“Jam i mallkuar nga Zoti, mora në qafë veten time”/ Zbardhet dëshmia e Lulzim Cukut në gjykatë, vrau me thikë në zemër gruan

483
Sigal

Lulzim Cuku, i cili vrau me thikë në zemër gruan e tij, Manjola Cukun ka rrëfyer detaje nga krimi i rëndë.

Në seancën e gjyqësore në Gjykatën e Durrësit, para gjyqtarit Petraq Curri ka treguar se gruan e tij e goditi me thikë në banjo dhe më pas e mbylli derën që të mos e shikonin fëmijët.

“Unë mora në qafë atë e mora në qafë edhe veten time. Jam i mallkuar nga zoti që kam bërë këtë”, është shprehur ndër të tjera ai.

Biseda në seancën gjyqësore:

Gjyqtari Petraq Curri: I pandehur çfarë ndodhi atë natë?

Lulzim Cuku: Vumë fëmijët në gjumë nga ora nëntë. Ne u zumë në dhomën e gjumit fjalë pas fjale. Pastaj vajta në kuzhinë e mora thikën e bukës. E çova në banjë.

Gjyqtari Petraq Curri: Çfarë ndodhi në banjë? Pse e kyçe nga jashtë? A mendove për tre fëmijët?

Lulzim Cuku: Në banjë e qëllova. Më thoshte s’ke punë me shtëpinë. Më thoshte do të të marr shtëpinë. Mendoja për fëmijët.

Gjyqtari Petraq Curri: Çfarë mendove për fëmijët? Pse e le gruan brenda në banjë të kyçur nga jashtë?

Lulzim Cuku: E lashë që të mos e shikonin fëmijët se do trembeshin.

Gjyqtari Petraq Curri: Pse e le gruan të kyçur, ajo s’kishte mundësi të dilte e të kërkonte ndihmë.

Lulzim Cuku: Jo, jo e kyça vetëm të mos e shihnin fëmijët se trembeshin.

Gjyqtari Petraq Curri: Çfarë bëre më pas?

Lulzim Cuku: Ika lashë fëmijët në gjumë. Mora makinën dhe ika u nisa për në fshat por rrugës kam përplasur makinën dhe kam ikur me makina të rastit në Dibër.

Gjyqtari Petraq Curri: Po kur fëmijët e gjetën nënën e tyre të larë në gjak, e mendove këtë?

Lulzim Cuku: E mendova ta kyçja banjën që të mos e shihnin fëmijët.

Gjyqtari Petraq Curri: Çfarë bëhet me fëmijët tani e mendon këtë?

Lulzim Curri: Unë mora në qafë atë e mora në qafë edhe veten time.

Gjyqtari Petraq Curri: A ke gjë tjetër për të na thënë?

Lulzim Cuku: Jam i mallkuar nga Zoti që kam bërë këtë.

Ngjarja e rëndë ndodhi para disa ditësh në Xhafzotaj të Durrësit. Çifti Lulzim dhe Manjola Cuku kanë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, përkatësisht të moshës, 2, 7 dhe 10 vjeç. 45 -vjeçari shkonte herë pas here në Greqi, ku punonte si emigrant.

Familja njihet edhe me mbiemrin Lika. Ata janë me origjinë nga Dibra dhe prej vitesh jetonin në Durrës.