Kadastra fiskale, qeveria miraton marrëveshjen për taksën e pronës

1512
Ngritja e kadastrës fiskale, që do të shërbejë për vjeljen e taksës së pronës, ende nuk është gati, ndërsa vetëm ditën e djeshme qeveria ka miratuar marrëveshjen përkatëse me palën suedeze. Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen e kontributit me Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), për mbështetjen e projektit “Zbatimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës së tregut”. Për këtë qëllim, Suedia ka financuar rreth 3,5 milionë euro. Taksa e pronës ka hyrë në fuqi prej 1 prillit 2018 dhe deri më tani është krijuar një bazë e rëndësishme të dhënash që ndodhet pranë OSHEE-së dhe mund të shërbejë si agjenti tatimor për mbledhjen e kësaj takse, pasi të mbarojë kadastra fiskale. Aktualisht qytetarët paguajnë çdo muaj 100 lekë në faturën e konsumit të ujit si taksë për pasurinë e paluajtshme, ndërsa me mënyrën e re do të paguajnë në bazë të vlerës së shtëpisë. Një masë që do të rëndojë kryesisht bashkitë më të mëdha të vendit, ku edhe vlera e banesave është më e lartë. Formula e re përcakton një detyrim prej 0.05 % të vlerës së apartamentit për qytetarët dhe 0.2 % të vlerës për bizneset. Përcaktimi i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore bazohet mbi prioritetet e vlerësimit, duke ndjekur një radhë të caktuar. Baza e vlerësimit mbështetet te vetëdeklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetëdeklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet. Gjithashtu, njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me kompetencat e kuadrit ligjor në fuqi, mund të kryejnë korrektime në regjistrin e bazës të të dhënave. Korrektimet kryhen bazuar në verifikimet periodike në terren për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore. Verifikimi në terren shërben edhe për të regjistruar për herë të parë ndërtesa/njësi pronësore ose nënndarje të saj. Në këtë rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë informacion nga burime zyrtare, nëse ka, për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore apo nënndarjen dhe e krahasojnë me verifikimin e kryer.
Sigal