Ismet Varfi/ Zgjidhja e vetme për ushtarakët: Statusi dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese

535
E kam shumë të vështirë dhe me dhimbje e them, që të akuzoj mikun tim të të njëjtave llogore, z. Jeronim Bazo, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, të ushtrisë për qëndrimin me dy standarde ndaj kërkesave tona, sepse sa i përket znj. Kodheli (e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lidhje me ushtrinë), as që bëhet fjalë që të presë e të dëgjojë hallet e ushtarakëve në pension dhe në rezervë. As në kohën e Berishës nuk ndodhte kjo, sepse të paktën institucionet ushtarake gjenin kohë dhe të prisnin, madje edhe të zgjidhnin ndonjë kërkesë minimale. Është e disata herë që jo vetëm unë personalisht por edhe shumë kolegë të mi dhe shoqatat e ushtarakëve dalin publikisht dhe denoncojnë MM, e në veçanti Shefin e Shtabit të Përgjithshëm që deri më sot nuk kanë bërë asnjë përpjekje, qoftë edhe minimale për të zgjidhur problemet që kanë ushtarakët në rezervë e në pension. Kjo ka krijuar dëshpërim dhe zhgënjim edhe për qeverinë aktuale. Edhe ligji i fundit i Qeverisë dhe Parlamentit për “faljen e borxhit” të ushtarakëve pensionistë, nuk mund të justifikojë qëndrimin përbaltës e mospërfillës, që edhe qeveria e majtë e drejtuar nga zoti Rama nuk i zbaton premtimet elektorale. 

Qeveritë, të zbatojnë Statusin e Ushtarakut 

Zgjidhja e kërkesave dhe të drejtave të ushtarakëve është shumë e qartë dhe e thjeshtë, Qeveritë të zbatojnë Statusin e Ushtarakut dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për të cilat qeveria e mëparshme dhe kjo aktuale “qajnë dhe shqetësohen” duke akuzuar njëra-tjetrën për këto vendime kur ju preken interesat e tyre, ndërsa dy vendime të GJK që u japin të drejtë ushtarakëve për Statusin nuk i zbatuan as njëra as tjetra. 

Zhvillimi i sporteve në Forcat e Armatosura

Duke dalë nga problemi në fjalë, sepse shumë kemi folur dhe asnjë nuk na dëgjon, unë edhe një herë me anën e kësaj letre, publikisht ngre problemin e organizimit dhe zhvillimit të sportit në radhët e FA, ashtu siç ka qenë dikur dhe siç e kanë gjithë ushtritë e NATO-s ku bën pjese dhe Shqipëria. Kam shumë vite, që krahas detyrave që kam kryer në ushtri, edhe tani në pension, kam ushtruar dhe vazhdoj të ushtroj edhe profesionin e trajnerit të boksit. Në vitin 1999, së bashku me kolegët e mi ushtarakë dhe sportistë kemi rikrijuar dhe drejtuar klasat sportive dhe ekipe të “Partizanit“, të cilat kanë konkurruar denjësisht në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri në 2005 stërviteshim në ambientet e Akademisë Ushtarake. 

Heqja e “Partizanit” nga varësia e Mbrojtjes

Në vitin 2005, me një vendim të qeverisë, klubi “Partizani“, pabesisht dhe padrejtësisht hiqet nga strukturat e FA të ushtrisë. Dhe drejtuesit që u vunë në krye të klubit organizuan sporte që nuk afroheshin fare me detyrat dhe natyrën e veprimtarisë së ushtrisë. Nisur nga pasioni dhe dëshira si sportistë dhe trajnerë të “Partizanit“ nuk i shkrimë ekipet, por vazhduam stërvitjet ne palestrat e Akademisë Ushtarake, te cilat i kemi kompletuar me bazë materiale sportive me fondet dhe kontributin tonë. Ndërsa në vitin 2013, kur erdhi znj. Kodheli në krye të MM, na ndalon të stërviteshim në këto ambiente. Kemi më shumë se një vit e gjysmë që kemi kërkuar të rikthehemi për t’u stërvitur në ambientet e mëparshme, por deri sot nuk kemi asnjë përgjigje. Bëjmë me dije se në ekipin e boksit kemi fëmijë të ushtarakëve si dhe kuadro të cilët mund dhe duhet të përfaqësojnë FA në garat e CIZMIT, ku Shqipëria është anëtare. 

