Izolohet nga familja/ Drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor: Kemi frikë

129

Shqipëria është në shtetrrethim dhe frika është tek të gjithë. Edi Sinoimeri drejton Inspektoriatin Shëndetësor në Gjirokastër, ekip që pas shpalljes së emergjencës për Covid-19 mori rol drejtues sa i përket sigurisë publike së bashku me policinë. Inspektoriatit me një numër minimal punonjësish i duhet të qëndrojë në detyrë përtej orareve dhe të mbulojë një territor të gjerë. Ata kanë vendosur 5 gjoba me vlerë 1 milionë lekë seicila për bare që kanë shkelur rregullat duke ju shërbyer klientëve dhe 3 gjoba të tjera për farmaci që shërbenin pa masa mbrojtëse, ndërsa inspektime ka për gjithë biznesin që është duke punuar.

Edi Sinoimeri që drejton këtë ekip thotë se ju duhet përditë të mbështesin emocionalisht njëri tjetrin që të mos infektohen dhe më pas ta çojnë virusin në familje.

“Ne jemi njerëz si gjithë të tjerët, dhe patjetër që kemi frikë. Unë kam nënën të sëmurë me diabet dhe sëmundje të zemrës dhe kam ditë që nuk e shoh fare. Kur arrij në shtëpi gjatë natës, izolohem në dhomën time larg të gjithëve përfshi edhe gruan e fëmijët dhe këtë po bëjnë edhe kolegët e mi. Bisedojmë çdo ditë sesi të mbrohemi edhe për t’i dhënë kurajo njëri-tjetrit. Dua të them se ata që janë izoluar në shtëpi janë me fat që mund të kalojnë kohë me familjet. Ne na duhet të qëndrojmë në punë dhe do të vazhdojmë deri sa kjo situatë të përfundojë”.

Në pikëkalimin kufitar të Kakavijes të gjithë shtetasit që mbërrijnë nga qarqet e tjera nuk lejohen të vijnë në Gjirokastër. Atyre ju sigurohet transport nga Kakavija direkt për në banesat e tyre, për të evituar një burim infektimi. Inspektorët edhe për shkak të numrit të kufizuar shpenzojnë nga 18 orë në ditë në terren dhe kjo nuk lë të paprekur anën e tyre emocionale.