Jak Simoni: Shqipëria nuk ka kuota, mataruantët nisen drejt Europës

357
Sigal

Maturantët: Do të shkojmë të studiojmë në Itali, sepse në Shqipëri nuk plotësojmë kriteret

Paradoksal është fakti që një pjesë e madhe e maturantëve nuk mund të studiojnë në universitetet  shqiptare, ndërkohë që  kuotat, kryesisht  të universiteteve  të rretheve, ngelen të paplotësuara.  Kjo  ndodh nga kriteri  i  përvitshëm i mesatares  së vendosur  në kundërshtim me të drejtën e arsimimit. Kështu, një pjesë e maturantëve  kërkojnë  të arsimohen në vendet, ku Kushtetuta  zbatohet  jo vetëm  për qytetarët e vendit në fjalë, por dhe për  të huajt. Në kushtetutat  e vendeve  perëndimore  garantohet e drejta e arsimimit dhe konkurrimi nga një nivel më i ulët,  në një nivel më të  lartë  të studimeve, është i hapur  për të gjithë ata studentë që kanë mbyllur studimet  në nivelin paraprak, kurse në Shqipëri kriteri i notës mesatare ia ndalon arbitrarisht  maturantit  këtë mundësi  konkurrimi.

Ndonëse ky kriter është vendosur me qëllim që të garantojë  cilësi në arsimin e lartë, kryesisht  në ato fakultete,  ku përgatiten  mësues dhe për të ndaluar inflacionin  e diplomave në  dhjetëvjeçarët  e fundit, efektet janë mjaft  negative si për maturantët, si për universitetet ashtu dhe për shoqërinë shqiptare. Të zhgënjyerit  kryesorë  në momentin  më të bukur  të jetës së tyre janë maturantët,  të cilët do ta kërkojnë të drejtën e studimit në një vend  tjetër. A nuk është paradoksale  të dëgjosh: “do të shkoj të studioj në Itali ose në Gjermani, sepse në Shqipëri  nuk plotësoj  kriterin e notës mesatare”. Në historinë e arsimit kush është përpara? Natyrisht, udhë të mbarë  dhe suksese atyre që kanë rezultate të larta dhe mundësitë ekonomike, por të tjerët, do të kuptojnë shpejt, se janë material  rinor  i hedhur, (për ta thënë sipas Hiedegger),  nga vendi i tyre, nëpër  rrugët e Europës.  Shumë shpejt këta të rinj, apo të reja,  do të përballen me një kriter tjetër therës, atë ekonomik. Do t’i shqetësojë mbijetesa më shumë  se studimet, megjithëse thuajse të gjithë kanë të afërmit e tyre atje, por ata mund të mos jenë atje ku është universiteti dhe natyrshëm,  kanë për të përmbushur fillimisht  nevojat e  fëmijëve të tyre.

Jemi një shoqëri që nuk u mundëson  të rinjve  të zbulojnë dhe të zhvillojnë  interesat dhe  pasionet  e tyre për  dije, e mbi të gjitha të ndërtojnë  të ardhmen  në vendin e tyre. Këta të rinj, sapo marrin diplomën e maturës, bien në kurthin e ngritur për të paguar për “mëkatin” e notave jo të mira  që kanë marrë më parë. Pastaj, a është e sigurt se këto nota  nuk janë ndonjëherë  dhe  fiktive?  Çfarë do t’i thuhet një të riu, apo të reje që  ka pasion letërsinë, apo historinë dhe nuk ka marrë nota  të mira në lëndët e tjera? Vendet janë bosh, por nuk ke të drejtë as të konkurrosh. Vitet e kaluara këto programe ishin thuajse bosh. I bie që, meqenëse nuk vijnë për të studiuar,  ata  që kanë mesatare të lartë, histori, apo ndonjë lëndë tjetër, mos të studiohet fare. E si mundet të ndodhë  kjo? A nuk është historia studim i së shkuarës,  për mos t’i përsëritur  gabimet, apo ne nuk kemi gabime në të shkuarën? Apo, ç’na duhet  historia, se mos vallë, (për ta thënë si Niçe),  do të bëjmë histori ne? Apo, akoma më keq, të rinjtë le të njohin  të shkuarën  e dikujt  tjetër dhe të kërkojnë të ardhmen  diku tjetër. N.q.s. vazhdohet në mënyrë direkte, apo indirekte  të dëbohet  rinia, universitetet dhe shoqëria  jonë do të përfundojnë  në agoni.