Ja 2 këshillat e mia për Berishën, kur ai ishte president

811
Sigal

Theodhor Pangalos: Qeveria shqiptare votoi kandidaturën time në një Komitet të BE –së për të drejtat e Njeriut në Rusi

Theodhoros Pangallos

Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë, ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Transporteve dhe Komunikacionit, ish-ministër i Kulturës, ish-deputet i Atikës.

U lind në Elefsina, më 17 gusht 1938. Studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe për financë (Doktor i Shkencave Ekonomike) në Universitetin Pantheon-Sorbonë të Parisit. Ka shkruar shumë artikuj dhe libra të ndryshëm, midis të cilëve përmendim: “Globalizmi dhe e Majta” (2001), “Profetë efemerë –ngërçe të neoliberalizmit dhe lëvizje sociale në epokën e globalizmit” (2005), “Europa në udhëkryq” (2005), “Ndërhyrje tek Aktualiteti” (1994), “Greqia në Komunitetin Europian” (1988), “Të gjithë së bashku i hëngrëm” (2012), dhe “Ndërhyrje te politika” (2014), “Fjalorthi i kollotumbës” (2017).

Theodhor Pangalos, cilësohet si një nga personalitetet më të shquara të Politikës moderne demokratike të Greqisë. Gjithmonë, edhe si ministër i Jashtëm i Greqisë, por edhe si politikan, Theodhoros Pangalos ka kontribuar në BE për çështjen e Shqipërisë, por edhe në Shqipëri për konsolidimin e demokracisë. Theodhor Pangalos, është arvanitas dhe përherë e ka shprehur këtë. Shtëpia Botuese TOENA dhe UMSH botuan në shqip librin e Theodhoros Pangalos, “Papandreu në Europë”. Me rastin e prezantimit të këtij libri, po botojmë të plotë fjalën e Theodhoros Pangalos, në këtë ceremoni.

