Ja si shpërdoroheshin paratë e qytetarëve nga Niko Peleshi

552
KORÇË- Ish-kryetari i Bashkisë Korçë, Niko Peleshi, ka bërë pagesa në shuma të konsiderueshme ndaj subjekteve ose personave të tretë, (medie dhe fondacione), por pa prokurim dhe në shkelje të hapur të ligjit. Gjatë viteve 2012-2013 shuma e pagesave shkoi në 4,924,417 lekë, por gjithçka do të bëhej e njohur vetëm pas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në raportin e tij thekson: “Nga auditimi ka rezultuar se për periudhën 01.01.2012 deri 31.12.2013, pavarësisht miratimeve në Këshillin Bashkiak, pa u zhvilluar më parë procedura prokurimi, dhe pa u mbështetur në dispozitë ligjore, nëpërmjet kontratave të nënshkruara nga ish-kryetari i bashkisë z.Niko Peleshi, janë kryer pagesa ndaj subjekteve apo personave të tretë, në një vlerë prej 4,924,417 lekë, respektivisht për vitin 2012 në vlerën prej 3,319,700 lekë dhe për vitin 2013 në vlerën prej 1,604,717 lekë”. Të detajuara mund t’i paraqesim në këtë mënyrë: për mediat vizive gjatë viteve 2012-2013 u paguan 586,500 lekë, ndërsa për mediet e shkruara, 240,000 lekë; për fondacione 3,700,707, për të rinjtë, projekti YEP, 250,000 lekë, për abonim, gazeta ditore 111,211 lekë dhe për Abisnet sh.a, (internet), 36,000 lekë. Gjithsej 4,924,417 lekë. Që të gjitha këto kontrata u nënshkruan nga Niko Peleshi pa iu referuar ligjeve të shtetit. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vlera prej 826,500 lekë u pagua për 3 medie televizive në vlerën 586,500 lekë dhe për 3 medie të shkruara në vlerën 240,000 lekë. Pagesat e mësipërme në vlerën prej 826,500 lekë, (509,500 + 225,000), vetëm nëpërmjet lidhjes së kontratave, midis pronarëve të medieve dhe ish-kryetarit të Bashkisë Korçë Niko Peleshi, janë bërë në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në VKM nr. 1195, datë 05.08.2008 ”Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëpunimin e programeve atë të reklamave për transmetimin nga Operatorët Radiotelevizivë ose botim në median e shkruar dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore”
Ku janë shkeljet ligjore?
Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren, së pari, që nuk janë përzgjedhur organet e masmedias, dhe kjo në kundërshtim me pikën 7, të VKM së mësipërme, ku përcaktohet se: në vartësi të llojit të programit, reklamës apo spotit, kushtet e veçanta, për përzgjedhjen e organeve të masmedias, agjencive të specializuara, janë: a) organi i masmedias, agjencia e specializuar (ndërkombëtare, kombëtar e vendore). b) çmimi i ofruar nga organi i masmedias apo agjencia e specializuar, dhe c) koha e transmetimit, gjë që Peleshi nuk e ka marrë parasysh. Së dyti, nuk është krijuar komision për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve, në kundërshtim me pikën 8 të VKM së mësipërme, ku përcaktohet se komisioni për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve përbëhet nga 5 anëtarë, 3 prej tyre specialistë të fushës. Por edhe kjo pikë nuk është përfillur nga ish-kryetari i Bashkisë, z. Peleshi. Së treti, nuk u është shpërndarë organeve të masmedias, agjencive të specializuara, ftesë për negociata, etj., dhe kjo në kundërshtim me pikën 9 të VKM së mësipërme, ku përcaktohet se: Komisioni brenda një periudhe kohore 5-ditëshe nga data e daljes së urdhrit, u shpërndan me korrespodencë zyrtare organeve të masmedias, agjencive të specializuara ftesën për negociata. Ftesa për negociata publikohet edhe në faqen e internetit të institucionit. Siç e vini re, edhe kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Së katërti, në kushtet kur nuk është krijuar komisioni, nuk mund të flitet për hartimin e një raporti të hollësishëm për të gjitha procedurat e ndjekura, të cilin duhet t’i paraqiste titullarit para lidhjes së kontratës, në kundërshtim me pikën 13 të VKM së mësipërme. Pra këto ishin shkeljet e kryera nga Niko Peleshi.
Vazhdimi i shkeljeve
Gjithashtu raporti i KLSH-së shpjegon se dy fondacioneve u është paguar nëpërmjet bankës vlera 3,700,707 lekë, njëri prej fondacioneve, mosha e tretë, fëmijë romë, dhuna në familje, mori 2,050,540 lekë, ndërsa tjetri 1,650,167 lekë. Mirëpo, raporti i përmendur më sipër na bën me dije se xhirimi i fondeve publike të Bashkisë Korçë dy fondacioneve të lartpërmendura, në vlerën 3,700,707 lekë, pa zhvilluar procedura prokurimi, është në kundërshtim me ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar Pra, edhe kaq mjafton për të kuptuar që Peleshi ka vepruar tërësisht në kundërshtim me ligjet. Në Bashkinë Korçë për lidhjen e kontratave të ndryshme me VKB dhe pa u mbështetur në dispozita ligjore me pretendimin e bashkëpunimit dhe kontributit të Bashkisë të një shumë të caktuar me qëllim përfitimin e projekteve të ndryshme, nga ish- kryetari i Bashkisë Niko Peleshi janë lidhur kontratat me dy fondacionet që shpjeguam më sipër. Por në të dy rastet e mësipërme, pavarësisht se nuk është përcaktuar termi “sponsorizim”, kalimi i fondeve në llogarinë e këtyre fondacioneve është një formë sponsorizimi, pagesë kjo në kundërshtim edhe me ligjin nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për sponsorizimet”, i ndryshuar, neni 3, ku përcaktohet se: Sponsorizues në kuptim të këtij ligji janë vetëm subjektet që kanë cilësinë e tregtarit, qofshin këta persona fizikë ose juridikë, vendas , të huaj a me kapital të përbashkët. Subjektet buxhetore ose që përfitojnë financime buxhetore, nuk mund të jenë sponsorizues.
Raste të tjera
Kontrolli i Lartë i Shtetit, pohon gjithashtu se në 5 raste, pa zhvilluar procedurë prokurimi, u është xhiruar personave fizikë për zhvillim biznesi vlera prej 250,000 lekë, ndërsa në 3 raste të tjera, pa zhvilluar procedurë prokurimi, vetëm bazuar në kontratën datë 01.10.2012, lidhur ndërmjet ish-kryetarit të bashkisë Niko Peleshi dhe drejtorit të shitjeve, për pajtim interneti, i është xhiruar një subjektit privat vlera prej 36,000 lekë. Ndërkohë, pa zhvilluar procedurë prokurimi, vetëm bazuar në kontrata dypalëshe, lidhur ndërmjet ish-kryetarit të Bashkisë Niko Peleshi dhe një personit fizik për furnizim me shtypin e përditshëm me 29 gazeta të llojeve të ndryshme për periudhën e viteve 2012-2013, i është xhiruar vlera prej 112,000 lekë. Si përfundim mund të themi se bazuar në ligje dhe procedura, mundëm të tregojmë se si janë shpërdoruar lekët e qytetarëve të Korçës nga ish-kryetari i Bashkisë Korçë
Sigal