Julian Sinanaj akuzon Policin e Shtetit për mbulimin e krimeve në vend

561
Vrasësi me pagesë Julian Sinanaj ka rrëfyer fakte tronditëse lidhur me një sur vrasjesh të realizuara në vendin tonë. Sinanaj i cili tashmë gëzon statusin e të penduarit ka telefonuar në televizionin “News24 ka bërë publike disa detaje të panjohura deri tani për hetuesit dhe opinionin publik lidhur me dosjet në ngarkim të tij. Sipas 32-vjeçarit, Policia dhe Prokuroria po fshehin provat dhe faktet në ngarkim të biznesmenit të hidrokarbureve Ilir Karçini, i cili është i arrestuar për porositjen e vrasjes së rivalit të tij Pirro Bare, ngjarje kjo e mbetur në tentativë. “Po fshihen provat për Ilir Karçinin nga Prokuroria dhe Policia. Kam 7 muaj që jam në qeli dhe nuk kam avokat. Artan Didi ka ardhur personalisht dhe më ka kërcënuar. Në kohën kur Didi ka qenë drejtor i përgjithshëm ka ardhur në qelinë time më ka presion që të mos flas asgjë për Ilir Karçinin. Kërcënime kam marrë dhe për Skerdilajd Konomin. Gjyqtari Konomi u vra nga deputetë e njerëz me pushtet, u vra nga njerëz që dalin përditë në ekrane. Ai u vra nga një person që u arrestua në Shkodër kohë më parë nën shoqërinë e kreut të një bande kriminale”, tha Sinani gjatë telefonatës. Biznesmeni Ilir Karçini u arrestua pas dëshmisë së Julian Sinanaj, i cili dëshmoi se kishte marrë porosi prej tij për të vrarë Pirro Baren. Sinanaj ka telefonuar nga Spitali i Burgut në Tiranë, vend në të cilin mbahen një pjesë e personave që gëzojnë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe që ruhen nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Sinanaj i dyshuar për një sërë vrasjesh me pagesë ka dashur të vijojë më tej rrëfimin e tij, por biseda i është ndërprerë nga gardianët e Spitalit të Burgut. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u vra gjatë gjë atentati me eksploziv paraditen e 9 shtatorit 2011. Megjithëse ngjarja është ende e pazbardhur, pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie, e kryer me pagesë. Julian Sinanaj gjatë seancave gjyqësore ka konfirmuar motivin e vrasjes së gjyqtarit Konomi dhe ka deklaruar se i njeh autorët.
Ja ngjarjet për të cilat akuzohet Julian Sinanaj
I burgosuri Julian Sinanaj sipas prokurorisë, akuzohet për vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, si dhe tentativen e vrasjes së J. M, ku dyshohet të jetë ndihmuar nga Ndriçim Gjokona. Porositësit akuzohen të kenë qenë Andon e Genis Mëhillaj. Po sipas akuzës, ai dyshohet të jetë autori i shpërthimit të eksplozivit në banesën e Ardian Kollozit, si dhe ndërtues i një mine që u gjet në automjetin e ish¬-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Prokuroria pretendon se montimi është bërë nga i pandehuri Marjon Mitro. Ndërsa biznesmeni Karçini akuzohet të jetë porositës i vrasjes së P. Bares, ekzekutim i pakryer. Ndërkohë në dhjetor të vitit të kaluar, Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i dërgoi një letër Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i shqetësuar për nxjerrjen e sekreteve hetimore të dosjes së “Bandës së tritolit”. Në këtë letër numri një i forcave blu i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë se nga kanë dalë të dhënat e dosjes që janë publikuar në media, dhe konkretisht dëshmia e Julian Sinanajt dhe Ndriçim Gjokonës. Sipas Didit, për këtë dëshmi nuk ka pasur dijeni asnjë prej specialistëve të Sektorit të Akteve Terroriste në Policinë e Shtetit. Por, kryepolicin e ka shqetësuar më tepër edhe fakti se Sinani në gjyq ka deklaruar edhe emra të tjerë, por që policia nuk i kishte arrestuar. I penduari i drejtësisë, në të ashtuquajturën ‘banda e tritolit’, Ndriçim Gjokona, ka nxjerrë fakte tronditëse në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, për lidhjet e kriminelëve me struktura të caktuara të policisë.
Sigal