Kur shikoj këtu ambasadoren greke, shikoni sa përparime kanë bërë grekët në trupin diplomatik. Një zonjë, Zografu, e cila është gruaja e dytë që ishte emëruar në Ministrinë e Jashtme, kur unë isha ministër, më kishte thënë që herën e parë, edhe pse kishte shkruar në provim shkëlqyer, e kishin mbetur, dhe i thanë, që diplomacia nuk është profesion për gratë. Por ajo këmbënguli, i dha provimet për herë të dytë, dhe i mori. Dua të falënderoj ish-kolegun tim, Besnik Mustafaj, dua të falënderoj çiftin Toçi, Zonjën Toçi që ka shtëpinë botuese TOENA dhe bashkëshortin e saj, dhe mikun tim të dashur Anastas Angjeli, se pa iniciativat e tij personale, nuk do të ishte bërë e mundur edhe botimi i librit tim në shqip. Ky libër që kam shkruar “Papanderu në Europë” është për dy gjëra. Është për lidhjet dhe marrëdhëniet e mia personale me Andrea Papandreu, dhe këtu, besoj, do të ishin të parëndësishme. Andrea Papandreu, siç e theksoi këtu edhe zoti Presidenti Meta, kishte ndërmarrë një mision historik. Siç e dini, e Majta në Evropë, ishte futur në një lëvizje komuniste, siç i thoshin. Ne, në Greqi, nuk kishim klasë punëtore, ndaj nuk ishte e mundur, që të krijohej një parti politike, që të merrte përsipër misionin historik, që të vihej në krye, përfaqësuese e klasës punëtore dhe të ndërmerrte revolucion. E njëjta gjë, ndodhi edhe në Shqipëri, Lufta Nacional Çlirimtare dhe kushtet ndërkombëtare, të asaj kohe, ku ushtria e Kuqe ishte futur në Evropë dhe çoi në sovjetizimin e Shqipërisë. Ne, më të rinjtë, lindëm në një vend, ku nuk kishte as parti demokratike. Kishte të Djathtë, që ishte e vërtet e Djathtë, lindëm në një vend, që kaloi edhe Luftën Civile të 1945-1949, dhe Partia Komuniste Greke, e cila monopolizonte hapësirën politike të së Majtës. Të gjithë ne, që nuk mund të pranonim krimet e Stalinit, praktikën e ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera sovrane, që zbatonte Bashkimi Sovjetik dhe Kina, nuk kishim vend, hapësirë politike, ku të mbështeteshim. E Djathta nuk na pëlqente. E Majta e Qendrës nuk ekzistonte, ndërsa Partia Komuniste na kishte zënë prej fyti. Sa më shumë rritej kriza politike e sistemit të asaj kohe, aq na çonte drejt braktisjes. Unë shkova në 1968-n, kur Partia Komuniste Greke pësoi krizën politike, kur sovjetikët pushtuan Pragën, dhe që shkuan aty, jo për të shpëtuar vendin nga ndonjë ndërhyrje e jashtme, por për t’u treguan vetë komunistëve, sesi duhet të qeverisnin vendin e tyre. Ishte e papranueshme, që të pranonte ndokush politikën e diktatit të sovjetikëve, dhe nuk mund të mbanin as udhëheqjen e tyre, sepse ishin sovjetikët ata që diktonin çdo gjë në Kampin Komunist. Kur isha në Gjirokastër, shkova me helikopter në Vlorë me zotin Tritan Shehu dhe aty ishte Presidenti Berisha, dhe më bënë nderin, që të më ftonin në ish-vilën e Enver Hoxhës dhe fjeta në krevatin e Enver Hoxhës. Ishte një dhomë 4 herë 4 metra katrorë, dhe fjeta kaq mirë. Me Berishën diskutuam gjatë gjithë natës. I thashë dy gjëra, në të cilat këmbëngula shumë. E para, ishte piramidat, që jepnin interesa nga më të lartat. Berisha donte ta kthente bisedën në joserioze, në shaka, duke më thënë që jam dinak, duke kujtuar se unë kisha qëllime të tjera, jo të sinqerta, dhe unë kisha qëllim, që lekët e shqiptarëve t’i adresoja në bankat greke. Pastaj, më tha, që jam marksist. Unë isha liberal, Unë i thashë, që nuk dua të ndërhyj në treg dhe vërtet, unë i thashë atëherë: “Zoti President, më falni, nuk dua t’ju jap mësime, por paratë janë një mall i veçante tregu, nuk janë si të tjera. Asnjë vend nuk i lë bankat të pakontrolluara. Dhe e dyta, që i thashë, është që të nxirrte Fatos Nanon nga burgu. Më tha, që është e kundërligjshme. i thashë: Çfarë e paligjshme është? Voto një ligj, nuk ke Kushtetutë, çfarë të duash ti bën. Harto një ligj ku të thotë, Nanua del nga burgu dhe të ketë fuqi ligjore vetëm për Nanon. U bë si u bë, dhe ju e dini më mirë sesa edhe nga unë, dhe e takova paskëtaj Berishën në Strasburg, hëngra drekë me atë dhe më tha, atëherë, në nderin e tij: Zoti Pangalo, kishe të drejtë atë natë. Dhe, në të dyja kishe të drejtë. Edhe Nanon duhej ta nxirrja nga burgu, edhe bankat duhej t’i kisha nën kontroll. Dhe, që atëherë, kemi një miqësi shumë të mirë. Dua të them edhe një ngjarje me shqiptarët. Dikur ishte një institucion Këshilli i Evropës, atje ku janë të gjithë anëtarë, dhe atje do të bëhej një Komitet për të drejtat e Njeriut në Rusi. Ishte një raport shumë i rëndësishëm, dhe më duhej të zgjidhesha unë, të cilin e kisha me shumë dëshirë. Kolegu im gjerman, socialdemokrat, nuk ishte zgjedhur deputet dhe dhe nuk mund të zgjidhej aty. Ai i urrente shumë rusët dhe më kishte thënë një ditë, në një bar, pasi kishim pirë, se babanë e tij e kishin pushkatuar rusët në