Jo vetëm shqetësime

555
Sigal

     1.Për pronat

   Në ka gazetë që është ulur këmbëkryq tek problemi i pronave, është “Telegrafi”. Është në nderin e saj dhe të shoqërive “Bregdeti”, “Dukati”, “Pronësi me drejtësi” apo të mjaft autorëve si Priamo Bollano, mikut tim të vjetër Ago Nezha etj, që këtë temë aq të rëndësishme e aktuale e kanë trajtuar me përparësi. Për vetë veçantinë sociale që ka marrë problemi i pronësisë së ligjshme, e meriton një trajtim të tillë të vazhdueshëm nga mediat, edhe pse këmbanat, të paktën deri tani, siç tregojnë bathët, kanë rënë e po bien në vesh të shurdhër. Natyrisht, edhe kjo heshtje e zvarritje ka shpjegimin e vet. Disave nuk u intereson. Cilët janë ata? Koha po e dëshmon qartë, e nesërmja do dëshmojë edhe më qartë.

   Ligji 7501, ky përbindësh e gllabërues i pronës nga të ligjshmit, edhe pse u quajt i gabuar dhe i padrejtë, pikërisht prej atyre që e ‘gatuan këtë çorbë’, përsëri ka ngecur si kocka në grykë. Atyre “demokratëve” që e menduan dhe e gatuan, atyre që po e zbatojnë prapa shpine edhe pse flasin për antiligj. Kanë hapur telashe pa mbarim udhërrëfyesit e kësaj fantazme, kanë bërë që të lindin probleme sociale të pariparueshme, pa ditur se cila do të jetë e nesërmja. Veçanërisht në Bregun e Detit, ku çdo pëllëmbë ka pronarin e vet të ligjshëm prej dekada e shekujsh, një ligj i tillë nuk mund të konceptohet aspak si proces demokratik, edhe pse deklarata të shumta të politikanëve e pushtetarëve, të djeshëm e të sotëm, lajnë e lyejnë. Nga njëra anë flasin për pronën tek i zoti dhe nga ana tjetër, pikërisht mbi këto prona, bëhen jorganë për të mbuluar qëllimisht filtrimet e pronarëve të rinj, të panjohur, me dokumente hipotekore e certifikata pronësie… Ngaqë ligji në fjalë, u dha edhe gurin, edhe arrën, disave që bënë si u desh qejfi. U dhanë farefisit, miqve e shokëve  sipërfaqe pa mbarim, edhe pse u përkasin të tjerëve. Dhe tani hajde e gjeje fillin, ku një pjesë e këtyre sipërfaqeve janë shitur. Ndoshta, edhe disa  vendimtarëve të zonës u ka pëlqyer ky veprim, për të gjetur shesh e bërë përshesh akoma më tepër gjërat. Ujku mjegull kërkon…

    Është vërtet shqetësues kur ndeshesh me fakte të padiskutueshme. Dikujt edhe pse jo banor i fshatit, i jepet në pronësi (më e bukura, me vendim gjyqi) prona e një fisi të tërë, duke lënë pronarët e ligjshëm me gisht në gojë. Është vërtet për t’ u shqetësuar që ngjitur me pronën e gjyshit, stërgjyshit, të shfaqet me certifikatë pronësie pronar i ri, i panjohur si kufitar. Nuk është shqetësues për fshatin apo krahinën, kur tjetri, edhe pse banor i vjetër, hipotekon me dhjetëra hektarë, kur i tërë fshati e njeh për pronar trashëgimtar të 4-5 dynymëve? Apo kur prona e gjyshit, e ndarë me dokumentacion të ligjshëm  80 vjet më parë në mes të dy  djemve, me ligjin e famshëm dhe me firmën e vulën e mjeshtërve të tij, njëri përfiton  tri të katërtat e sipërfaqes e tjetri thërrimet e ‘byrekut’. Nuk po flasim për mbivendosjet pa mbarim, që e nesërmja nuk i dihet se si do të gdhihet. Dhe ministri Panariti na del në Grabian të Lushnjës, e uron banorët që ta gëzojnë tokën me Ligjin 7501. Se ç’mu kujtua Gorreja, po e Lushnjës, e ‘46-ës. Nga jashtë kukull, nga brenda panukëll. Mbi 20 vjet kjo përrallë dhe pa asnjë legalizim. Dy-tre komisione kanë kaluar në Bregdet  për legalizimin e banesave dhe të trojeve.