Ekipe private në fushat e Mbrojtjes

Theksoj se aktualisht në ambientet sportive të Akademisë Ushtarake, stërviten skuadra futbolli private, të karatesë etj, që nuk dihet kë përfaqësojnë. Sinqerisht nuk po e kuptoj, përse ky hezitim dhe mospërfillje ndaj këtij problemi, d.m.th. pse të mos zhvillohen veprimtari sportive në përbërje dhe në radhët e FA. Zonja Kodheli, a e kuptoni dhe a e mendoni se një ditë kur nuk do te jeni më MM, jo vetëm që do të përfliteni, por ca më keq, nuk do të keni kurajon dhe të drejtën morale të dilni përpara ushtarakëve me qëndrimet mospërfillëse që mbani sot ndaj kërkesave të tyre. Kam ndjekur me interes, disa intervista që keni dhënë në media dhe sidomos për ngjarjet e fundit në ushtri dhe me thënë të drejtën , jo vetëm kam qenë i ofenduar, por dhe i shokuar për falsitetin e fjalive tuaja si MM. Me qëndrimin tuaj zonja Kodheli (fjala është për njohuritë tuaja ushtarake) dhe kompetencat që i ke marrë të gjitha vetë, deri aty sa edhe një ushtar që merret në FA, duhet të marrë aprovimin tuaj. 

Ushtria, peng i politikës

Nuk bëj thirrje fashiste, si z. Sali, për armatosjen e popullit, por jap një mesazh për Shtabin e Përgjithshëm, deri kur do të vazhdojnë të mbeten peng të politikës. Po ju drejtohem shumë seriozisht dhe miqësisht, së pari juve Zoti Jeronim, juve drejtorëve të drejtorive dhe komandantëve të llojeve të armëve dhe shërbimeve në FA, a e kuptoni përgjegjësinë që keni dhe mbani për nivelin dhe gjendjen e ushtrisë, që e keni bërë vegël të politikës? Ushtria është krahu i armatosur i shtetit për të mbrojtur popullin dhe vendin. Se çfarë po bëni dhe me se po merreni- ju e dini vetë, por një gjë e bëni shumë mirë, merrni grada dhe rroga. Si ka mundësi që në mediat vizive dhe të shkruara mbushen emisione me “veprime“ të ushtrisë duke pastruar plazhet dhe mjedise publike? Sa turp, pse këto janë emergjenca në mbrojtje të vendit dhe për të mbrojtur popullin? Deri sot nuk kemi parë ushtri të vendeve të NATO-s apo të vendeve të ndryshme të bëjnë veprime të tilla. Po, vite me parë, kur janë bërë përmbytje, si në Shkodër etj, ka shkuar ushtria dhe ka shpëtuar jetë njerëzish dhe pasurinë e tyre dhe na bëhet zemra mal, sepse ia vlen të sakrifikosh për vendin dhe popullin tënd. 

Turpi me Forcat e Armatosura

Kulmi i ofendimit, i përçmimit dhe pse jo edhe i poshtërimit që shteti i sotëm dhe juve si Ministre e Mbrojtjes zonja Kodheli, lejoni dhe miratoni që medaljet e dhëna për ushtarakët ishin prej alumini… dhe për ironi, vartësit tuaj u zgërdhinë dhe u “lumturuan” dhe madje mbajtën fjalime të tipit Basha. Nuk e mendoni dhe nuk e kuptoni, ore ju gjeneralë e kolonelë të tipit “hibrid” se nesër do të dilni edhe juve në lirim dhe çdo të kujtoni e tregoni pasardhësve që do bëhen ushtarakë, po për neve veteranët, mësuesit dhe pedagogët tuaj, përse arritët deri këtu? Që turpëroni veten dhe neve. Së fundmi, që e kemi thëne edhe më parë, se në Kuvendin e Shqipërisë ka pas dhe ka deputetë ushtarakë, të cilët deri më sot nuk i kemi dëgjuar njëherë të flasin dhe mbrojnë të drejtat e ish-kolegëve të tyre. 
* Kolonel në pension
Sigal