Stalingrad. Dhe unë e pyeta: Çfarë kërkonte babai yt në Stalingrad? Dhe, që atëherë, ai nuk më foli më me gojë. Ne, si socialdemokratë, kishim një pjesë tonën, që do votonte kundër rusëve, edhe më keq se unë. Sido që të ishte puna, të Djathtët, nuk votonin për kandidaturën time. Dhe, garova dhe fitova me 2 vota më shumë, dhe kuptojeni, sa rëndësi të madhe kanë 2 vota më shumë. Berisha, atëherë, dërgoi 2 shqiptarë nga partia e tij, duke i urdhëruar, që të votonin mua. Berisha e bëri, se Nano do të votonte për mua. Dhe, unë e fitova atë kryesim të atij Komiteti në Këshillin e Evropës, që më interesonte aq shumë, dhe kisha rastin më të madh, që të takohesha me Medvedev, sepse me Putin nuk jam takuar ndonjëherë. Ky libër, veç diskutimit mes meje dhe Papandreut, ka karakter dhe i ngjan një nxënësi, që do të iki nga kontrolli i mësuesit dhe do të bëjë më shumë gjëra, madje dhe gjëra të tjera. Ka një karakter, vëzhgimi të zakoneve, të sjelljeve në Evropë, në atë kohë. Prandaj është i vlefshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët ky libër, që tani duan të futën në negociata me Evropën dhe shpresoj shumë shpejt. Në jetën e përditshme ka momente të veçanta. Ja një prej tyre me Zonjën Thaçer, që ishte atëherë në kulmin e fuqisë dhe të lavdisë së vet, nuk e duronte dot Andrea Papandreun. Andrea ishte ai çfarë urrente më shumë. Ishte marksist, i pafe, shpërdorues i parave publike dhe shkonte edhe me stjuardesat (asokohe ishte martuar me Dhimitra Janin, stjuardesën – shënimi im i përkthimit). Pra, Theçer e urrente kaq shumë Papandreun, sa përpiqej ta demonstronte çdo rast. Na ndodhi diçka. Ishim në drekë me pjesëmarrjen e kryeministrave dhe të ministrave të Jashtëm. Atëherë Bashkimi Evropian kishte 10 anëtarë. Pra, në tavolinë ishim ulur 20 veta. Thaçer shtrembëroi sytë dhe i drejtohet Papandreut, duke i thënë: “Nuk duhet, nuk lejohet që të regjistroni bisedën tonë që bëjmë këtu në tavolinë.” Papandreu iu përgjigj: “Unë nuk incizoj kurrë asnjë bisedë që bëjmë.” Dhe Thaçer me një zë tepër arrogant, si ajo nënë që e kap të birin duke vjedhur marmelatë, i thotë Andrea Papandreut: “Çfarë ke në atë çantë?” Papandreu pinte duhan me llullë atëherë dhe kishte 2 llulla. Kishte edhe pastruesen e llullës dhe duhanin, pra gjithçka që ka një duhanxhi. Dhe hapi çantën e vogël dhe i dëftoi çfarë kishte brenda. Kjo grua, për të cilën mund ta admiroje për çdo gjë, por jo për sjelljen e saj, nuk tha, “më fal”, por lëshoi një pasthirrmë: “Au”! Me një fjalë, jo të gjithë evropianët janë të pastër, të sinqertë. Kjo, nuk do të thotë, që cilido të mos përpiqet, të luftojë për ato ideale dhe qëllime që janë të shenjta dhe të rëndësishme për vendin e vet. Një nga mashtrimet më të ulëta që kam parë është mashtrimi i Rigës, të cilën e bënë holandezët. Duhet të mendojë cilido, që të gjithë ata përfaqësues të popujve, zgjidhen dhe detyra e parë e tyre është që të zgjidhen. Këto unë doja të thosha sot, dhe dita e sotme është një ditë mjaft emocionuese dhe e rëndësishme për mua, mora titullin e parë të doktoratës time, “Doktor Honoris Causa”, atë të Universitetit Mesdhetar të Tiranës nga zoti Angjeli, dhe kam edhe prezantimin e librit të përkthyer, si dhe të gjejmë e mënyra të tjera që të bëhen të njohur edhe në Greqi shkrimtarët shqiptarë më të shquar, sikurse Besnik Mustafaj, Kongoli, Kadare, por edhe shkrimtarët grekë në Shqipëri. Kemi një letërsi shumë të fuqishme greke dhe duhet të ndihmojmë njëri – tjetrin, në masën që e kuptojmë dhe e mirëkuptojmë njëri – tjetrin. Unë rrallë shikoj televizor, por ndoqa një serial Italian, filmin me komisarin Moltavian, dhe më ka bërë përshtypje shumë sa ngjajnë doket dhe zakonet e Siçilisë me ato tonat greke. Nuk e di, nëse kjo është gjë e mirë, apo jo, por, kështu është e vërteta. Dhe jam veçanërisht i nderuar për të gjitha ato ndërhyrje dhe iniciativa, gjëra që morëm për Shqipërinë, me mendje të pastër dhe zemër të hapur, me dëshirë pozitive. Përmend këtu ndërhyrjen, apo ndihmën time për Kushtetutën e Shqipërisë, që sot mund të ketë nevojë edhe për plotësime, por, atëherë, më thanë miqtë e mi shqiptarë, që na duhet një Kushtetutë. Dhe, u thashë atëherë, pse kryetarët e partive nuk ndërmarrin nismën për Kushtetutën? Miqtë e mi, më thanë, që kryetarët e partive nuk duan dhe kaq, që të kenë Kushtetutë, sepse ajo do t’i shqetësonte, i kufizon në punët e tyre. Herën tjetër që vizitova Shqipërinë, sepse kam ardhur dhjetëra herë në Shqipëri, mora me vete edhe profesorin e Kushtetutës, Dhimitër Caco, dhe ai ndihmoi shumë në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë me një grup të vetin, që solli këtu, dhe solli shumë kushtetuta me vete, të cilat i përshtati dhe kështu, Shqipëra tani ka një nga Kushtetutat më të mira dhe bashkëkohore të Botës.

