Ismail H. Xhaferri: Këta janë gjyqtarët

743
Këta janë gjyqtarët 
Që i kemi rrotull, 
S’kanë grabitur banka, 
Kanë grabitur popull.
Këta janë gjyqtarët, 
Ashtu urtë e butë, 
Kanë gëlltitur ligje, 
Me gjithë kushtetutë. 
Këta janë gjyqtarët, 
Paranë kanë më mike. 
Vetë fukarenj, 
Gratë pasanike! 
Këta janë gjyqtarët, 
Lekët mizë lisi, 
Që kanë marrë dhurata 
Nga gjithë farefisi!
Këta janë gjyqtarët, 
Mbi karta kanë shkruar, 
Se gjithë pasurinë, 
E kanë të dhuruar! 
Këta janë gjyqtarët,
Të heqin kapakët,
U dhurojnë motrat, 
Edhe baxhanakët! 
Këta janë gjyqtarët, 
Nuk gjen si këta, 
Se vetëm këtyre, 
U falin gjithçka! 
Këta janë gjyqtarët, 
Shumica të dhjerë, 
Vetë fukarenj, 
Vjehrrit milardierë! 
Këta janë gjyqtarët 
Që nuk kanë gjë fare, 
Vetë copë e çikë, 
Por vjehrrat pronare!
Këta janë gjyqtarët ,
Ndotur gjer në llërë 
Dhe gjithë hallexhinjve, 
Gjëmën u kanë bërë! 
Këta janë gjyqtarët, 
Që për lekë janë tretur, 
Edhe kanë grabitur, 
Të gjallë e të vdekur! 
Këta janë gjyqtarët, 
Pa drejtësi fare, 
Gjithë puna e tyre, 
Ka qenë, thjesht pazare! 
Këta janë gjyqtarët, 
Që si në një garë, 
Kanë grabitur vrasës, 
Vrasës dhe të vrarë! 
Këta janë gjyqtarët, 
Që kishim për pjesë, 
Dhe që kanë liruar, 
Vrasës me pagesë! 
Këta janë gjyqtarët, 
Një faqe e errët, 
Dhe kanë marrë në qafë, 
Dhjetëra- dhjetëra njerëz! 
Këta janë gjyqtarët, 
Tash të gjithë e dinë, 
Kanë vrarë të pafajshëm, 
Kanë vrarë drejtësinë! 
Këta janë gjyqtarët, 
Që të drejtën shkelin, 
Tani erdhi ora, 
Ç’kanë marrë, ta vjellin!


Sigal