Ja si grabiten studentët nga “mafia” e universiteteve

186
Sigal

Ja ku përfunduan plot 33,2 milionë euro në vitin akademik 2021-2022, nga pagat e personelit te siguria e godinës, shpërblimet e honorarët apo dietat dhe udhëtimet.

“6 vjet pas reformës në arsim, Universitetet publike bunkerë të transparencës. Askush nuk e di buxhetin e tyre.”

Gati katër vite më parë studentët e Universitetit të Tiranës, por jo vetëm, u ngritën në protestë në lidhje me kushtet e fakulteteve, tarifat e larta etj. Protestuesit e nisnin tubimin duke hedhur parrulla si “arsim publik falas”, “hiqni tarifën” dhe “universiteti nuk është pronë private”. Ata mbanin gjithashtu në duar pankarta ironike për qeverinë dhe situatën e arsimit të lartë në Shqipëri.“Qeveria është ngelëse në arsim,” -shkruhej në një pankartë.

“Në universitet 5 persona në emër të një Bordi të drejtuar nga Ministria e bekuar nga Rektorët marrin vendime për mijëra studentë e qindra pedagogë, në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e tjera.”

  • Si i shpenzojnë paratë universitetet?

Nga pagat e personelit te siguria e godinës, shpërblimet e honorarët apo dietat dhe udhëtimet, gjashtë universitetet publike më të mëdha në vend shpenzuan plot 33,2 milionë euro në vitin akademik 2021-2022.

Sipas Qëndresës Qytetare, pjesa më e madhe e këtij fondi rezulton të ketë shkuar për pagat e personelit akademik, por nuk kanë munguar edhe pagesa të majme për dieta e udhëtime apo siguri godinash. 

Universiteti i Tiranës, ai Politeknik, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe “Fan Noli” në Korçë nxorën nga buxhetet e tyre mbi 3,2 milionë euro për të siguruar pasuritë e muret e tyre rrethuese dhe vetëm pak më shumë se 16 mijë euro për kërkimin shkencor, një prej çështjeve për të cilat një pjesë e pedagogëve nisën protesta e zhvilluan bojkot.

Në emër të çdo studenti të regjistruar në këto gjashtë universitete, vjet u shpenzuan mesatarisht 449 euro, nivel ky ndjeshëm më i ulët se në vendet e Rajonit e Europës drejt së cilës Shqipëria synon të shkojë.

E teksa për vitin e shkuar akademik universitet nuk janë kursyer për të siguruar pasuritë, marrë shpërblime e zhvilluar udhëtime, rritja me 8 për qind e pagave pas protestave të pedagogëve pritet t’i bëjë më të kujdesshme shpenzimet e institucioneve të arsimit të lartë.

“UT paguan 16 herë më shumë për rojet e godinës se universiteti jopublik më i madh në vend.”

  • Keqqeverisja e universiteteve dhe transparenca

Megjithëse kanë kaluar 6 vjet nga Reforma në Arsimin e lartë dhe 4 vjet nga Pakti për Universitetin, këto universitete qëndrojnë ende shumë larg transparencës.

Mungesa e transparencës është sot shkaku i keq qeverisjes së universiteteve duke mbajtur peng demokracinë e brendshme, efektivitetin dhe pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve në qeverisjen e universitetit. Sot 5 persona qeverisin një universitet, ata, në emër të një Bordi të drejtuar nga Ministria e bekuar nga Rektorët marrin vendime për 800 pedagogë e 40 000 studentë në Universitetin e Tiranës dhe universitetet e tjera.

E drejta për informacion eshtë oksigjeni i demokracisë sipas Konventave Ndërkombetare dhe arma më e fortë kundër korrupsionit, ndërkohë që në Shqipëri askush nuk e di sa është buxheti i universiteteve, e ku shkojnë paratë e studentëve.

Ata që mbajnë peng transparencën, mbajnë peng demokracinë, qeverisjen e brendshme, efektivitetin dhe performancën e universiteteve.