Presidenti Ilir Meta: Këshilla që më dha Pangalos në 2005-n.

Kur përfunduan zgjedhjet në PS dhe unë dola i dyti, më vjen ftesa të takoj zotin Pangalos, i cili kishte ardhur në Gjirokastër, kur të inaugurohej konsullata greke. Zoti Pangalos, më takoi dhe më pyeti, midis të tjerave, edhe për humbjen e kandidaturës sime. Më dha një këshillë. Më tha: “Nuk duhet të mendosh humbjen, sepse je shumë i ri në moshë dhe do kesh beteja të tjera politike përpara që duhet t’i fitosh”.

Theodhoros Pangallos

“Me Papandreun në Europë”

“Njohja e vërtetë me Papandreun filloi pasi më bëri zëvendësministër të qeverisë në vitin 1982 dhe mori përmasa kryesisht, falë udhëtimeve që bënim së bashku, në të cilat, ishte e shkruar që të kishim edhe shkëmbime pikëpamjesh dhe diskutime, që shumë pak prej bashkëpunëtorëve të tij kishin rastin të bënin me të. Dhe kryesorja, besoj se pak veta kishin rastin ta dëgjonin të fliste për gjithçka që kishte lidhje me shkencën dhe diturinë, përveç rrethit të miqve të tij të ngushtë, të cilët, sigurisht, dinë gjëra në lidhje me jetën e tij private, shumë më tepër sesa mund të dinte kushdo tjetër, por, në fund të fundit, mendoj se këto gjëra nuk duhet të na interesojnë.

Hapësira së cilës do të mundohemi t’i japim jetë nëpërmjet faqeve të këtij libri, është ajo që ka të bëjë me Papandreun si lider i madh i një vendi, i cili luftonte të inkuadrohej në procesin e integrimit evropian. Disa prej gjërave që kemi diskutuar apo kemi bërë së bashku, dhe që i takojnë asaj hapësire të ndërmjetme midis politikës së ushtruar publikisht dhe jetës krejtësisht private, mendoj se janë tregues të qartë mbi mënyrën me të cilën mendonte dhe merrte vendime ai burrë i madh shteti. Paralelisht, gjithmonë në lidhje me veprimtarinë e Papandreut dhe pjesëmarrjen e Greqisë në takimet ku shkonim bashkë, do të ndeshim edhe politikanë të tjerë të mëdhenj evropianë dhe disa të tjerë më të vegjël.

Periudha që na intereson është e një rëndësie përcaktuese për integrimin e Greqisë në familjen evropiane dhe për ekzistencën e ngrehinës evropiane. Nuk jam i predispozuar të paraqes një vepër historike. Shumicën e atyre që do të shkruaj këtu, shumë nga miqtë e mi i kanë dëgjuar të treguara prej meje. Nëse sot ndiej nevojën që t’i hedh në letër, kjo ndodh për faktin se sa herë më dëgjonin, ata më inkurajonin ta bëja, që të mos humbnin, jo aq për faktin se eksperienca ime personale kishte rëndësi të madhe, por sepse i referohen atij politikani të madh dhe asaj ecurie të rëndësishme të Greqisë drejt Evropës.”

  1. P.