Ja si është kapur pushteti gjyqësor nga ekzekutivi

286
Gjykatat administrative, të cilat u ndërtuan për të shqyrtuar të gjitha çështjet gjyqësore, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet individ dhe biznes me administratën publike, çuditërisht, në 80 % të vendimeve të tyre, i japin në favor të…shtetit, thua se të gjithë individët, si persona juridikë dhe fizike, por edhe bizneset, padrejtësisht ankohen nëpër gjykata ndaj administratës publike. Që gjykatat administrative në Shqipëri, të japin vendime në favor të shtetit, në masën mbi 80 %, kjo jo vetëm përbën një rekord Gines, sepse nuk mund të ndodhë në asnjë vend tjetër të Botës, cilido qoftë sistemi shoqëror dhe kushtetues, demokratik apo diktatorial, por mbi të gjitha, treguesi 80 % i vendimeve në favor të shtetit, dëshmon se pushteti gjyqësor në Shqipëri është i kapur nga pushteti ekzekutiv. 
Kungullesha e kompetencave midis Gjykatave
Shumë herë ndodh që gjykatat luajnë lojën e kungulleshave, duke përcjellë në instanca të ndryshme gjyqësore çështjet e gjykimit, duke vetëvendosur, që ato nuk janë kompetente për të gjykuar çështjen në fjalë. Mirëpo, kur çështja për gjykim shkon dhe gjykohet në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë vendos që të shfuqizojë vendimet e gjykatave të shkallës së parë për moskompetencë gjykimi dhe vendos që gjykimin e çështjes ta gjykojë sërish, gjykata e shkallës së parë, sërish, kësaj here, gjykata e shkallës së parë fillon çështjen e gjykimit, pas odisesë së sorollatjes disa vjeçare për moskompetenca, thua se nuk ka ndodhur asgjë më parë, këtu dëshmohet qartë dhe drejtpërdrejtë që mungon serioziteti dhe kontrolli në Gjyqësor. Sepse, nëse do të kishte kontroll në Gjyqësor, do të gjykoheshin së pari, përse gjykatat e shkallës së parë luajtën lojën e kungulleshave me kompetencat dhe përse u sorollat çështja e gjykimit. Sindikata e Policisë së Shtetit, duke parë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk zbaton VKM, numër 494, 01. 08. 2007 dhe urdhrin numër 432 datë 10. 03. 2008 për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe urdhrat e qeverisë për trajtimin me ushqime të policëve, i drejtohet gjykatës së shkallës së parë të rrethit, në 2011, me objekt çështjen e trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit. Çështja iu përcoll gjykatës së shkallës së parë administrative Tiranë në 2013. Kjo gjykatë e çon çështjen për gjykim në Apelin e gjykatës administrative, pasi mendon se i takon asaj për kompetencë. Apeli administrativ në 2014, pasi bëri 5 seanca gjyqësore, vendosi, që gjykimin e çështjes ta çojë në Gjykatën e Lartë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me numër vendimi 4021 prish vendimin numër 2259, datë 12.05.2014 të gjykatës së shkallës së parë administrative dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit po në këtë gjykatë.
Gjykata e shkallës së parë administrative Tiranë, nuk njeh të drejtat e sindikatave
Roland Islami, Drejtor i Agjencisë së Trajtimit të Shërbimeve Juridike denoncon: Gjykata mohon të drejtat sindikale, në një intervistë për gazetën “Telegraf” zbardh mekanizmin, sesi pushteti ekzekutiv ka uzurpuar dhe kapur Gjyqësorin dhe e detyron gjykatën që të japë vendime vetëm në favor të qeverisë, duke shkelur flagrant edhe Kushtetutën, edhe të drejtat e Njeriut. Roland Islami tregon për gazetën “Telegraf”: “Gjykata e shkallës së parë Tiranë tashmë e detyruar nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e rigjykon tashmë padinë e sindikatës së Policisë së Shtetit, me një seancë gjyqësore, por ka vendosur, që të mos legjitimojë sindikatën e Policisë së Shtetit për të kërkuar trajtimin me ushqim të punonjësve të policisë së Shtetit. Ja zbardhja e vendimit 2884 të kësaj gjykate: “Sindikata e Policisë së Shtetit, si paditës, nuk ka ndonjë të drejtë, apo interes të ligjshëm të vetin për të mbrojtur. Paditësi, Sindikata e Policisë së Shtetit në këtë rast, nuk legjitimitohet t’i drejtohet Gjykatës, sepse nuk provon se ka interes të drejtpërdrejt dhe vetjak. Dhe së dyti, Gjykata vëren se objekti i padisë duhet të përcaktohet dhe të individualizonte detyrimin e të paditurit, d.m.th të Policisë së Shtetit. Nuk