Flet masazhatorja e huaj për babëzinë e zyrtarëve, që nuk u mjaftojnë milionat e grabitura të shqiptarëve. Ja si biznesmenë dhe politikanë të pushtetshëm me shtëpi luksoze më marrin në telefon për masazh. Ngacmimet abuzive dhe shumat e mëdha të parave që hedhin

Nga Jeta Dedja
Burra dhe gra të pushtetshëm me shtëpi luksoze më marrin në telefon. Caktojmë orarin dhe më dërgojnë taksinë për masazh
Gjatë një udhëtimi më qëlloi të isha ulur pranë një shtetaseje joshqiptare (nuk dua të jap shumë të dhëna identifikuese), e cila punonte në Shqipëri si masazhatore. M’u duk interesante të fusja pak hundët në punën e saj. Kishim kohë 80 minuta për të biseduar.
-Kujt i bën masazhe në Tiranë?
Atyre që kanë para.
-Çfarë janë ata që kanë para?
Burra dhe gra të pushtetshëm.
-Si e kupton që janë të pushtetshëm?
Nga shtëpitë luksoze.
-Po tjetër?
Nga komunikimi.

-Ç’do të thotë kjo?
-Epo ata që janë të pushtetshëm nuk janë shumë të sjellshëm.
-Si e shprehin mungesën e sjelljes së mirë?
Duke mos më respektuar.
-Ma shpjego pak këtë…
Më trajtojnë sikur më kanë blerë mua dhe jo shërbimin tim.
-Ç’do të thotë kjo?
Kërkojnë më shumë se masazh. Seks.
-Si u përgjigjesh ti në këto raste?
U bëj masazh të fortë që të mos i ndjejnë muskujt gjatë gjithë ditës.
-Hahaha…dhe ata si reagojnë?
Ata nuk duan të duken sikur u dhemb.
-Çfarë të bën të mendosh që do të kërkojnë shërbimin tënd përsëri?
Sepse jam e huaj dhe të pasurit në Shqipëri preferojnë punonjës të huaj.
-Si ndihesh në shtëpitë e tyre?
Shpesh herë e frikësuar.
-Çfarë të frikëson më shumë?
Fakti që jam e vetme në një vend të huaj dhe askujt nuk do t’i binte në sy mungesa ime.
-Kjo është shumë trishtuese dhe e frikshme. Çfarë të bën të mendosh për mungesën tënde?
Nuk e di, është ndjesi.
-Ke menduar të mos kthehesh më në Shqipëri?
Nuk është një opsion realist për momentin.
-Si të gjejnë këta të pasurit ty?
Flasin me njëri-tjetrin. Me rekomandime. Më marrin në telefon, caktojmë orarin dhe më dërgojnë taksinë.
-Ku janë shtëpitë e tyre?
Në periferitë e Tiranës.
-Më thua dot një objekt të njohur që ndodhet pranë tyre?
Një prej tyre është TEG.
-A ka raste kur të kërkojnë për masazhe edhe në vende të tjera përveç shtëpisë?
Po, në hotele të qendrës.
-Ua di profesionet klientëve të tu?
Disave po.
-Pse vetëm disave?
Se unë nuk i pyes dhe ata nuk më tregojnë.
-Po emrat ua di?
Po.
-Nuk ke patur kuriozitet t’i kërkosh në internet për të mësuar kush janë?
Disave po.
-Pse disave po dhe disave jo ?
Varet nga sjelljet e tyre. Ata që ngacmojnë dua të di kush janë e të di si mund të reagoj herë tjetër. Ata që sillen mirë, nuk më intereson kush janë, e rëndësishme është t’i kem klientë, dhe kur bëhen klientë të regullt, do e mësoj se kush janë e çfarë bëjnë.
-Çfarë pune bëjnë ata që ua di profesionet?
Biznesmenë.
-Si të paguajnë?
Me para në dorë.
-Të japin më shumë se ç’kërkon?
Në të shumtën e rasteve po.
-Ka patur ndonjë që nuk të ka paguar?
Po.
-Çfarë ke bërë?
I kam treguar bosit më të madh dhe e ka zgjidhur.
-Kush është bosi i madh?
Nuk ta them dot. Është sekret profesional ruajtja e identiteteve të klientëve të mi.
-Si sillet ky bosi me ty?
I vetmi që sillet korrekt, por gruaja është pak ndryshe nga ai.
-Si është gruaja ?
Nuk e përcaktoj dot. Ndryshon sjelljet vazhdimisht. Më bën konfuze.
-Si të duken klientet gra në raport me burrat?
Gratë janë të mira, por të trishtuara dhe shumë kritike. Burrat janë të pasjellshëm, të ashpër, të dhunshëm.
-Ke patur ndonjëherë ndjenja për ndonjë klient?
As në ëndërr nuk guxoj ta fus si mendim.
-Je e lidhur me ndonjë shqiptar?
Jooo, kurrë.
-Pse?
Se do më pengonte në punë.
-Ku e di ti?
Më thonë klientët që po të kem të dashur shqiptar, nuk do të me lejojë të bëj këtë punë.
-Është gjë e keqe kjo?
Hmmm nuk e di, mbase.
-Domethënë je e kënaqur me punën që bën dhe nuk do doje ta lije për hir të një djali shqiptar?
Jam e kënaqur me të ardhurat që siguroj nga puna, të cilat do të më ndihmojnë për të ardhmen.
-Si e pikturon veten në të ardhmen?
Me biznesin tim.
-Në të njëjtën fushë?
Këtë di të bëj më mirë.
-Faleminderit që ndave me mua pjesë nga jeta jote. Të vjen keq sikur ta publikoj (të reduktuar) bisedën tonë?
Ok, mjafton të mos kuptohet që jam unë.
-Ka të tjera të huaja që punojnë si ty?
Po, ka disa.
-Dakord, ky fakt e bën më të lehtë publikimin. Faleminderit dhe suksese në planet e të ardhmes.






















