“Jemi në protestë që fëmijët e këtij vendi mos ikin në emigracion”, avokati Adriatik Lapaj: Nuk largohemi nga Kryeministria derisa të plotësohen kushtet!

153
Sigal

Avokati dhe njëkohësisht aktivisti, Adriatik Lapaj ka folur gjatë protestës përballë Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj paralajmëroi kryeministrin Rama se nuk do të largohet derisa të plotësohen kushtet e shoqërisë civile.

“Kjo është një protestë për drejtësinë sociale, kjo është një protestë kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës, kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe gazit. Jemi në protestë që fëmijët e këtij vendi mos ikin në emigracion. Sot ka shpresë dolët në shesh edhe në shi, ne jemi këtu prapë së bashku. Mos e harroni jeni duke mbajtur gjallë flakën prandaj mos u dorëzoni”, tha Lapaj gjatë fjalës në protestë.

Adriatik Lapaj, një nga personat që ka bërë thirrje në rrjete sociale për protestën, tha se një sukses të parë e kanë, pasi kryeministri lajmëroi se nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.

“Kryeministri reflektoi për energjinë elektrike, por kjo nuk mjafton. Sot jemi dhe për çmimin e bukës, ushqimit të shportës, karburanteve, por edhe për të ngritur zërin për meritokraci, për drejtësi sociale dhe për të kërkuar që në këtë vend të marrë fund tranzicioni i stërzgjatur ku ndahen në dy kampe shqiptarët. Çdo qytetar që e ndjen se duhet të protestojë, le ta bëj atë. Misioni që duhet të kemi është që qytetarët të reagojnë për veten e tyre.

Nuk themi dot se sa sukses do të ketë kjo, por një sukses të parë e kemi, energjia elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset. Se sa sukses do të ketë, nuk e di, por në dorë kam përpjekjen time të sinqertë. Qytetarët marrin këtë mësim të madh dhe politika t’i vendosë gishtin kokës”, tha Lapaj.