mund t’i drejtohet gjykatës një shoqatë që mbron të drejtat e ish-ushtarakëve apo edhe vetë paditësi dhe t’i kërkojë gjykatës detyrimin e ISSH të rillogarisë pensionet për të gjithë ushtarakët, punonjësit e policisë, për shkak të pasaktësive në rillogaritjen e tyre sipas ligjit. Gjykata çmon se kërkesëpadia, objekt gjykimi është e pabazuar në ligj e në prova e për këto arsye duhet rrëzuar. Pra gjykata kërkon që të vijnë vetë policët e të kërkojnë, por edhe këtë e refuzon, kur gjykon se “Nuk mund t’i drejtohet gjykatës një shoqatë që mbron të drejtat e ish- ushtarakëve apo edhe vetë paditësi dhe t’i kërkojë gjykatës detyrimin e ISSH të rillogarisë pensionet për të gjithë ushtarakët, punonjësit e policisë, për shkak të pasaktësive në rillogaritjen e tyre sipas ligjit”. Ky vendim i gjykatësit, është në unison (thua rastësisht) me vendimin e qeverisë për të delegjitimuar sindikatën e Policisë së Shtetit. Ky vendim i gjykatës cenon të drejtat kushtetuese të sindikatës, cenon edhe të drejtat që burojnë nga kontrata kolektive që ka nënshkruar sindikata e Policisë së Shtetit me vetë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Këtu demonstrohet që pushteti gjyqësor është i kapur nga pushteti ekzekutiv. E drejta e sindikatës të mbrojë çdo të drejtë të punonjësve që ajo përfaqëson është sanksionuar edhe në nenin 188 të Kodit të Punës, ku përcaktohen të drejtat sindikale të punëmarrësve për t’u organizuar, e drejta sindikale, që buron edhe nga Karta Sociale e BE, nga Kushtetuta e Shqipërisë, që punëmarrësit të marrin pjesë në sindikata dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre kolektivisht. Anëtarësia në sindikata, pikërisht lidhet me të drejtat e tyre kushtetuese, ligjore që t’i kërkojnë të drejtat e tyre edhe kolektivisht, të përfaqësohen nga sindikata për çdo të drejtë të tyre. Moslegjitimimi i sindikatës së Policisë së Shtetit, për të mos përfaqësuar të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit për trajtimin e ushqimit të tyre, nga gjykata e shkallës së parë administrative të Tiranës, kërkon që të vrasë të drejtat sindikale, duke injoruar edhe kontratën kolektive që ka nënshkruar sindikata e Policisë së Shtetit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjykata e shkallës së parë administrative nuk është shprehur për thelbin e padisë, atë të drejtë që u mohohet punonjësve të policisë së Shtetit për t’u trajtuar me ushqime, sikurse e parashikon ligji, edhe pse e pranon që këtë të drejtë, policët duhet ta kërkojnë individualisht, por jo me sindikatën kolektivisht. 
Të gjitha gjyqet e sindikatës, i gjykon i njëjti gjyqtar edhe pse është kërkuar përjashtimi i tij
Kryesindikalisti i Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, në prononcimin për gazetën “Telegraf” thotë se në të gjitha çështjet e gjykimit për paditë që bën sindikata e tyre, në gjykatën e shkallës së parë administrative në Tiranë, i gjykon “rastësisht: vetëm gjyqtari B. K. Po ky gjyqtar në 2013 dhe në 24 janar 2015, vendos që gjykata e shkallës së parë administrative e Tiranës nuk e ka kompetencën që të gjykojë padinë e sindikatës kundër DPP për trajtimin e ushqimit, por, “rastësisht” dhe “çuditërisht” po gjykatësi B.K e gjykon padinë, por i mohon të drejtën sindikatës të përfaqësojë në gjyq të drejtat e policëve. Kryesindikalisti pohon për “Telegraf” se kanë kërkuar që gjyqtari B.K. të mos jetë gjyqtar në gjykimin e padisë së tyre, mirëpo edhe kjo e drejtë nuk është përfillur nga gjykata. Nëse flasim për reformë në drejtësi, nëse flasim për pavarësi të Gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv, duhet që gjyqtarë servilë të pushtetit ekzekutiv, sikurse B.K, të largohen nga gjykatat, që e drejta t’i jepet atij që i takon dhe jo (padrejtësisht) gjithnjë shtetit, në dëm të individit. Sindikata e Policisë së Shtetit, do të bëjë padi penale ndaj gjyqtarit B.K, i cili me vendimet arbitrare që ka dhënë në gjykatë, sa herë ka gjykuar paditë e sindikatës, ka delegjitimuar rolin e sindikatës në demokraci, duke cenuar edhe të drejtat e njeriut, një nga 5 kushtet që BE i kërkon Shqipërisë për të përmbushur, për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë në Familjen Europiane.