Italia miraton ligjin për call center. Qeveria dështoi të parandalonte dhe lobonte

665
Sigal

Me 166
vota pro, 70 kundër dhe 1 abstenim Senati italian miratoi sot pas dreke
ndryshimet në ligjin për Buxhetin 2017, pjesë e të cilit është edhe ai për
ndryshimet në shërbimin për call center. Senati e miratoi Buxhetin pa
ndryshime, ashtu sikundër i kishte mbërritur në datë 28 nëntor nga Dhoma. Kriza
e qeverisë, e ndjekur nga referendumi Kushtetues ka përjashtuar çdo tentativë
për modifikime nga ana e Senatit. Qëllimi ishte që ky projektligj të kalonte sa
më shpejt për t’i hapur rrugë çështjeve politike.

Masat që parashikon në ligj kanë të bëjnë me kapitullin
ku trajtohen marrëdhëniet e punës dhe familja. Amendimet në ligjin për
shërbimin call center synojnë frenimin e zhvendosjes së këtyre investimeve në
vende që nuk janë pjesë e BE-së.

Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka
të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, janë forcuar normat që
rregullojnë fenomenin e delokalizimit.

Masa e parë konkretizohet në rishikimin e plotë të nenit
24, që është pjesë e ligjit 83/2012. Sipas disiplinës së re, nëse një operator
ekonomik vendos të lokalizohet, qoftë edhe duke e dhënë shërbimin ndaj të
tretëve në një vend që nuk është anëtar i BE-së duhet të komunikojë brenda 30
ditëve destinacionin te organet përkatëse, përfshi këtu edhe numrin e
punonjësve.

Kjo normë ekzistonte edhe në ligjin e vitit 2012, por
amendimet zgjerojnë listën ndaj të destininuarve të komunikimit, ku përveç
Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të Informimit, në dijeni duhet të
vihet edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me numrat telefonikë që do
të vihen në dispozicion të publikut.

Një aspekt tjetër ka të bëjë edhe me ashpërsimin e
sanksioneve për mos njoftime apo vonesa që llogariten deri në 150,000 euro.

Njoftimi duhet të bëhet jo më shumë se 60 ditë nga hyrja
në fuqi e ligjit të Buxhetit edhe nga operatorët që tashmë janë të
delokalizuar. Nëse këta të fundit nuk zbatojnë detyrimin, atëherë mbi ta do të
zbatohen sanksione administrative deri në 10,000 euro për çdo ditë vonesë..

Gjithmonë me qëllim frenimin e delokalizimit, reforma
vendos (duke konfirmuar një princip që ekzistonte) përjashtimin nga lehtësitë
fiskale të këtyre tipologjive.

Amendimet parashikojnë edhe forcimin e të drejtës së
subjektit që merr një telefonatë nga një call center për t’u informuar vendin
nga bëhet thirrja. Kjo do të bëhet e detyrueshme 90 ditë pas hyrjes në fuqi të
ligjit të Buxhetit. Moszbatimi i këtij detyrimi do të shoqërohet me një
sanksion administrativ prej 50,000 euro për çdo ditë të shkeljes së ligjit,
pavarësisht nga numri i thirrjeve ‘jo të rregullta’.

Po me 50,000 euro gjobë ndëshkohet edhe moskomunikimi me
Ministrinë e Punës në lidhje me identifikimin e vendndodhjes të call center.

Operatorët: Sektori në rrezik

Agron Shehaj, administrator i Intercom Data Service
parashikon që në Shqipëri sektori do të shkojë drejt tkurrjes në rastin më të
keq, në rastin më të mirë nuk rritet, ose do të zgjerohet më me vështirësi.

Znj. Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të
Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, kompania më e madhe call
center në Shqipëri, sipas të ardhurave tha se “Hyrja në fuqi e këtij ligji,
thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në
Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve
italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin
tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së”, thotë ajo.

Diego Pisa, administrator i Teleperformance, operatorit
të tretë më të madh në vend, pohon se në Shqipëri, sektori do të vihet në
vështirësi të mëdha. “Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të
reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do
të ndodhë më”, thotë ai.

Ndërsa operatorët e mëdhenj pritet t’i mbijetojnë kësaj vale shtrënguese, do të
jetë më e vështirë për të vegjlit. Gentian Drenova nga Unioni i Shoqërive të
Call Center pohoi se me amendimet në ligjin Italian tregu do të formalizohet
dhe shumë nga bizneset e vogla do të mbyllen dhe gjithashtu kërkesa për
shërbime nga Italia do të bjerë.

Në Shqipëri numërohen mbi 800 kompani call center me mbi
25 mijë të punësuar.

Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të
mëdhenj, janë tre ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që
kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000
të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me
përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar (shih tabelën në fund), sipas të
dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.

Call Center është  sektori i katërt më i madh në
vend, për sa i përket numrit të të punësuarve, pas tregtisë-shërbimeve,
ndërtimit  dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas
të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky
sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas
të dhënave nga tatimet e INSTAT.

Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing
Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më
të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.

Qeveria
dështoi të parandalonte dhe lobonte

Roberto Caparrota, administrator në call center, i cili
që në fillim ishte shumë aktiv, duke kërkuar që qeveria shqiptare të merrte
masa për të lobuar dhe për të zbutur masat shtrënguese, që parashikonte të
merrte qeveria italiane, është i ashpër kur thotë se ka ndodhur ajo që faqe
mirë mund të evitohej.

“Duke qenë se ka 5 muaj që ligji diskutohej, duhej
ndërhyrje e qeverisë shqiptare, duke parë marrëdhëniet e mira politike e
kulturore që kemi”, tha ai për Monitor, menjëherë pasi u mësua vendimi i
kalimit të ligjit nga Senati italian.

Mund të ndërmjetësonin e të gjenin një kompromis, pohoi
ai, por, deri në ditën e fundit kemi parë vetëm indiferencë dhe institucionet
përkatëse janë kufizuar vetëm, që për opinionin publik të bënin një deklaratë
që do të ndërhynin. Por, duket se kjo ishte thjesht një reagim ndaj zhurmës
mediatike për të justifikuar indiferencën. Ditët e fundit nuk ka pasur më asnjë
informacion se çfarë ishte arritur.

Caparrota thotë se ky është një ligj i rëndësishëm, nga i
cili varet e ardhmja e të rinjve shqiptarë, sepse nga puna në call center
mbaheshin ekonomikisht 25 mijë të rinj, që ndërkohë u jepej mundësia edhe të
studionin.

Ai thotë se qeveria nuk është e përgatitur dhe nuk ka një
plan B, ndërkohë që duhet të kishte reagim konkret që të evitonte miratimin e
këtij ligji. Në mënyrë ironike, ndërsa kemi marrë statusin dhe presim të hapim
procesin e negociatave, po trajtohemi si një vend i tretë.