Ish-zv.kryetari i Bashkisë Kukës, Granit Gjana paraqitet në SPAK, ja për çfarë akuzohet

28
Sigal

Ish-zv.kryetari i Bashkisë Kukës, Granit Gjana, i cili është në hetim për shkelje të barazisë për dy tendera me vlerë 210 milionë lekë të vjetra për naftën, ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme.

Ai mbërriti në ambientet e SPAK mëngjesin e sotëm, një ditë pasi u pezullua nga detyra e Prefektit të Kukësit, pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO ka caktuar të mërkurën (6 Dhjetor) masën e sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për Ganit Gjanën.

Ish-zyrtari dyshohet se nuk ka pajisur në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse një subjekt privat, i cili kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit.

Ai e ka penguar subjektin të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekëve, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.

Për pasojë Granit Gjana akuzohet se ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Por kush është ish-zv.kryetari i Bashkisë Kukës

Granit Gjana është personazhi i tretë i videoskandalit s*ksual të Safet Gjicit dhe Alma Kaçit në zyrën kryebashkiakut.

Pasi Safet Gjici i premtoi Alma Kaçit tenderin për qentë e rrugës pas aktit seksual, ai e adresoi tek vartësi i tij.

Granit Gjana është personi që merr kontakt me Alma Kaoin duke administruar dokumentacionin e plan-projektit për sterilizimin e qenve të rrugës.

Sipas të dhënave, Gjana ka pranuar se sipas udhëzimit që i dha kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka pranuar dokumentacionin e Alma Kaçit për planin e ndërtimit të qendrës së sterilizimit dhe kastrimit të qenëve të rrugës.

Pas bërjes publike të videoskandalit, ish-zv.kryetari i Bashkisë Kukës u mor në pyetje nga SPAK. Ky i fundit i marrë në pyetje theksoi se plani ka mbetur vetëm në letër, pasi ende një shërbim i tillë nuk ishte diskutuar në këshillin bashkiak.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime paraprake në kuadër të procedimit penal nr.133 të vitit 2023, për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal.

Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim G. Gj., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari G. Gj., në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës.

Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05.12.2023.