Izet Çulli: “MODA” është kalimtare (Në vend të një fejtoni)

569
Izet S. Çulli 

Vite më parë gjatë sistemit njëpartiak, njerëz të veçantë mundoheshin t’i bënin bisht realtetit që jo rrallë mund t’i rëndonte psikikisht ose duke pasur mëtime për të bërë karrierë, gjenin shtigje për të dalë nga situata. Dhe nisnin denoncimet edhe brenda fisit dhe llojit të vet, shpesh pa ua kërkuar askush këtë. E bënin për të ruajtur partinë e vetme të zemrës së tyre dhe kështu edhe Atdheun e dashur,- shpjegonin ata asokohe. Po ju tregoj shkurt dy raste të tilla, kur një person, i cili shikohej me sy të mirë nga partia, i bëri letër të hapur ministrisë përkatëse, sepse vëllai i saj llapte ca si shumë poshtë e përpjetë. Ky nuk ishte qëllimkeq, vazhdonte letra, por e kishte mani të tirrte e të hiperbolizonte ndonjë mangësi të kohës, me personin e parë që i delte përpara! Ia ndërpreu si me thikë të ardhmen vëllait, të cilin e degdisën në një shkollë fillore fshati, nga pedagog universiteti. Kur e pyetën të motrën, në intimitet, disa të afërm: pse e bëri këtë, ajo u përgjigj prerazi: ta shpëtoja nga e keqja më e madhe, burgu! Ja dhe rasti tjetër. Tani vëllai denoncon publikisht motrën e tij, e cila ishte projektuar zëvendësministre në një dikaster me rëndësi. Po ç’e do, vijonte letra më tej, se ajo kishte ca “lakra” në kokë dhe kësisoj po të ngjitej më lart, do të rrezikonte më shumë e do të merrte në qafë, jo vetëm neve, por edhe shtetin e tërë. Kur e pyetën edhe këtë “dashamir” pse veprove asisoj, ai përgjigjen e kishte si recetë të gatshme në majë të gjuhës: ishte e vetmja ndihmë që mund t’i jepja, po (dhe uli paksa zërin) edhe për të ruajtur…prapanicën time. Dhe vërtet mbas pak kohësh ai bëri karrierë të shkëlqyer për vete duke u emëruar zëvendësrektor, paçka se motrën e fundosi përjetë… Kur dëgjova personin e parë tek bilbilonte në një intervistë televizive të paradokohshme, duke thënë se ndjehej i ligështuar që kishte vepruar ashtu me vëllain e saj, vura duart në kokë, sepse unë vetë isha në brendësi të problemit të tyre. Do të qe më mirë të vepronin ashtu siç është shprehur shkrimtari i mirënjohur kroat Danilo Kish: Kur nuk ke thënë të vërtetën, hesht! Të heshtësh për atë që ke bërë apo që nuk duhet të bëje…
Sigal