Ja si u grabitën qytetarët në kulmin e pandemisë

226
Sigal

Laboratorët privatë, kanë 4-fishuar fitimet gjatë pandemisë, teksa ministria e Shëndetsisë u bë palë në grabitjen e qytetarëve, të cilët morën kredi dhe para borxh për të blerë ilaçe. Shqiptarët shpenzuan 90 mln. euro në vit për t’u kuruar te privati, dhe 50 mln. euro për kurimin dhe transportin në spitalet e huaja. Skandali më i madh ishin testet monopol që u blenë nga 3-8 euro dhe iu shitën qytetarëve deri në 120 euro. SPAK dhe KLSH nisin hetimet

Ja si u grabitën qytetarët në kulmin e pandemisë

Laboratorët privatë kanë 4-fishuar fitimet gjatë pandemisë së COVID-19, teksa Ministria e Shëndetësisë  nuk veproi të mbrojë shëndetin dhe financat e qytetarëve

Laboratorët privatë që ofruan të parët analizat për COVID-19 rezultuan përfituesit më të mëdhenj financiarë të pandemisë. Kërkesa e shtuar për tamponë, në mungesë të përgjigjes nga shteti, u siguroi atyre fitime deri në 12 herë më të larta se vitet e kaluara. Disa prej laboratorëve mjekësorë privatë mjekësorë siguruan vitin e kaluar të ardhura dhe fitime që nuk i kishin realizuar ndonjëherë. Nevoja për të kryer teste Covid-19, krijoi radhë të gjata në qendra laboratorike dhe në kufi, ku privatët administronin tamponët, fillimisht me çmim mbi 90 euro. Genius Lab, ndër të parët që nisi shërbimin e testeve Covid, fitoi 1.9 milion euro nga 147 mijë që deklaronte në 2019. Edhe Intermedica i 4-fishoi fitimet, duke përfituar 2.2 milion euro në vitin e pandemisë.Ndërkaq, edhe spitalet private raportojnë rritje të të ardhurave, por duke mos i veçuar të ardhurat e laboratorëve që kryejnë teste Covid.

Ministria e Shëndetësisë ka licencuar prej korrikut, 12 laboratorë privatë, të cilët supozohej se do të testonin qytetarët për dokument udhëtimi. Por, subjektet private pranuan edhe individët me simptoma, teksa shteti nuk përgjigjej në kohë për ta. Madje dy prej tyre, Biocheck dhe Unilab u hapën dhe u licencuan rishtaz për të kryer analiza të koronavirusit.Ndërkohë, në Qendrën Kombëtare të Biznesti, për Sombrero dhe Pipero Medical, të ardhurat e vitit 2020, nuk janë përditësuar.

Ekspertët e shëndetësisë

Mjeku Erion Dasho se gjatë periudhës së pandemisë qytetarët kanë paguar kostot e shtetit sa i takon testeve për COVID-19. Sipas tij duhet të ishin marrë masa për të vendosur çmime referente dhe taksa çmimi fikse për laboratorët privatë në mënyrë që të mos “rripeshin” qytetarët. Specialisti i Shëndetit Publik komentoi se një test kushtonte 5-6 fish më shumë se kostoja, ndërsa një test antigjen ishte dhjetëra fish më i shtrenjtë. Dasho sqaroi se ligji i sëmundjeve infektive thotë qartë se kostot përballohen nga shteti dhe qytetari përfiton falas shërbimet shëndetësore.“Në rast se një organ rregullator si Ministria e Shëndetësisë nuk merr masa për ta kontrolluar këtë ‘zhvatje’ të qytetarit shqiptar atëherë pikëpyetja që ka të drejtë të ngrejë çdo kush është: Kush po përfiton nga këto çmime?” – u shpreh mjeku.

Shqiptarët, 90 milionë euro në vit për t’u kuruar te privati

Shqiptarët shpenzuan së paku 92 milionë euro gjatë vitit 2020 për shërbime spitalore dhe diagnostikuese private me një rritje prej afro 15 milionë eurosh ose 19%, sipas të dhënave financiare të 11 kompanive të analizuara për këtë shkrim. Pjesa më e madhe kësaj rritjeje duket se erdhi nga shpenzimet e shqiptarëve për analiza, veçanërisht në kompanitë e licencuara për analiza të koronavirusit të ri.       Kujtojmë se Shqipëria ishte vendi me përhapjen më të ulët të Covid në një kohë kur njerëzit vdisnin në shtëpi dhe vendi ishte kthyer në një spital të madh dhe blinin një bombul oksigjeni 1 mijë euro

Raporti: Shkeljet e konstatuara

Raporti i KLSH për menaxhimin e pandemisë hedh dritë mbi një seri shkeljesh nga institucionet shtetërore në vend, të cilat nuk ia dolën të veprojnë në kohë, të mbrojnë shëndetin dhe financat e qytetarëve, si dhe në shumë raste dolën jashtë kornizave ligjore.

-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk u koordinua me Planin Kombëtar të Emergjencave Civile për menaxhimin e pandemisë.

-Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit organi që akrediton laboratorë testues, mjekësorë dhe kalibrues është përjashtuar nga e drejta e saj ligjore, pasi kompetencat iu morën nga Komiteti i Ekspertëve dhe MSHMS-ja, ka duke cenuar vërtetësinë e analizave laboratorike për Covid-19. KLSH sugjeron riakreditimin e laboratorëve jopublikë për Covid-19, me pjesëmarrjen e DPA-së.

-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nuk kanë hartuar udhëzimin e përbashkët për kriteret dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të mbledhura nga tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor.

-Mosnxjerrja nga MSHMS e një urdhri administrativ për ofrimin falas ose rimbursim të pjesshëm të vizitave dhe mjekimeve në institucionet shëndetësore jopublike, shkaktoi një kosto të lartë për qytetarët dhe një perceptim të gabuar për sistemin shëndetësor.

-Për njohjen e të drejtës së 8 laboratorëve jopublikë për kryerjen e testit RT-PCR për
SARS-COV-2, nuk ka referencë ligjore të cituar në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 437, datë 23.07.2020, rrjedhimisht kjo vendimmarrje nga MSHMS është e pa bazuar dhe në kundërshtim me Ligjin.