       Është e tepërt për të vazhduar me tej. Ligji 7501, është thikë në shpinën e pronarëve të ligjshëm. Ndoshta, që disa peshkaqenë të përfitojnë filetot e Rivierës, e të bëhen zotër të tyre, ndoshta që disa vendimtarë në fshatra e krahinë të mundin të realizojnë objektivat e tyre. Ndoshta, ndoshta, kush e di se çfarë tjetër. Kjo, jo vetëm shqetëson, por dhe paralajmëron…

        2. Për  ndarjen territoriale

   Shumë zhurmë është bërë e po bëhet për ndarjen e re territorialë. Por të bën përshtypje që tehu i diskutimeve dhe i përplasjeve të shumta ka rënë në zonën e Bregdetit. Variante nga më të ndryshme janë hedhur në tryezë, jo me këtë, jo me atë. Problemi nuk qëndron as tek traditat, sa tek besa e fqinjësia e njërës zonë me tjetrën, të cilat ashtu si dje dhe më shumë sot janë simbol. Problemi nuk zgjidhet as në të kërkuar ndihmë tek njëri apo tjetri.   Problemi i njësimit të zonave është i brendshëm dhe vetëm banorët  e zonave mund ta zgjidhin, komisionet e ngritura posaçërisht për këtë qëllim, japin vetëm mendime e projekte, aspak vendime. Në të kundërt, kemi të bëjmë me shkelje të parimeve demokratike. Sepse, diskutimi i këtij problemi shumë delikat nuk qëndron tek principatat e dikurshme, kur nuk ekzistonte shtet, as tek copëtimi i dikurshëm i krahinave dhe zonave, por shumë më shumë tek ana funksionale e njësive të reja që mendohet. ‘Se ku rreh çekani” i varianteve të paraqitura, personalisht nuk më intereson, ajo që më shqetëson është sa do të mundet banori i Labërisë apo ai i Himarës të kapërcejnë male   dhe gërxhe me orë të tëra (në dimër absolutisht e pamundur), qoftë edhe për një formalitet familjar. Apo burokracia e stisur qëllimisht në vitet e demokracisë do të zhduket me magji? Pozicioni gjeografik e zonave të lartpërmendura, është ‘gjemb’ që të bën të mendohesh thellë. Sa për interesat ekonomike të njësive të reja, siç mendohet, ka shtet në komandë që i  bashkërendon gjërat në interes të gjithë popullit.

       3. Për ditën e Çlirimit.

Pak a shumë jam në gjendje të arsyetoj që historia e viteve të kaluara është shkruar, jo nga historianët, por nga politikanët-historianë. E megjithatë. Historinë  e vërtetë vetëm një popull mund ta shkruajë e vulosë qartë. Sepse më kanë bërë përshtypje mendime nga më skandaloze e të çmendurish për epopenë e Luftës së Lavdishme Nacional-Çlirimtare. Ajo as nuk mund të fshihet dhe as të interpretohet sipas orekseve e interesave politike. Ishte luftë frontale bashkë me gjithë Europën kundër bishës nazi-fashiste dhe ata që e barazojnë me luftë civile, denoncojnë veten për “patriotizmin” e tyre dhe “dashurinë” për kombin. Heroizmi i partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga familjet e tërë populli, sakrificat e tyre nuk mund të harrohen lehtë. Është gjaku i heronjve dhe i dëshmorëve të kësaj lufte, që nuk mund të lahet e fshihet.

Personalisht nuk i përjetova ato vite, por nuk mund të mohoj prindin tim ish-partizan në Brigadën e 12 Sulmuese, bashkë me mjaft fshatarë të  tjerë që i ranë kryq Shqipërisë në ato vite të vështira, përulem me respekt para dëshmorëve të fshatit tim, apo të heronjve në mbarë vendin. Harrohen nga kujtesa Borova e Vunoi të djegura e përzhitura nga armiku, këshilltarët e Ngurrezës, trimat  e Labërisë, besa e malësorit?

Por nuk mund të ndjej krenari për ata që duan të nxijnë këtë epope. Disa u munduan që të fshijnë edhe 29 Nëntorin si ditën e Çlirimit, por u ngeci “dopio gjashta” në dorë. Tani, në këtë vit jubilar, flitet  e ç’nuk flitet. Na dalin nacionalistët e  ballistët “kryetrimat” e kohës, duke bërë apelin e të rënëve të tyre. Ku? Duke vjedhur e shkatërruar, apo duke ndihmuar pushtuesin.  Të paktën historia e dëshmon qartë, historia e popullit të thjeshtë. Dokumentet e hershme arkivore të vendit e të huaja, që po dalin dukshëm në dritë, zotërinjtë që po rrahin gjoksin për të djeshmen e tyre të errët, po i vendosin në anën tjetër të medaljes. 70 vjetori është Jubile dhe përkushtim për ata që luftuan, për ata që flijuan lulen e rinisë, është festë për tërë popullin. Edhe komandantit, edhe partizanit më të fundit, i jepet ajo që i takon. Dhe në këtë përvjetor u takon, nderi, krenaria, lavdia, përkujtimi, betimi para tyre për të sotmen e të nesërmen. Gjaku i rënë në lufte ende “thërret”, na jep mesazhe.

 Foto Lesko

***

Debati për reformën territoriale, ministri Çuçi: Gati të dëgjojmë opozitën

 Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, tha se nga opozita nuk ka ende një propozim konkret për reformën territoriale. Çuçi tha PD e ka derën e hapur për çdo propozim të shëndoshë dhe që përputhet me axhendën e qeverisë. “Ne kemi ftuar të gjithë nivelet, që nga niveli i ekspertëve deri në parlament. Mirëpresim çdo propozim nga opozita, ka akoma kohë që opozita të bëhet pjesë e procesit, pasi ne duam që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, por gjithmonë duke pasur parasysh axhendën që ne tashmë e kemi bërë publike dhe tashmë është transparente. Ne jemi të hapur ta diskutojmë dhe me opozitën. Deri tani nuk kemi marrë asnjë propozim nga opozita”, tha Ministri. Mazhoranca ka bërë të qartë se ndryshimet në hartën administrative-territoriale të Shqipërisë do të miratohen brenda këtij sesioni parlamentar, që mbyllet në fund të korrikut.

Debatet për reformën

Deklaratat e një pjese të himariotëve se nuk do të njohin ndarjen e re territoriale, për Çuçin nuk bëjnë sens. Në takimin që u zhvillua në qytetin e Himarës me banorët e fshatrave të Bregut diskutantët mbështetën gjerësisht bashkimin e Himarës me Vranishtin e Lukovën. Këtë projekt e kundërshtuan vetëm disa nga njerëzit e Bollanos, të cilët shprehën pakënaqësinë për bashkimin me Vranishtin, fshat i Vlorës, pasi sipas disa diskutantëve banorët e atyre zonave merren me drogë dhe kanë kriminalitet të lartë, ndaj duan të përzihen me ta.

Reforma territoriale ka gjetur kundërshtime dhe nga banorë të Orikumit, të cilët janë shprehur se do të hidhen në protesta nëse i mëshohet bashkimit të Orikumit me Vlorën. Gjithashtu banorët e tre komunave në Berat kundërshtojnë me protestë reformën territoriale. Në protestë janë përfshirë banorë të komunave Poshnje, Kutallisë dhe Urës Vajgurore. Banorët shprehen kundër shkrirjes së Bashkisë së Urës Vajgurore. Po ashtu dhjetëra banorë në Memaliaj nuk e kanë pritur mirë ndarjen e re administrative që parashikohet në reformën territoriale. Memaliaj humbet statusin e bashkisë dhe do të varet në këtë mënyrë plotësisht nga Tepelena. Protestuesit kanë kërkuar të jenë bashki më vete, duke përfshirë në administrimin e kësaj njësie komunat Krahës, Qendër-Tepelenë, Buz, Qesarat dhe Luftinjë. Një protestë e ngjashme është zhvilluar edhe në Poliçan.