Ndërkohë që universiteti jopublik me i madh paguan 40 000 euro në vit për rojet, universiteti publik me i madh paguan 637 000 euro per rojet, pra 16 fish më shumë, duke mos i dhënë llogari askujt.

UPT vijon të mbetet Universiteti me më shumë shpenzime të administratës, ku në 1 vit kalendarik përveç pagave bazë ka shpenzuar 378 281 euro për shpërblime, 124 000 euro për dieta, 21 156 euro për telefon/internet.

Gjashtë universitetet publike shpenzuan 1 366 843 eruo për orendi zyre, ku vetëm Universiteti i Tiranës bleu 350 000 euro grila për dritaret e universitetit dhe nuk shpenzoi asnjë lek për zërin e kërkimit shkencor.

Universiteti i Tiranës ka shpenzuar vlera të larta për zërin e orendive. UT ka shpenzuar 350 000 euro për blerjen e mobiljeve dhe grilave për universitetin, pavarësisht investimeve në rikonstruksione të njëpasnjëshme të vetë godinavetë fakulteteve gjatë viteve të fundit.

Universiteti i Tiranës për të tretin vit rresht shpenzon 0 lek për zërin e kërkimit shkencor. Ndërkohë 4 nga 6 universitete kanë shpenzuar në total 16 316 euro për kërkim shkencor, nga 4.2 milion euro që ishte në total zëri i investimeve.

UT ka blerë 84 000 euro letra A4 dhe rreth 100 000 euro bojra printeri, ndërsa UPT ka shpenzuar 61 000 euro për bojra printeri dhe 44 000 euro për letër A4.

Universitet “Aleksandër Moisiu” Durrës ka shpenzuar 39 000 euro për printime, ndërkohë që ky universitet zotëron printera dhe ky shërbim mund të merrej prej tyre pa një kosto kaq të lartë.

“UT me paratë e studentëve ka blerë 84 000 euro letra A4 dhe rreth 100 000 euro bojra printeri”

3-Portali U-TRANSPARENCA.AL

Nga verifikimet e kryera nga ekipi i Qëndresës Qytetare ky portal nuk përmbante të dhëna mbi shpenzimet në nivel universiteti apo rektorati, por vetëm të dhëna në nivel fakulteti, gjë që u vështirëson studentëve të kuptojnë shpenzimet totale të universitetit dhe raportin e shpenzimeve për mënyrën se si harxhohen paratë e tyre. Një tjetër mangësi e këtij portali janë prokurimet publike, ku për vitin 2021 – 2022 nuk kemi të publikuar asnjë kontratë të lidhur nga asnjë universitet, ndërkohë që nga monitorimi ynë rezultojnë dhjetëra kontrata të lidhura nga universitetet me operatorë privatë të tretë nëpërmjet procedurave të tenderimit. Duke vlerësuar transparencën si elementin kyç për përmirësimin e situatës në universitete. Qëndresa Qytetare i bën thirrje Ministrisë të Arsimit t’i dalë zot VKM për administrimin e portalit të transparencës, KLSH-së të auditojë Universitetet, të hetojë mbi menaxhimin financiar të tyre.

“Gjashtë universitetet publike shpenzuan 1 366 843 eruo për orendi zyre, ku vetëm Universiteti i Tiranës bleu 350 000 euro grila për dritaret e universitetit dhe nuk shpenzoi asnjë lek për zërin e kërkimit shkencor. Universiteti i Tiranës për të tretin vit rresht shpenzon 0 lek për zërin e kërkimit shkencor.”

80 % e studentëve duan të largohen. Të shkolluarit jashtë s’duan të kthehen

Çdo ditë e më shumë dëgjojmë të rinjtë veçanërisht, që kërkojnë të largohen nga vendi. Një anketë e Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale doli me rezultatin se rreth 80% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi dhe gati 60% e maturantëve po planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Nga ana tjetër rreth 95% e të rinjve të larguar për studime jashtë Shqipërisë, nuk dëshirojnë të kthehen më në vendin e tyre.