pra nëse do të bëhej një interpretim dhe zbatim ndryshe i kësaj dispozite, atëherë do të ishin përpara cenimit të parimit të sigurisë juridike.
– Neni 29 i ligjit 10142, date 15.05.2009 është i pajtueshëm me Kushtetutën, me kusht që dispozitat e tij të interpretohen si më sipër.
– Asnjë interpretim tjetër i këtyre dispozitave nuk është i lejueshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe se mbrojtja e të drejtave të fituara nuk mund të arrihet në rast se dispozitave të kundërshtuara u jepet një kuptim tjetër.
Vendimi nr.2/2013 veçse detyron të shihet vendimi nr.33/2010 dhe nr.9/2007, thotë edhe se:
– Ligjvënësi ka detyrimin të rregullojë në mënyrë më të hollësishme të drejtat e parashikuara në Kushtetutë. Në kuadrin e këtij rregullimi ai nuk mund të prekë ato të drejta, kufijtë e të cilave në Kushtetutë janë parashikuar shprehimisht si të pacenueshme.
– Të drejtat e tjera kushtetuese ai mund t’i kufizojë vetëm në kushtet e nenit 17 të Kushtetutës, pra, për një interes publik, për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve.
Në pikën 26 shprehet:
– Prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim. 
– Ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit,
– Gjykata vlerëson se gjendet para interesit publik që e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit në skemën e sigurimeve suplementare.
Përsa nga rillogaritja, masa e pensionit është zvogëluar dhe për shkak të zvogëlimit nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor dhe antikushtetues, ushtarakët si gjithë përfituesit e tjerë të ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar janë shpallur debitor pa qënë të tillë dhe janë detyruar të paguajnë një detyrim që nuk ekziston për tap or për shtetin, projektligji nuk e gëzon të drejtën e emërtimit “Për faljen e detyrimeve të ish ushtarakëve nga skema e sigurimeve suplementare nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar”.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal