Jo vetëm Iljaz Vrioni, por…!

2694
Evdal NURI 
……. dhe mjaft Vrionas të tjerë kanë qenë personalitete dhe kanë dhënë kontribut të shquar në çështjen Kombëtare Shqiptare. Këto ditë gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në Qendrën e Kulturës së qytetit të Beratit, Presidenti Ilir Meta nderoi Iljaz Vrionin (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për kontributin që ka dhënë për Kombin shqiptar. Po ashtu edhe sheshin në qendër te qytetit e quajnë me emrin “Iljaz Vrioni”. Busti i tij do të vendoset aty në qershor, kohë që përkon edhe me 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Iliaz Vrioni mbetet figura më e shquar e Vrionasve dhe ndër më të shquarat në historinë e shtetit shqiptar. Ishte një nga nënëshkkruesit e Aktit e Shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Personalitet i rëndësishëm dhe i shquar politikë e shtetëror. Diplomat shqiptar i rangut të lartë, burrë shteti me një veprimtari të gjerë politiko-administrative-shoqërore. Ka qenë tri herë Kryeministër i Shqipërisë dhe pesë herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris, Francë. Ai njihet për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare. Është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me Urdhrin e Lartë “Grand Officier de la Légion d’Honneur”. Vdiq në Paris në moshën 50 vjeç, si ambasador i Shqipërisë. Për kontributin që kishte dhënë, u ballcamos dhe e prunë në Berat për t’u përjetësuar. Iljaz Vrioni i dha shumë Shqipërisë e shtetit shqiptar. Prej tij ai s’vuri asnjë pasur,i të paktën për t’ua lënë të tijve pas. Veç mori një grusht dhe!

Në vitin 1946, regjimi diktatorial i zhvarrosi eshtrat e ish-Kryeministrit Iliaz Vrioni për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit, duke e lënë ende këtë personalitet të vyer të kombit shqiptar pa varr. Duke u nisur nga ky vlerësim, krahas ç’dija nga historia, shfletova shumë dokumente për familjen Vrioni, e parë krejt ndryshe në dy periudha që po jetojmë . Dy raste që më ka treguar daja, Enver Vrioni: Të shtunave në Sarajet e Vrionasve në Berat shtrohesh drekë falas për të gjithë fshatarët që bënin regëti në Berat. Tokat ia kishim dhënë ujqërve. Ata i punonin e sillnin aq sa kishin mundësi, por duke hequr çka i nevojiteshin për gjithë vitin . Prof. Dr. Pandeli ÇINA më tregoi: “Në Sarajet e Vrionasve çdo javë mblidheshin “Paria e Beratit”, myslimanë e të krishterë. Diskutohej për çështjet Kombëtare, por dhe për unitetin e dy feve në Berat!” 
1- Pak histori për Vrionasit e tjerë.
Kontributi patriotik i familjes Vrioni, pasurohet me figurën e Mehmet Ali Pashë Vrionit. Atdhetar, një nga personalitetet më të shquara të periudhës së Rilindjes Kombëtare. U lidh ngushtë me Avdyl Frashërin që në ato vite ishte deputet i Perandorisë. Më 22 Qershor 1878 krijoi degën lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat . Ka qenë anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve i Komitetit të Janinës, i Shoqërisë së Stambollit dhe përfundimisht Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit 1878, anëtar i të cilës ish dhe Omer Pashë Vrioni. Në Kuvendin e Sinjës 10-23 Korrik 1912 morën pjesë dhe nënshkruan memorandumin, katër Vrionas: Iljaz, Kahreman, Qemal e Neshat Vrioni. 

Jusuf Vrioni
Djali i Iljazit, ishte përkthyes i shkëlqyer i frëngjishtes. Shkrimtar, dipllomat që shkriu aftësitë për të bërë Shqipërinë të njohur në Botë, edhe pse nga regjimi komunist u dënua me 13 vite burg! 

Dylber Vrioni
Deputet i Kuvendit Popullor. Në 1994 u emërua Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Financave. Ka meritën në zgjidhjen me sukses të borxhit publik të Shqipërisë me disa shtete të Evropës, si edhe në nënshkrimin e borxhin privat të R. Sh. me 41 banka të Evropës Perëndimore .

Persekutimi 45-vjeçar i Vrionasve!
Terrori i diktaturës ekzekutoi me pushkatim, burgosi dhe internoi në kampe përqendrimi gati të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, të cilët janë padyshim të shumtë. Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, citojmë vetëm disa raste: 

– Më 1947, Sami Bej Vrioni vdiq në tortura; 
– Qemal Bej Vrioni u ekzekutua më 1950; 
– Izedin Bej Vrioni më 1947; 
– Kahreman Pashë Vrioni vdes në rrethana të panjohura më 1955; 
– Nermin Vrioni vdiq në gjendje te keqe.

Por ky persekutim nuk mbaroi me kaq. Ngjarje, jo vetëm të dëgjuara, por edhe të jetuara! Tri herë e futën në burg Irfan Vrionin, i ati i Dylber Vrionit, vetëm se fliste kundër komunizmit. U dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burg. 
Histori interesante. Pas 35 vjetësh përqafohen, gjenerali i internuar me ballistin e dënuar
Todi Naço dhe Enver Vrioni kishin qenë studentë në Akademinë ushtarake në Torino të Italisë .Në 1975 u “zbulua“ grupi armiqësor në ushtri. Todi Naço u internua në Berat, duke i dhënë shtëpi në “Lagjen Barrikada” ku banonte Enveri. Me tej Enveri tregon: “Këmbeheshim rrugës, por flisnim me sytë e zemrës”. Ishte një natë e errët. U gjendëm ballë për ballë. Nuk kishim ku të futeshim. I shtrënguam dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuam me shumë mall. Todi më tha : “Enver, e di që ke vuajtur shumë.” T’më besosh, se nuk mund të ndihmoja! Ik, tani duhet të kesh ti frikë nga unë! Por të dish një gjë: “S’jam kaq i zi sa ke dëgjuar” . Ishte mjaft i mërzitur. U ndamë për mos t’u parë kurrë, mbasi pas disa ditësh e internuan në fshatin Lapardha. 
Fotografit që i ndryshuan mbiemrin! 
Quhet Eshref Vrioni. Me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut në Tiranë u organizua një ekspozitë për pikturën, skulpturën e fotografinë. “Unë, tregon Eshrefi, u paraqita me disa foto nga puna në Kombinat. Komisioni i pëlqeu shumë, por mbeti keq kur mësoi mbiemrin, Vrioni. Në atë ekspozitë do të vinte dhe i “Madhi”. Qysh t’ia bënin?! Zgjidhja u gjet. Fotot nga “Eshref Vrina”. Kur kërkova që të korrigjohesh mbiemri më thanë: “Ka gabuar”, ai që i ka shkruar, tani s’bëjmë ndryshime! Më vonë më sqaruan, se ishte më mirë për ta, por dhe për mua, mbiemri Vrina e jo Vrioni”. Ky mbiemër do të dëmtonte të dy palët. Çfarë nuk bëhej në atë kohë! Unë s’kam qenë i persekutuar, por komunist s’mund të bëhesha. “Je laraman”, se nëna ime ishte bijë e familjes Vrioni. Pyetja? Ç’të “keqe” i ka bërë kjo familje Kombit shqiptar për t’u parë si “dele zezë”? Gjithçka që ka pasur e ka vënë në shërbim të Atdheut. Atëherë, pse ky trajtim? Pse ka qenë e pasur? E ditur? Patriote apo bujare? Gjithçka që ka pasur e ka vënë në shërbim të Atdheut. Kjo është familja Vrioni që është krejt ndryshe nga ç’kemi mësuar e dëgjuar! 
Sigal